Mjeshtri i fotografisë përball mjeshtres së pikturës: Një rrëfim unik për artin dhe për dashurinë mes dy artistëve… dhe dy botëve!
Nga: Alexxa Gotthardt
Përktheu: Fahredin Spahija
Në portretin e piktores Frida Kahlo, të realizuar në vitin 1939 nga fotografi Nickolas Muray, një kurorë buzë turbanit ngjyrë vjollcë, del në shesh nga flokët e saj të shpeshtë e të zinj. Shalli i saj i preferuar, një magentë e errët, mbështjell krahët e saj duke u përshtatur me ngrohtësinë e faqeve dhe thonjve të ngjyrosur – një e kuqërremtë shkëlqyese që tërheq vëmendjen karshi duarve të piktores. Ajo rri e mbështetur komod në mur dhe shikon drejtë aparatit fotografik me vendosmëri. “Nick, i dashur, e mora fotografinë e mrekullueshme që m’a ke dërguar; më duket edhe më e bukur se në Nju-Jork”, shkruante Kahlo në qershor të atij viti, pasi i erdhi portreti me postë, nga Muray. “Diego thotë se është po aq e bukur sa një Piero della Francesca (piktor italian i Renesancës së hershme – v.j.). Për mua është edhe më shumë se aq, është një thesar. Dhe, përveç kësaj, do t’ma kujtojë përherë atë paraditen kur hëngrëm bashkë mëngjesin”.
Portreti është një nga afro 90 fotografitë e njohura që Muray ia kishte bërë Kahlos mes viteve 1937-1948, atëherë kur piktorja realizoi pikturat e saj më të famshme – kohë kjo kur po e etablonte imazhin personal, kur po e kalonte jetën me famën në rritje, me lëngimin nga një sëmundje kronike dhe me një dashuri temperamente. Si miq dhe dashnorë shumëvjeçarë, Muray dhe Kahlo bashkëpunuan në ideimin dhe kompozimin e fotografive disa nga të cilat janë shfaqur në ekspozitën e hapur kohët e fundit në Muzeun e Bruklinit e të titulluar “Frida Kahlo: Appearances can be deceiving” (Frida Kahlo: Paraqitjet mund të jenë mashtruese) – ekspozitë që tregon sesi artistja e kishte krijuar stilin dhe e kishte përforcuar identitetin krijues. Fotografitë kanë kapur individualitetin dhe vendosmërinë legjendare të Kahlos, por gjithashtu edhe momente të qeta e prekëse të jetës së artistes.
Muray dhe Kahlo u takuan për herë të parë në vitin 1931, në udhëtimin inaugurues të fotografit në Meksikë. Në atë kohë ai ishte fotoportretist i njohur dhe pionier i fotografisë me ngjyra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas një divorci diskutabil, po udhëtonte drejt jugut me mikun e tij më të mirë – njëkohësisht kolegun artist, Miguel Covarrubias. Covarrubias e njoftoi Murayn me Kahlon, e cila asokohe ishte piktore fillestare dhe e martuar me piktorin e madh muralist, Diego Rivera. E pazakonshme për Murayn, por nuk e gjejmë asnjë fotografi të mbijetuar nga ky udhëtim. Mirëpo, dëshmitë e marrëdhënies me Kahlon gjenden në një shënim që artistja e kishte lënë në një letër dekoruese ëmbëlsirash. Në një pjesë të saj thuhet: “Të dua si do ta doja një engjëll. Ti je një lule vjollce nga lugina (simbol i pafajësisë, i pastërtisë dhe i bukurisë – v.j.), dashuria ime”!
Ky udhëtim shënon lindjen e një romance 10-vjeçare e të zjarrtë mes dy artistëve, gjatë së cilës Muray e pushtoi Kahlon intimisht – si në studio ashtu edhe në shtëpinë e saj (një jetë kjo e ndërthurur me miq dhe me adhurues, si dhe e pasqyruar në pikturë përmes autoportreteve të sinqerta që definuan jetën dhe trashëgiminë e saj artistike).
Megjithatë, për aq sa njohësit e kësaj marrëdhënieje thonë, Muray nuk i ka bërë fotografi Kahlos gjashtë vite që nga takimi i tyre i parë (pra, deri në vitin 1937). Gjatë drekës, në shtëpinë e Covarrubias në Tizapan, ai me vete kishte një slajd filmi të ri të Kodachrom-it, në të cilin regjistroi disa nga fotografitë e para me ngjyra të Frida Kahlos. Në njërën nga to, shikimi i saj është i butë, pothuajse i qeshur, derisa rri e mbështetur në një shtyllë, e veshur me veshjen e saj identifikuese të frymëzuar nga kostumi tradicional tehuana: një bluzë e kuqe e qëndisur, një fund i gjatë ngjyra-ngjyra dhe me një tufë lulesh të ndritshme mbi kokë.
Në fotografinë tjetër të bërë të njëjtën ditë, ajo qëndron para Covarrubiasit dhe Rivieras: te dy e shikojnë Kahlon – që është në qendër të vëmendjes – teksa ajo me kujdes shikon drejtë lentes së Murayit. Imazhi duket si paralajmërim i njohjes që asaj do t’i bëhet së shpejti. Vitin tjetër, Galeria “Julien Levy” u bë mikpritëse e ekspozitës së parë personale të Kahlos në Nju-Jork, kurse artikujt në revistat “Time” dhe “Vogue” e paraqesin si artisten në të drejtën e saj dhe jo si gruan e Rivieras (siç thuhej më herët). “Secila pikturë e saj… ishte shpërfaqje e përvojës personale”, shkruante Bertram Wolfe në edicionin e nëntorit të vitit 1938 të revistës “Vogue”, duke bërë me dije thellësinë emocionale dhe detajet autobiografike të paraqitura në veprat e saj. “Edhe kur vet nuk paraqitet në pëlhurë, ajo disi e përshkon pikturën”.
Në Nju-Jork dhe në Meksikë, Muray e fotografonte Kahlon teksa po përgatitej për ekspozitën. Në disa nga fotografitë duket soditëse, duke qëndruar rastësisht para kaktuseve që kanë mbushur kopshtin e saj ose duke mbajtur cigaren e ndezur. Në të tjerat rrezaton entuziazëm dhe vendosmëri, si tek “Frida with picture frame” (Frida me kornizën e pikturës, 1938). E fotografuar në intimitetin e shtëpisë së Kahlos, ajo mban para portretit të saj një kornizë të zbukuruar duke i nxjerr në pah stolitë tradicionale meksikane, vetullat e theksuara dhe shikimin këmbëngulës – karakteristika që ajo i kultivoi dhe të cilat së shpejti do ta definojnë si person publik.
Një nga pikturat e saj, “Remembrance of an Open Wound” (Kujtimi i një plage të hapur, 1938), dëshmon identitetin e saj si piktore e vetvetes. Ajo e tregon artisten të ulur dhe me veshje tehuana, me fund të ngritur që zbulon kofshën e saj të majtë nga ku rrjedh gjaku, gjë që dëshmon vuajtjet fizike (përjetoi dy fatkeqësi në rininë e saj, të cilat e mundonin me dhimbje kronike) si dhe për trimërinë.
Piktura në fotografinë e Murayt udhëtoi bashkë me Kahlon në Nju-Jork për ekspozitën e saj të nëntorit në Galerinë “Julien Levy”, bashkë me 24 piktura tjera. Ekspozita që tërhoqi vëmendjen – po ashtu nga hapja që bënë Georgia O’Keeffe dhe Isamu Noguchi – e përforcoi reputacionin e saj si një artiste që riafirmoi surrealizmin dhe traditën e autoportretit. “Unë nuk e di nëse pikturat e mia janë surrealiste apo jo”, deklaronte ajo në vitin 1952, “por e di se ato janë shprehja më e sinqertë e vetes time.”
Disa muaj pas debutimit të Kahlos në Nju-Jork në fillimvitin 1939, ajo hyri në studion e Murayt për të krijuar “Rebozon” (mbulesë tradicionale e grave në Meksikë): portretet më formale sesa fotografitë e mëhershme. Muray gjatë fotografimit përdori ndriçimin e studios si dhe karbo-procesin trengjyrësh të paraqitur atëherë rishtas, për të realizuar fotografi të tejngopura me dritë, për të shpërfaqur shkëlqimin e krijimtarisë së saj të re. Por, as këto fotografi të realizuara në studio nuk humbën intimitetin: rreze butësie burojnë nga sytë e Kahlos, teksa Muray me dashuri artikulon gjallërinë, fuqinë dhe vetëkontrollin e artistes përmes ngopjes me dritë dhe detaje.
Gjatë nëntë viteve vijuese, Muray realizoi disa fotografi nga jeta e Kahlos, bile edhe pas përfundimit të romancës së tyre në vitin 1941. Disa të realizuara me tajmer tregojnë dy dashnorët afër njeri-tjetrit apo të rrethuar me miqtë e tyre. Tjerat janë të përqendruara në objektet dhe përvojat që kanë frymëzuar Kahlon.
Në fotografinë “Frida with Olmec Figure” (Frida me figurën olmeke, 1939), ajo mban një figurë të lashtë guri nga civilizimi olmek, e ngjashme me figurat e krijuara tek kompozicioni “Self Portrait Along the Borderline Between Mexico and the United States” (Autoportreti në vijën e kufirit mes Meksikës dhe ShBA-ve, 1932) dhe tek “Four Inhabitants of Mexico” (Katër banorët e Meksikës, 1938).
Fotografitë më intime të Murayt janë ato që dokumentojnë luftën fizike të Kahlos (ajo përjetoi afërsisht 40 operacione gjatë jetës së saj). Në vitin 1940, ai e vizitoi në spitalin ku iu nënshtrua operacionit të fuzionit spinal (shtyllës kurrizore). “Frida in Traction” (Frida e tërhequr) paraqet dhembjen e saj, por një fytyrë që e merr veten.
“Do të dëshiroja të kisha magji në duart e mia, do të të merrja dhe do të të çoja mbi re deri tek Dielli dhe do të flisja me ‘tipin’ që supozohet se krijoi… kaktusin dhe botën përreth, derrat e vegjël dhe Diegon, edhe ty e mua, po ashtu edhe Miguelin”, i shkruante Muray asaj, në vitin 1939. “Ndoshta ai do të ma tregonte sekretin se si të bëhesh ti prapë mirë, që ti të mund të këndoje e të buzëqeshje, të dashuroje e të luaje sërish ashtu siç të kisha parë nën dritën e Diellit apo në errësirën e natës.”
Një nga portretet e fundit që Muray ia realizoi Kahlos, ishte në vitin 1946, në çatinë e tij në Manhatan, ku me kordelet e saja të kaltra duket sikur i bën karshillëk qiellit, kurse huipili i saj i kuq dhe i bukur (veshje tradicionale e Meksikës Qendrore – v.j.) bën që horizonti i zymtë i Nju-Jorkut të duket si i turpshëm. Teksa buzëqeshja i përhapej nëpër fytyrë, e shikon Murayn me butësi dhe triumfalisht.
“Fotografia, fatmirësisht, për mua nuk ishte vetëm profesion, por edhe kontakt me njerëz; ta kuptosh natyrën e njeriut dhe të regjistrosh, nëse është e mundur, atë më të mirën tek secili person”, thoshte Muray dikur.
Tek Frida Kahlo ai kishte gjetur subjektin ideal – dikë që nuk frikësohej aspak të qëndronte para aparatit të tij fotografik. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëASHIK QERIBI
Sekreti drejt zemrës së një gruaje!
Pse njerëzit kanë nevojë për tregime?
Guri i Rozetës: Deshifruesit e vërtetë të kodeve të lashtësisë
Viti 1922: Në Shkodër lindi Marie Shllaku
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje