Nga: Emily Maskell / BBC
Përkthimi (i pjesshëm) nga: Telegrafi.com
“Mirëmëngjesi, dhe në rast se nuk ju shoh … mirëdita, mirëmbrëma dhe natën e mirë”! Truman Burbanku (Jim Carrey) hareshëm përshëndet fqinjët e vet. Gjithçka është e parashikuar, si lindja dhe perëndimi i diellit, në një rutinë të pandryshueshme e të përditshme të jetës së Trumanit. Ai nuk e di se e gjithë jeta e tij është gënjeshtër që shikohet nga miliona vetë. I realizuar në vitin 1998 – filmi i veçantë i Hollivudit për një burrë që jeton në një realitet të sajuar nga producentët televizivë – kishte ndikim që në premierë, por askush nuk e dinte saktësisht se sa parashikues do të jetë. Në vitet e mëvonshme, filmi pasqyroi një mori të anktheve kulturore – për mbikëqyrjen kudo e kurdo, voajerizmin masiv dhe maninë e spektakleve të realitetit që kanë kaptuar globin.
Me skenar nga Andrew Niccol dhe me regji nga Peter Weir, filmi fitoi mbi 125 milionë dollarë në ShBA dhe rreth 264 milionë dollarë në mbarë botën, ndërsa merr tri nominime për çmimin Oscar – për aktorin më të mirë dytësor, skenarin origjinal dhe për regji. Por, këto statistika nuk e paraqesin si duhet ndikimin e tij. Filmi profetik e përshkruan jetën e përditshme të një gjoja shitësi të polisave të sigurimeve, Trumanit, i cili nuk është i vetëdijshëm se ekzistenca e tij është subjekt i një shfaqjeje globale televizive – dhe të diskutueshme në aspektin etik; familja dhe miqtë e tij janë aktorë dhe bota përreth tij është fasadë e prodhuar. I zgjedhur për t’u shfaqur në atë farsë që nga lindja, jeta e Trumanit është dokumentuar nga pesë mijë kamerat e vendosura në gjithë “qytetin e tij të lindjes”, në ishullin Sihevën, të cilat gjatë gjithë kohës transmetojnë jetën e tij para 1.5 miliardë shikuesve besnikë.
Pastaj, në një ditë fatale, gënjeshtrat e ekzistencës së tij fillojnë të shkërmoqen pas një sërë ngjarjesh aksidentale – përfshirë një pajisje ndriçimi që bie nga “qielli” dhe Trumanin që e dalloi babanë e vet “të vdekur” të gjallë. E, këto çojnë në përndritje. Megjithatë, teksa Trumani me guxim vendos të largohet nga “realiteti” i tij i ndërtuar dhe të ikën nga manipulimi i tillë, ne si shoqëri duket se kolektivisht kemi shkuar në drejtim të kundërt. Sigurisht, nënteksti paralajmërues i filmit nuk u përfill, sepse voajerizmi mediatik vetëm se është bërë pjesë gjithnjë e më e rrënjosur në jetën tonë.
Weir thotë për BBC se pavarësisht rëndësisë së jashtëzakonshme dhe të gjatë të filmit, nuk priste që Shou i Trumanit (The Truman Show) të dilte aq i saktë. “Nuk e kisha idenë se cunami i spektakleve të realitetit qëndronte pak më poshtë në horizont”, thotë ai. Në kohën e prodhimit të filmit, televizionet e spektaklit të realitetit ishin në nismat e veta, me shfaqjet që hapnin rrugën si The Real World. Por, ishte formati holandez Big Brother [Vëllai i madh], në të cilin njerëzit e zakonshëm detyrohen të jetojnë në një shtëpi për disa javë, që do ta kthente zhanrin në fenomen global.
Në fakt, Weir thotë se e kujton një koment të krijuesit të Vëllait të madh “[i cili ishte] në fazat e planifikimit [të spektaklit] në kohën e publikimit të filmit. Ai tha diçka si kjo: ‘Kur e pashë Trumanin, mendova se bëjmë mirë nëse vazhdojmë tutje’. Vëlla i madh doli një vit e ca më vonë”. Por, mesazhi i Shout të Trumanit për jetën nën mbikëqyrje të vazhdueshme, parashikoi jo vetëm epokën e spektaleve të realitetit televiziv, por gjithë kulturën e mediave sociale.
Me ardhjen e Vëllait të madh, Shou i Trumanit dukej shumë i besueshëm – por gjatë krijimit të tij, thotë Weir, koncepti dukej i ekzagjeruar: “Problemi ishte se duhej të thoshim se [Shou i Trumanit] u shikua nga një audiencë botërore për 30 vjet, 24 orë në ditë.” Tashti, një program i tillë nuk duket absurd, jo falë paradës së pafundme të spektakleve të realitetit, por edhe transmetimeve në internet në të gjitha llojet e platformave të mediave sociale në të cilat përdoruesit dokumentojnë periudhat e gjata të jetës e ku ndjekësit pafundësisht mund të shikojnë.
Weir gjithashtu goditi kur është fjalë për konventat e televizionit “pa skenar”, përpara se këto të mund të përshkruheshin si të tilla. Ashtu si me të gjitha spektaklet e realitetit, “realiteti” i Shout të Trumanit vërtet skalitet nga producentët që diktojnë ngjarjet e botës së Trumanit. Kristofi (Ed Harris), krijuesi megaloman i Shout të Trumanit, ka sy despotik që mbikëqyr gjithçka; fuqia e tij ilustrohet me kërkesën e tij për ta “drejtuar Diellin”! Takimet me kalimtarët dhe me të njohurit përsëriten, kështu që duken organike ndërveprimet e Trumanit me botën. Dëshira kolektive për të vëzhguar një “realitet” të zakonshëm, përvijohet nga Kristofi në momentet e hapjes së filmit: “Jemi mërzitur duke i parë aktorët që na japin emocione të rrejshme … Derisa bota ku ai banon në disa aspekte është false, nuk ka asgjë të rrejshme për Trumanin”.
Kjo paqartësi për atë që është “reale” dhe atë çfarë është e falsifikuar, qëndron në zemër të kulturës së mediave të sotme, nga The Kardashians e deri te Instagram Lives. Ashtu siç audienca e dëshiron realitetin, ai “realitet” i ushqyer mund të jetë i dyshimtë në origjinalitet, i falsifikuar nga udhëzimet e prodhuesve, me vendosjen e produkteve, filtrave të mediave sociale etj. Ndërkohë, ata që marrin pjesë në spektaklet e realitetit japin performanca, për shkak të njohurisë se kamerat po i ndjekin – ku, natyrisht, dallohen nga Trumani i pafajshëm. Pavarësisht nga bashkëfajësia e pjesëmarrësve apo jo, megjithatë, si me Shoun e Trumanit, këto shfaqje ushqehen nga dëshira e audiencës për t’u futur me një këmbë në jetën “reale” të njerëzve të tjerë.
Në të vërtetë, rrëfimi i shtresuar i Shout të Trumanit si spektakël brenda filmit, prek gjithashtu çështjen ekzistenciale, epistemologjike të asaj që ne e kuptojmë si “reale”. Ajo ta kujton alegorinë e shpellës së Platonit, në të cilën ai e përshkruan një situatë ku njerëzit që kanë qenë të lidhur me zinxhirë në një shpellë, gjatë gjithë jetës së tyre shihnin hije të projektuara në murin përballë, e që bëhen “reale” për ata – edhe pse ato nuk janë paraqitje të sakta të botës reale. Shou i Trumanit mund të interpretohet si pasqyrim modern i kësaj ideje, siç qartësohet nga Kristofi kur thotë: “E pranojmë realitetin e botës që na kanë paraqitur. Është kaq e thjeshtë”. E njëjta gjë mund të thuhet për publikun e shekullit XXI: ashtu si Trumani, na paraqesin një realitet që në shumë mënyra mund të kuptohet si i orkestruar. Identitetet në internet dhe spektaklet televizive janë “e vërteta” e krijuar përmes redaktimit, ashtu siç është e sajuar jeta e Trumanit. Bota që Kristofi e ndërtoi është e vërteta e Trumanit, shpella e Trumanit dhe ne jemi të gjithë në dhomat e jehonës dhe në shpellat e së vërtetës sonë.
Shou i Trumanit formulon gjithashtu atë se si mund të çohet jeta, për zbavitje të të tjerëve. Tashti, ne të gjithë mund të bëhemi Trumanë falë qasjes së gjerë në platformat e internetit. Fenomeni i vetë-transmetimit është përhapur në shoqërinë tonë vetë-narrative; mund të ofroni telenovela të pafundme për audiencën në internet, përmes Twitter-it, Instagram-it, Facebook-ut, TikTok-ut etj. Të gjithë ne, gjithashtu, mund të kënaqemi me Sindromën tallëse të Personazhit Kryesor – stenografi e mediave sociale për ata që me narcizëm e imagjinojnë veten si protagonistë në historinë e jetës, me njerëzit përreth vetëm si personazhe dytësore.
“Mendoj se [filmi] ka argument të fortë për këtë ndjesi të pamundësisë së shtuar për ndarjen e zbavitjes prej realitetit”, thotë për BBC, skenaristja Lilia Pavin-Franks. “Ndoshta audienca ka afinitet për një spektakët të realitetit, sepse e jep ndjesinë e lidhjes, por, në thelb, mbi të gjitha mbetet zbavitje”. Pavin-Franks thekson marrëdhënien e ndërlikuar midis shikuesit dhe pjesëmarrësve në thelbin e narracionit të Shout të Trumanit dhe të spektakleve të realitetit. Si e sheh e para të dytën – si subjekte empatike, objekte të manipuluara për kënaqësi apo të dy ato? Cilado qoftë natyra e lidhjes, sigurisht se mund të jetë e fortë: sipas një studimi të vitit 2016, nga agjencia e hulumtimit të tregut, OnePoll, “pothuajse një në pesë prej të anketuarve kanë zbuluar se janë të lidhur pas një ylli apo personazhi të realitetit, me një në dhjetë që pranojnë se janë të fiksuar pas një spektakli të realitetit”. Kjo e jep idenë e një pjesëmarrësi që perceptohet si produkt konsumi: tregohet në filmin e Weirit me mënyrën sesi audienca e pranon personazhin e Trumanin, si mall. Por, ka edhe diçka në mënyrën se si e shikojnë, nga divanet e veta, në bare, madje edhe në vaskë, 24 orë në ditë – një përvojë kjo e thellë kolektive.
Jehona e vazhdueshme kulturore e Shout të Trumanit, mund të shihet konkretisht në Sindromën e Shout të Trumanit, një term i krijuar në vitin 2008 nga psikiatri Joel Gold dhe vëllai i tij studiues Ian Gold, për të përshkruar pacientët që besonin se jeta e tyre po dokumentohet -për zbavitje të të tjerëve. Ian Gold, profesor i filozofisë dhe psikiatrisë në Universitetin MekGill, thotë për BBC se megjithëse filmi “kapi një moment në historinë e teknologjisë dhe jehoi në përvojën e shumë njerëzve”, ai nuk ishte shkaku i vetëm i iluzionit. Në vend të kësaj, ndikimi i filmit kryqëzohet me mbikëqyrjen e shtuar brenda kulturës perëndimore. “Pas 11 Shtatorit, Akti Patriot e bëri mbikëqyrjen tipar të theksuar të kulturës amerikane dhe ndoshta ishte kontribuues i rëndësishëm në ankthin e përgjithshëm rreth humbjes së privatësisë”, shton ai.
Atëherë mund të supozohet se qasja e gjerë në celularë dhe në mediat sociale vetëm sa do t’i çojë më lartë ankthet e ngjashme si të Trumanit. Këtë e beson Dr. Paolo Fusar-Poli, profesor dhe drejtues i Psikiatrisë Parandaluese në Departamentin e Studimeve të Psikozës në Kolegjin Mbretëror të Londrës, dhe bashkautor i kërkimit për fenomenin e Sindromës së Shout të Trumanit, i botuar në Revistën Britanike të Psikiatrisë (2008). Dr. Fusar-Poli thotë për BBC: “Sigurisht, digjitalizimi i madh i kohëve të fundit dhe hiperekspozimi i jetës sonë në mediat sociale, mund t’i shkaktojë këto përvoja [të ngjashme me Trumanin]”. Profesori Gold thekson se “realitetet kulturore janë gjithmonë duke ndërhyrë në përvojën psikotike”, dhe për këtë arsye kalimi në jetën tejet të digjitalizuar, mund ta shtojë paranojën rreth vëzhgimit.
Gold dhe Fusar-Poli flasin për rëndësinë e Shout të Trumanit në identitetin modern, por Weir gjithashtu thekson faktin se filmi flet për një paranojë bazike, pavarësisht tendencave aktuale kulturore. Kur u takua me aktorët në audicion, për këtë film, ai thotë se disa thanë se u identifikuan me Trumanin, sepse në rini ata ishin ndier si “të mashtruar, me gjithë të tjerët përreth duke aktruar”.
Ndonëse rritja e spektakleve të realitetit dhe e mediave sociale e forcoi trashëgiminë e filmit, Weir ende shpreh habinë e tij për rëndësinë “e përhershme” të Shout të Trumanit: “Duket se o tërheq një audiencë të re, gjë që është e pazakontë për një film më të vjetër se ata”, thotë ai. Shou i Trumanit përfundon me Trumanin që arratiset drejt qiellit, përmes një dere në errësirë – e kundërta e dritës në fund të tunelit. Megjithatë, ka është një aspekt shprese në përfundim të tij – shpresë se Trumani mund të vazhdojë të jetojë jetën e vet pa praninë e audiencës së kudogjendur. Shembulli i Trumanit është, siç disa do të sugjeronin, se shoqëria jonë duhet ta bëjë të njëjtën. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëASHIK QERIBI
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?
Po ndodh eksodi nga “X”-i drejt “Bluesky”-t: Ka përfunduar epoka e platformave masive të mediave sociale!
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
Historia e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme