Fillon evakuimi i forcave të armatosura turke nga Afganistani

Forcat e Armatosura Turke kanë filluar evakuimin përmes aeroportit të Kabulit dhe do të kthehen në Turqi pasi "përmbushën me sukses detyrën që iu ishte besuar", tha Ministria e Mbrojtjes Turke në një deklaratë në lidhje me ushtarët turq që shërbenin në Afganistan.
Ministria njoftoi se vendimi erdhi si rezultat i vlerësimit pas "takimeve të ndryshme, situatës dhe kushteve aktuale".
"Kaosi në Aeroportin Hamid Karzai të Kabulit u menaxhua, krijuam siguri, aktivitete të tjera të nevojshme të kryera së bashku me trupat e vendeve të tjera. Në këtë proces, 1129 qytetarë civilë u evakuuan me aeroplanët tanë ushtarakë”, thuhej në deklaratë.
Zëdhënësi i presidencës turke Ibrahim Kalin shkroi në Twitter se "pasi përmbushën detyrat e tyre në një mënyrë të shkëlqyer dhe të nderuar, ushtarët turq në Afganistan po kthehen në shtëpi. Turqia do të vazhdojë të punojë për paqen, sigurinë dhe prosperitetin e vëllezërve dhe motrave tona afgane”.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha se ishte "e rëndësishme që Afganistani të stabilizohet", raporton AFP.























































