LAJMI I FUNDIT:

Përfundon seanca në Hagë, gjykimi i Mustafës vazhdon nesër me pyetjet e avokatit

Përfundon seanca në Hagë, gjykimi i Mustafës vazhdon nesër me pyetjet e avokatit

E plotësuar: Dëshmitari i parë kundër Salih Mustafës në Hagë ka thënë se nuk e mban mend ditën kur thotë se është marrë nga disa persona që i janë prezantuar si pjesëtarë të UÇK-së, por ka deklaruar se është liruar me datë 18 që sipas tij ishte dita kur kishte nisur ofensiva në Zllashë.

Pjesa e tretë e seancës së sotme ku është mbajtur gjykimi në rastin e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është zhvilluar me pyetjet nga ana e avokatit të Mustafës.

Dëshmitari është përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes rreth ditës kur ai pretendon se është marrë nga disa persona, dhe për qëndrimin në Zllashë.


“E lidhi atë datë se me 18 ka ra ofensiva, për atë e di. Ka qenë në Zllashë ofensiva, në Zllashë më 18 dhe na kanë liruar, dhe na kanë liruar shkaku i ofensivës. Na liruan, na thanë ikni se ofensiva ra…Unë nuk e kam parë ofensivën, por na kanë thënë aty kur kemi dalë jashtë, ikni se ofensiva ra e nuk dimë na kah të shkojmë”, ka thënë dëshmitari.

Avokati i Mustafës, Julias Von Bone ka pyetur dëshmitari nëse e ka parë ofensivën dhe sa kohë i është dashur që të arrijë në vendin e tij të banimit.

“Mu kanë dashur krejt diku 5-6 orë krejt… Kam harruar, më duket në orën 11:00 ka qenë (kur na kanë liruar)”, ka thënë dëshmitari.

Ndërsa për momentin e ndalimit, dëshmitari ka thënë se personat i janë prezantuar si policë ushtarakë dhe ka theksuar se i kanë thënë që të shkojë me ta deri në Zllashë meqë kanë diçka të bisedojnë.

Dëshmitari ka thënë se e ka pasur kokën në thes që prej momentit kur e kanë futur në makinë.

Avokati Von Bone: Sa ka zgjatur udhëtimi

Dëshmitari: Me thënë nja 20 minuta, më shumë nuk u kanë.

Avokati Von Bone: Kush ta bëri këtë?

Dëshmitari: Ai personi me kapelë të kuqe

Avokati Von Bone: Nuk ishte ky ai që po ngiste kerrin, ky personi me kapelë të kuqe

Dëshmitari: Jo kerrin i ka grah tjetër kush, ky me kapelë të kuqe u kanë ulë aty bashkë

Avokati Von Bone: A mund të përshkruash atë njeri (me kapele të kuqe)

Dëshmitari: Tybe nuk di me ta parashkrua e kam pasur thesin në krye

Avokati Von Bone: Po nga e di ti që kishte kapelë të kuqe atëherë

Dëshmitari: E di kur ka ardhur kerri kam hy ne kerr, e kam pasur një minutë ose dy, e ka pasur një kapelë me uniformë ka qenë ai, edhe shoferi ka qenë me uniformë, më shumë nuk di.

Avokati: Për aq pak sa e pe, a mund ta përshkruash, arrin ta përshkruash?

Dëshmitari: Jo

Avokati Von Bone: Po shi, a ka ra ndonjë ditë?

—————

E plotësuar: Seanca e gjykimit ndaj Salih Mustafës është duke vazhduar, pas një pauze që kanë pasur. I akuzuari, Salih Mustafa është lejuar  t’i ndjekë seancat e gjyqit përmes videolidhjes.

Kjo është vendosur nga Gjykata, duke u bërë me dije se Mustafa mund të konsultohet me avokatin apo të flasë në këtë formë.

“Kjo nuk dëmton procesin e z.Mustafa që të marrë pjesë në secilën seancë”, ka shtuar gjyqtarja.

Aktualisht dëshminë e tij është duke e vazhduar dëshmitari i parë në këtë rast.

Ai po merret në pyetje nga avokati i Mustafës, Julious Von Bone.

Në momentin kur avokati Bone ka pyetur dëshmitarin nëse kishte qenë ndonjëherë në Zllash, seanca për pak sekonda është mbyllur për publikun.

“Nga Zllashi kur kom shkuar në Prishtinë mu kanë dashtë 5-6 orë, sepse kam qenë i lënduar kam shkuar duke pushuar nuk kam mundur me ecë”, ka rrëfyer dëshmitari.

Avokati Von Bone ka kërkuar nga dëshmitari të përshkruaj Zllashin.

“E keni pa në fotografi çfarë shpija ka pas aty, nuk ka pas njerëz. Nuk është vend i madh shumë i vogël është”, ka thënë dëshmitari.

Avokati ka pyetur nëse gjatë tërë kohës kur është rrëmbyer dëshmitari ka pasur në kokë qesen e zezë. Dëshmitari është përgjigjur me “Po”.

Von Bone ka pyetur se sa ka zgjatur rruga pas rrëmbimit, dëshmitari ka thënë se “pak a shumë nja 20-30 minuta me kerr”.

Dëshmitari më tej ka rrëfyer se pasi është dërguar në ahurin e një shtëpie në Zllash ati i është hequr qesja e zeze nga koka.

“Pastaj ma kanë heq qesen dhe më kanë rrahur, më kanë thyer dhëmbët dhe ma kanë vendos sërish qesen”, ka treguar dëshmitari.

I pyetur nga avokati se kush ishte ai që e rrahu, dëshmitari tha: “personi me kapele të kuqe”. 

—–

Mustafa nuk ndjehet mirë, kërkon të mos jetë i pranishëm në sallën e gjyqit

E plotësuar: Pas pushimit të drekës trupi gjykues do të njoftojë për vendimin që ka marrë lidhur me kërkesën e të akuzuarit Salih Mustafa, për mos qëndrimin e tij në sallën e gjyqit derisa dëgjohen dëshmitarët.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa po kërkon që mos të jetë fizikisht i pranishëm në seancë gjatë gjykimit të tij.

Këtë kërkesë e ka përsëritur sot përmes avokatit të tij Julius Von Bone, i cili ka theksuar vështirësitë dhe stresin me të cilin po përballet Mustafa.

“Pyetja që kam është kjo, siç thash sot në mëngjes, e filluam me këtë situatën lidhur me zotin Mustafa, ai preferon të kthehet në qendrën e paraburgimit duke pasur parasysh vështirësinë dhe stresin për shkak të shumë faktorëve, e diskutuam sot paradite, por njësoj si dje, dje gjatë pashmit të drekës e paraqita këtë kërkesë, preferoj ta përmend tani këtë çështje dhe jo gjatë pushimit të drekës që të evitojmë çdo vonesë për fillim të seancës dhe po ju pyes a është e mundur apo jo pavarësisht nga fakti që nuk ka një vendim procedural për atë që diskutuam sot paradite në përgjithësi, kjo është diçka që u kërkua jo vetëm për seancën sot pas drekës ku është e qartë që zoti Mustafa të mund të kthehet në qendrën e paraburgimit”, ka thënë avokati i Mustafës.

Nga gjykatësja është thënë se një vendim të tillë do ta bëjnë të ditur pas pushimit të drekës.

Gjykimi i Mustafës do të vazhdojë sot me pyetjet e avokatit të tij për dëshmitarin e parë në këtë proces, i cili po dëshmon nën masa mbrojtëse të sigurisë duke mos iu bërë i ditur identiteti.

Në anën tjetër, vet Mustafa në fillim të seancës e ka kërkuar fjalën ku ka thënë se kohët e fundit po përballet me stres por me të nisur të numërojë faktorët për këtë gjendje, seanca ka vijuar e mbyllur për publikun.

Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte dhe kundër njerëzimit.

Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm./kp/

—-

Vazhdon gjykimi ndaj Mustafës, dëshmitari: Nuk dua të përmend emrin e të akuzuarit asnjëherë

E plotësuar: Po vazhdon gjykimi në rastin e Salih Mustafës në Dhomat e Specializuara në Hagë ku po dëgjohet dëshmitari i parë i cili është pyetur sot nga prokurori rreth objektit se ku pretendon të jetë mbajtur me urdhër të ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa.

Fillimisht dëshmitari ka deklaruar se kur ai dhe personat e tjerë, të cilët thotë se janë mbajtur në një objekt në Zllashë, janë liruar nga aty, ai ka qenë i përqendruar vetëm te largimi nga aty dhe nuk ka arritur të shikojë se ku ndodhet apo të identifikojë objektet përreth.

Prokurori Cezary Michalczuk i ka treguar disa fotografi dëshmitarit ku ai më parë kishte shënjuar objektin në të cilin pretendon se ka qëndruar.

“Kur kam dalë prej aty kam parë shumë njerëz, në oborr jashtë edhe më veç kemi këqyr me ikë kah kemi mundur, kemi pas frikë se po na kthejnë brenda po na mbajnë, as nuk kam këqyr shtëpi as nuk më ka interesuar kurrgjë hiç, veç më ka interesua jeta ime qysh me shpëtua…Ka qenë gjendje lufte, askujt nuk i ka interesuar për askënd dhe secili ka këqyr për vete sa më shpejtë me ikë, me u fsheh, se atë ditë që kemi dalë ka qenë ofensiva”, ka deklaruar dëshmitari.

Prokurori ka thënë se dëshmitari në vitin 2006 në një deklaratë për UNMIK-un dhe pastaj në deklaratat të tjera dhënë prokurorit në vitin 2019 dhe 2021 kishte shënjuar ndërtesën që sipas tij ka qëndruar.

“E kuptoj, por njëkohësisht edhe sot, edhe në vitin 2006 kur ja kë dhënë deklaratën UNMIK-ut, por edhe në vitin 2019 kur i ke dhënë deklaratë prokurorit, por edhe në vitin 2021 më herët këtë vit kur ke dhënë tjetër deklaratë, ti ke thënë se kjo ishte ndërtesa ku të kanë mbajtur dhe ne duam të dimë nga e di ti që kjo ishte ndërtesa ku të kanë mbajtur”, ka pyetur prokurori.

Siç ka deklaruar dëshmitari, ai ka arritur të shoh pak përreth.

“Normal e di, se unë nuk kam këqyr krejt por kam këqyr pak që me ditë ku kam qenë”, ka thënë dëshmitari.

Në këtë seancë, prokurori i ka treguar një skicë dëshmitarit, që gjithashtu nuk ishte e hapur për publikun, në të cilën u tha se dëshmitari kishte shkruar emrin e personit që e ka mbajtur, që sipas tij është i akuzuari.

Prokurori Michalczuk:  Dua që tani të flasim për pjesën tjetër të këtij vizatimi, çfarë emri ka në të majtë të këtij vizatimi?

Dëshmitari: Valla s’po di, s’po më kujtohet fort.

Michalczuk: Ky vizatim ka disa gjëra aty brenda kështu që shiko majtas në vizatim, pjesën e poshtme, qoshen poshtë, çfarë emri ke shkruar ti aty, cili është emri?

Dëshmitari: Nuk po mundem me kuptua.

Michalczuk: Mbase nuk të kujtohet por vizatimi është i yti por në pjesën e poshtme poshtë majtas ke shkruar një emër, a e lexon atë emër aty, cili është ai emër?

Dëshmitari: Ky është emri i të akuzuarit, emrin e di, por nuk mundem me ja përmend as nuk dua me ja përmend në jetë.

Ndërsa prokurori ka thënë se në skicën e bërë nga dëshmitari është shënuar emri i Fatmir Sopit dhe i të akuzuarit.

“Këtë vizatim e ke ndarë në dysh, nga ana e djathtë ke shkruar aty Fatmir Sopi dhe në anën tjetër siç e the është emri i të akuzuarit”, ka thënë prokurori.

Dëshmitari ka thënë se ka lëndime në kokë e në duar për çka tha se edhe është operuar, andaj sipas tij, ai nuk mund të punojë dhe kërkoi dëmshpërblim nga gjykata.

“Jam i lënduar në tre vende. Nuk mundem me punua asgjë në jetë, edhe nga kjo gjykatë kërkoj dëmshpërblim, kam nevojë”, ka thënë ai.

—-

Dëshmitari: Dy persona pasi më kanë rrahur më kanë dërguar në dhomë, nuk e di kush janë skifterat

E plotësuar: Dëshmitari W03593 është duke vazhduar të japë dëshminë e tij në gjykimin ndaj ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa.

Akutalisht dëshmitari është duke u marrë në pyetje nga ana e Prokurorit të ZPS-së.

Dëshmitari ka thënë se dy persona e kanë marrë dhe e kanë dërguar në një dhomë pas rrahjes.

“Dy persona më kanë marrë e më kanë qu në dhomë prapë pas rrahjes, kush kanë qenë nuk e di”, ka thënë dëshmitari.

Disa nga pyetjet e Prokurorit dhe përgjigjet e dëshmitarit:

Prokurori: A të kujtohet kush ju dha urdhër këtyre personave që të kthejnë në dhomë?

Dëshmitari: Ai që më ka rrah ai ka dhënë urdhër.

Prokurori: A e kupton se çfarë domethënie ka fjala skifter?

Dëshmitari: Nuk e di kush janë skifterat nuk marr veshë unë në atë punë…

Prokurori: A lidhet fjala skifterët me të akuzuarin?

Dëshmitari: Unë në atë kohë nuk kom dit, ma vonë e kom ni tu i përmend që ata kanë qenë skifterat. Në qatë vendin që më kanë mbajtë më vonë e kom kuptu që qata kanë qenë skifterat…

Prokurori: Ti the se ata ishin skifterë, e ke fjalën për njerëzit në Zllashë ku të mbanin ty?

Dëshmitari: Po.

Prokurori: A e ke këtë fotografi, çfarë tregon kjo fotografi? (prezantohet fotografia e vendit në Zllashë ku pretendohet se janë kryer krimet)

Dëshmitari: Po ma merr mendja është vendi ku mu më kanë mbajt aty poshtë në podrum

Prokurori: Është ai vendi në Zllash ku të kanë mbajt, këtë po thua? A mund ti thuash gjykatëses se cilën nga këto tri ndërtesa të kanë mbajtur?

Dëshmitar: Qajo që po shihet dy kat e ka podrumin poshtë, unë kom nejt në podrum.

Prokuroi: E ke fjalën për ndërtesën në krahun e djathtë? Po thu që të kanë mbajt në podrum të kësaj ndërtesës?  Dje keni thënë se keni  dëgjuar britma, a mund të tregoni se a është ky vendi ku keni dëgjuar britma?

Dëshmitari: Me fol drejt, sytë i kam pasur të mbyllur skom mujt me pa kurgjo, me siguri ai vendi nalt është. /Telegrafi/

—-

Fillon dita e tretë e gjykimit ndaj ish-komandantit të UÇK-së, Mustafa: Kohëve të fundit jam në stres

Në Hagë ka nisur seanca e tretë në gjykimin e ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa.

Me të nisur seanca, Mustafa ka kërkuar fjalën nga gjykatësja Mappie Veldt-Foglia që të marrë fjalën. Mustafa u shpreh se kohëve të fundit është në stres.

“Që në fillim po ju them se as dëshira ime as qëllimi im nuk është që të mos ju respektojë ju dhe panelin e kësaj gjykate por as zonjën avokate që është ulur atje përballë, sepse nuk është në bindjen e as kulturën time Kohëve të fundit më është shkaktuar një stres, dhe kjo po vie si pasojë e disa faktorëve të ndryshëm”, ka thënë Mustafa.

Në momentin kur Mustafa ishte duke vazhduar fjalimin e tij, dhe po thoshte se pas 12 muajve paraburgim… u ndërpre transmetimi live nga seanca për shkak “të përmbajtjes së redaktuar”.

Pas kësaj gjykatësja Mappie Veldt-Foglia kërkoi nga sekretaria që të shkonin në seancë private e cila është duke vazhduar në këtë formë.

Mustafa të hënën nuk ka dashur të jetë prezent gjatë dëshmisë së dëshmitarit të parë, derisa gjyqtarja Mappie Veldt-Foglia ka urdhëruar që ai të jetë prezent sot.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte dhe kundër njerëzimit, dhe u dërgua në objektin e paraburgimit në Hagë.Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat ndaj tij.

KËTU mund ta përcjellni live seancën gjyqësore ndaj Salih Mustafës. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Kronika e Zezë
Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Lajme
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Tragjedi në Prizren: I bie profili i metalit në kokë, punëtori humb jetën gjatë renovimit të një ndërtese

Tragjedi në Prizren: I bie profili i metalit në kokë, punëtori humb jetën gjatë renovimit të një ndërtese

Kronika e Zezë
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Kalo në kategori