Pjesëtarët e komunitetit turk sot festojnë 23 Prillin - Festën Kombëtare të Turqve të Kosovës. Për nder të kësaj dite është organizuar edhe programi festiv kulturor, që sipas njoftimit të Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) do të shpaloset sonte në Shtëpinë e Kulturës në Prizren.

“Si komunitet i turqve të Kosovës, me krenari e përkushtim po e festojmë edhe këtë vit Festën Kombëtare të Turqve të Kosovës – 23 Prillin, duke ruajtur dhe promovuar gjuhën, kulturën dhe vlerat tona. Të mërkurën, më 23 prill 2025, në ora 19:00, ju ftojmë të gjithëve në Shtëpinë e Kulturës në Prizren, për të marrë pjesë në programin festiv që do të organizohet me këtë rast”, thuhet në njoftimin e KDTP-së, raporton Telegrafi.


Sipas këtij subjekti politik, në këtë datë të veçantë, do të përçohet uniteti, kultura dhe vëllazëria përmes performancës së Njësisë Mehteran nga Ministria e Mbrojtjes së Turqisë, pastaj koncerti dhe shfaqjet folklorike të SHKA “Doğru Yol” si dhe paraqitjen e Korit të Grave “Zübeyde Hanım”. /Telegrafi/