Në Prokurorinë Themelore në Prizren është zhvilluar takimi ndërinstitucional, me fokus në forcimin e bashkëpunimit për sekuestrimin dhe rikthimin e aseteve të përfituara në mënyrë të paligjshme.

Sipas njoftimit, kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, së bashku me prokurorë të tjerë, kanë pritur në takim Bahri Hyseni, prokuror nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Udhëheqës i Zyrës për Rikthimin e Aseteve, sikurse edhe përfaqësues të Policisë së Kosovës, Njësisë për Inteligjencë Financiare (NJIF), Doganës dhe Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).


Qëllimi i këtij takimi ka qenë koordinimi më i ngushtë institucional dhe rritja e përkushtimit të përbashkët për identifikimin, sekuestrimin dhe rikthimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të kundërligjshme. Të pranishmit kanë diskutuar sfidat konkrete në zbatimin e ligjit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, si dhe nevojën për forcimin e kapaciteteve hetimore dhe operacionale në këtë fushë.

“Kryeprokurori Kryeziu, theksoi angazhimin e tij për të siguruar mbështetjen e plotë institucionale në punën e Zyrës për Rikthim të Aseteve, duke vlerësuar kontributin e saj në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai, po ashtu nënvizoi domosdoshmërinë që pasuria e përfituar përmes veprimtarive të paligjshme t’i kthehet shtetit dhe qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, raporton Telegrafi.

Në fund të takimit, sipas njoftimit, palët janë pajtuar për nevojën e hartimit të strategjive të përbashkëta dhe intensifikimin e veprimeve konkrete në terren për të rritur efikasitetin në kthimin e aseteve të konfiskuara. /Telegrafi/