Site icon Telegrafi

Formacioni i xhiros së 20-të në BKT Superligën e Kosovës

Ka përfunduar xhiro e 20-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll me disa rezultate mjaftë interesante.

Dy superderbi janë zhvilluar këtë xhiro, ku Drita dhe Llapi luajtën baras 1-1 derisa Prishtina u mposhtë 0-2 nga Ballkani.

Drenica ka marrë fitore të madhe në udhëtim te Dukagjini 1-2, kurse ashtu siç pritej edhe Gjilani triumfoi në udhëtim te Feronikeli 1-3.

Dueli i dy skuadrave që po luftojnë për mbijetesë mes Ulpianës dhe Malishevës përfundoi baras 1-1.

Telegrafi si gjithnjë ka zgjedhur më të mirët e javës në elitën e futbollit kosovar, ku më së shumti këtë javë vijnë nga Ballkani.

Portieri:

Stivi Frashëri ka qenë fantastik dhe më meritori për fitoren e Ballkanit në udhëtim te Prishtina. Portieri shqiptar bëri pritje fantastike dhe për më tepër ndali edhe penalltinë e Besnik Krasniqit.

Mbrojtja:

Kësaj radhe vjen me tre mbrojtës, për faktin se më shumë shkëlqyen futbollistët nga repartet tjera. Armend Thaqi ishte i jashtëzakonshëm në krahun e djathtë të Ballkanit, por dha kontribut edhe duke asistuar te Ermal Krasniqi kur ky i fundit fitoi penalltinë. Në qendër ishte Bajram Jashanica që fitoi çdo duel me sulmuesit prishtinas.

Mbrojtësi tjetër që zë vend në 11-shen e javës është Ardian Cuculi i Dritës. Veterani bëri një ndeshje shumë të mirë ndaj Llapit, por edhe arriti të shënoj nga penalltia për ta shmangur humbjen në derbi.

Mesfusha:

Talenti i Llapit, Ilir Krasniqi ka bërë një tjetër ndeshje të madhe ndaj Dritës. Paraqitja fantastike e tij bëri që trajneri Tahir Batatina ta lavdërojë publikisht duke thënë se është e ardhmja e mesfushës së Kosovës.

Krahas Krasniqit janë edhe Genc Hamiti që shkëlqeu në fitoren e Drenicës me një asistim maestral si dhe mesfushori Iran që ishte më i miri në fushë për Ulpianën në barazimin 1-1 ndaj Malishevës.

Sulmi:

Valmir Veliu ka qenë fantastik në duelin ndaj Dritës të shtunën në Gjilan. Sulmuesi i talentuar llapjan nuk ndalej në asnjë moment dhe realizoi golin e vetëm për Llapin.

Në krahun tjetër të sulmit vije Ermal Krasniqi, që ishte më meritori për fitoren ndaj Prishtinës. Sulmuesi anësor fitoi penalltinë të cilën e konkretizoi vet në gol duke i siguruar tri pikë të mëdha suharekasve.

Xhevdet Shabani është rikthyer protagonist në BKT Superligë, ku me një gol të mrekullueshëm i ka siguruar një pikë Malishevës në udhëtim te Ulpiana.Në qendër të sulmit vije Baton Zabërgja. Vushtrriasi i talentuar ka qenë vendimtar në një ndeshje tjetër për Drenicën duke shënuar ndaj Dukagjinit të Klinës.

Trajneri:

Ilir Daja fitoi derbin e javës me Ballkanin e tij përballë Prishtinës. Trajneri shqiptar kishte përgatitur për mrekulli skuadrën e cila ishte vendosur shumë mirë dhe me plotë meritë morën tri pikët. /Telegrafi/

 

Exit mobile version