LAJMI I FUNDIT:

Filloi rregullimi i rrugës që do të jetë në shërbim të bujqve

Filloi rregullimi i rrugës që do të jetë në shërbim të bujqve

Ka filluar hapja dhe rregullimi i rrugës Malishevë-Carrallukë, e cila kalon përgjatë tokave bujqësore, përkatësisht në ish vreshtarinë dhe kjo rrugë do të jetë tërësisht në shërbim të bujqve të cilët i kanë plantacionet e tyre të kultivimit të pemëve.

Punimet në këtë rrugë, i ka parë nga afër edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, ndërsa ka thënë se “komuna është e përkushtuar për krijimin e kushteve për bujqit malishevas”.

Nënkryetari Berisha, i cili ka qenë i shoqëruar edhe nga drejtori i urbanizmit, Islam Vrenezi, i kanë parë nga afër punimet në hapjen dhe përgatitjen e kësaj rruge, e cila do të jetë tërësisht në shërbim të bujqve, të cilët i kanë tokat dhe plantacionet e tyre në këtë hapësirë.


“Komuna e Malishevës, është e përkushtuar në krijimin e kushteve sa më të mira, për të gjithë fermerët malishevas, e në veçanti për kultivuesit e perimeve, por edhe atyre që e mbjellin tokën me kultura tjera”, ka thënë nënkryetari Berisha. “Kjo është njëra prej hapësirave më të mëdha, ku shumë fermer i kanë pronat e tyre, por deri më tani janë përballur me mungesë të infrastrukturës rrugore, prandaj kemi paraparë që të investojmë në këtë rrugë, e cila është një zgjidhje e mirë dhe shumë domethënëse për të gjithë bujqit”, tha Berisha.

Ndërsa drejtori i urbanizmit, Islam Vrenezi, tha se “rruga ka një gjatësi prej afro tri kilometrave, duke filluar nga Malisheva dhe përfundon në Carrallukë”.

Sipas tij, do të bëhet hapja dhe zgjerim i kësaj rruge, si dhe përgatitja e rrugës për qarkullimin e mjeteve bujqësore dhe mjeteve tjera. /Telegrafi/