Futbollisti i Egjiptit, Mostafa Mohamed, është bërë pjesë e kundërthënieve në vendin e tij, pasi një mik i lojtarit pretendohet se i është nënshtruar një provimi në vend të tij.
Ndërsa tani, miku i sulmuesit të Galatasarayt është objekt i një hetimi policor, pasi u kap në aktin e imitimit të tij.
Dyshja thuhet të jenë fqinj që jetojnë në të njëjtën rrugë, ndërsa mediat egjiptiane raportojnë se kjo nuk është hera e parë që Mohamed ka angazhuar një zëvendësues për të hyrë në provim për të.
Çfarë thuhet se ka bërë futbollisti
24-vjeçari po studion për një kualifikim të Teknologjisë së Informacionit në Institutin e Lartë për Menaxhimin dhe Teknologjinë e Informacionit në Giza dhe duhej t’i përfundonte provimet semestrale në afatin e janarit.
Megjithatë, ai tani ndodhet në Kupën e Kombeve të Afrikës në Kamerun, ku i ka ndihmuar Egjiptit të kualifikohet në fazat e eliminimit direkt.
Në mungesë të tij, pretendohet se Mohamed ka kërkuar nga miku i tij që të hyjë në provim dhe t’i kryejë testet, në të cilat do të mungonte.
“Ai është miku im dhe e ardhmja e tij do të shkatërrohet në rast se nuk e jep provimin. Unë vetëm doja të ndihmoja, kjo është hera e parë që e bëj”, citohet të ketë thënë personi që ka hyrë në provim për të.
Mirëpo, gazeta egjiptiane, Youm7, raporton se edhe në tri provimet e mëparshme, futbollisti është zëvendësuar nga dikush tjetër.
Çfarë do të ndodhë tash
Zëvendësuesi është kapur nga policia për t’u marrë në pyetje, sepse autoritetet duan t’i shkojnë deri në fund incidentit.
Miku i futbollistit thuhet t’u ketë thënë autoriteteve se e kishte pranuar planin e veprimit me Mohamed para shkuarjes së tij në Kupën e Kombeve të Afrikës.
Akoma nuk ka një deklaratë zyrtare për incidentin, ndërkohë që kjo ngjarje është krahasuar me akuzat ndaj Luis Suarez për mashtrim në testin e gjuhës italiane kur donte t’i bashkohej Juventusit nga Barcelona. /Telegrafi/