LAJMI I FUNDIT:

Feja dhe përgjegjësia e bartësve të saj

Feja është bindja shpirtërore e individit në një fuqi Absolute – Zot – të cilën ai ose ajo e manifeston përmes adhurimit dhe veprimeve konkrete fetare në jetën e tij. Kjo bindje është e drejtë e çdo njërit, e garantuar nga Zoti, por edhe me ligjet e njeriut të sotëm të qytetëruar e bashkëkohorë. Historia mbi njeriun deri më sot nuk ka regjistruar bashkësi njerëzore, e cila nuk ka pasur një formë të besimit në një fuqi, të cilën e ka konsideruar si prurëse e të mirave ose të këqijave për njeriun dhe natyrën në përgjithësi. Besimet në fenomene natyrore ose në zota të krijuar nga imagjinata dhe nga duart e njerëzve, janë quajtur dhe quhen edhe sot besime politeiste, ndërsa në terminologjinë fetare si fe të shpikura ose tokësore, kurse besimet që njohin libra hyjnore dhe të dërguar të Zotit quhen besime qiellore – hyjnore dhe monoteiste.

Shqiptarët janë pasues të tri besimeve kryesore monoteiste dominonte në botë: të krishterë – katolikë dhe ortodoksë, si dhe myslimanë. Pjesëtarët e kombit tonë, shumica e tyre i takojnë besimit Islam, fe të cilën e përqafuan shekuj më herët. Shkolla dominonte fetare e Islamit tek ne është kryesisht sun-nite, si dhe ajo e tarikateve dhe misticizmit. Kultivimi i mësimeve fetare në trojet tona, në përgjithësi ka pasur baticat dhe zbaticat e veta, të cilat shpeshherë i kanë determinuar rrethana të caktuara gjeopolitike dhe gjeostrategjike, që janë dizajnuara nga forcat mbizotëruese të kohës.

Kombi ynë është mburrur gjatë dhe po vazhdon të mburret për tolerancën dhe respektin e ndërsjellët ndërfetar mes qytetarëve të vet. Ky element i rëndësishëm, i cili buron nga thellësitë e shekujve, është konsideruar si alfa dhe omega për mbijetesën e kombit tonë dhe shpëtuese nga kthetrat e shumë armiqve tanë shekullor – rrugë e cila duhet të vazhdojë së ndjekuri edhe në të ardhmen, ngase bashkëjetesa dhe respekti e toleranca fetare ndërshqiptare janë shtylla pa të cilat kombi ynë nuk mund të ketë mirëqenie e as ekzistencë.

Përgjegjësia për ruajtjen e kësaj vlere fetare dhe kombëtare, në rend të pare bie mbi të gjithë prijësit fetare të të gjitha komuniteteve fetare, pa dallim, por edhe mbi institucionin shtetëror. Çdo prijës fetar duhet të jetë i kujdesshëm në misionin e tij shpirtëror, sepse fjala e tij bartë edhe peshën dhe përgjegjësinë publike. Prandaj, maturia në dhënien dhe shpalosjen e vlerave fetare duhet të jetë në funksion dhe e aktivizuar në mënyrë permanente. Një fjalë e urtë e literaturës së hershme islame thotë: “Gjëja e ditur nuk citohet gjithmonë (vakët e pa vakët)”!

Për të qenë në rrugën e Zotit dhe jo në dëm të askujt, organizimi fetar shqiptar duhet të jetë autokton, i kultivuar dhe i organizuar nga vet ne. Sot, si kurrë më parë në mesin e shqiptarëve, ka studiues të mjaftueshëm të fesë dhe të filozofisë së saj, të cilët janë të aftë për të kryer misionin e tyre me nder ,e dhe profesionalizëm, pa pasur nevojë për tutor ose mësues të jashtëm. Si shoqëri e hapur dhe demokratike, nuk mund të jem të izoluar nga bota dhe ndryshimet e saja globale, por as edhe nga idetë dhe ideologjitë e reja. Mirëpo, ajo që ne mund të bëjmë është që të tregohemi të kujdesshëm në pranimin dhe mos pranimin e asaj që është në dëm tonin, e cila jo rrallë na servohet nën petkun e fesë, pas së cilës fshihet prapavijë dhe tendencë e cila dëmton unitetin tonë të përgjithshëm fetar – afatshkurtër dhe afatgjatë.

Duhet të jemi si bleta e cila kalon qindra e mijëra lule, mirëpo thith vetëm nektarin e pastër të tyre. Frymët dhe rrymat intolerante, të cilat së fundi po zhvillohen edhe në emër të fesë, kudo në botë, nuk janë në interes të fesë së vërtetë e as në interes të popujve. Kujdesi ndaj çdo elementi të tillë duhet të jetë në maksimum, e në rend të parë nga prijësit e fesë, të cilët janë të thirrur që të predikojmë në emër të saj. Liria fetare nuk nënkupton edhe keqpërdorimin e saj për të realizuar interesa jo të fesë, si dhe për të krijuar huti e turbullira në mesin e besimtarëve në emër të bajraktarizmit dhe liderizmit .

Libri hyjnor Kur`ani, në mënyrë imperativi tërheq vëmendjen për të gjithë ne, se në fe nuk ka dhunë dhe se në emër të saj nuk lejohet intoleranca, vrazhdësia, dhuna apo ekstremizmi.

”Në fe nuk ka dhunë. Është sqaruar e vërteta nga e kota“ ( Kur`an : 2:256 ).

Shqiptarët dhe prijësit fetarë të tyre, pa dallim, tradicionalisht i kanë pasur vijat e qarta të pasimit të fesë dhe vlerave të saj. Nëse dikush sot mendon se ka aftësi më të mëdha se prijësit tanë fetarë shqiptarë, të para një shekulli ose gjysmë shekulli, e ka më shumë se gabim! Prijësit myslimanë, karshi bashkëkombëseve të tyre të krishterë, gjithnjë kanë zbatuar e fjalën e Zotit.

“Ju keni fenë tuaj dhe ne kemi fenë tonë” ( Kur`an: 109:6).

Gjuha e urrejtjes, e anatemimit, e përçarjes dhe segregacionit, nuk është në interes të vet komunitetit fetar, gjegjësisht të ithtarëve të saj, por as në interesin e përgjithshëm dhe të gjithmbarshëm njerëzor. Feja dhe bindjet e askujt nuk bën të fyhen.

“Ju mos ua shani ata (zota) që u luten (idhujtarët), pos Zotit, e (si hakmarrje) të fyejnë Zotin nga armiqësia, duke mos ditur (për madhërinë e Tij)…” ( Kur`an 6:108).

Ftesa dhe thirrja e cila i bëhet dikujt në emër te fesë, duhet të jetë e mbështetur mbi forcën e arsyes dhe argumentit, ndërsa polemika, dialogu dhe diskutimi, me të gjithë ata të cilët i takojnë bindjeve të tjera fetare, duhet të jetë në shkallën më të lartë të mirësjelljes, tolerancës dhe respektit, konform porosisë së librit hyjnor.

“Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira. Zoti yt është Ai që e di më së miri atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai di më së miri për të udhëzuarit” ( Kur`an : 16:125).

Prijësit fetarë myslimanë, si shumicë që janë në mesin e kombit tonë, sot e kurrë nuk duhet të fusin pyka ndarëse në komunitetin e tyre fetar në emër të fesë, e as ndaj të tjerëve, duke marr për model ideolog të jashtëm të vendeve të cilët nuk i njohin rrethanat dhe kontekstin shoqëror dhe hapësinor të vendit dhe kombit tonë. E të njëjtën gjë nuk duhet ta bëjnë as prijësit fetarë të komuniteteve të tjera fetare shqiptare.

Ajo që duket më së shumti brengosëse tek shumë prijës tanë të sotëm, në të gjitha anët ku banojnë shqiptarët, pa ndarje të kufijve, është zëvendësimi i argumentimit rrënjësor dhe fondamental me atë sipërfaqësor dhe dytësor gjatë ligjërimit dhe adresimit të tyre para masës së gjerë të besimtarëve dhe opinionit.

Vitet e fundit, në emër të Islamit, qindra uebsajte e adresa të facebookut janë krijuar nga njerëz të ndryshëm në emër të fesë. Asnjëri nuk është i koordinuar me tjetrin. Çdo njëri plason dhe shpërndanë ide e mendime në emër të fesë, pa asnjë recensim dhe redaktim profesional, thuajse nuk kemi të bëjmë me të njëjtën fe , por me më shumë se një!

Prandaj, edhe si epilog i tyre shihet se dëmi është dukshëm më i madh se sa dobia, për të cilën kanë mundur të pretendojnë themeluesit e tyre. Sepse, hutia dhe paqartësitë rreth fesë, jo që janë larguar e zvogëluar, por përkundrazi janë rritur e shtuar më shumë.

Kësaj paqartësie i kanë ndihmuar edhe shumë individë “ intelektualë”, të cilët nuk e kanë pasur dhe nuk e kanë fenë studim parësor; që janë lëshuar në shpjegimin e fesë për të përfituar materialisht, ngjashëm sikurse njëri nga mesi i prijësve fetarë të shpjegojë mbi inxhinierinë e ndërtimtarisë ose të arkitekturës apo gjinekologjisë – pa i studiuar ato! Baballarët dhe gjyshërit tanë thoshin: ”Kur dini (feja) bëhet dinar ajo më nuk është fe“, e që do të thotë se kur feja kultivohet zhvillohet në emër të interesit material, ajo më nuk është fe e zemrës dhe e shpirtit, por e interesit material ose politik, e devijuar nga binarët dhe fondamentet bazike të sajë.

“Ju pyetni, filani ju përgjigjet”, është motoja e facebookut të disa prijësve fetarë në kohët e fundit, si dhe motoja tjetër: “Të përfitojmë nga filani”!

Të tilla adresa janë shumëfishuar së fundi në mënyrë drastike. Asnjëri prej tyre nuk ka unifikim të mendimeve dhe qëndrimeve fetare. Gjithsecili pretendon se di më shumë se tjetri, duke bërë edhe gara për më shumë like në faqen e facebookut të tij!

Si rezultat i kësaj dukurie të lehtësuar përmes kibernetikës, është krijuar një huti dhe paqartësi e panevojshme në emër të fesë. Kjo që po ndodhë , me shumë kompetencë shkencore, mund të konkludohet se autorët e tillë të këtyre faqeve, në këtë formë të veprimit të pakoordinuar, e kanë dëmtuar dhe po e dëmtojnë imazhin e vërtetë të vet fesë, sepse me ose pa vetëdije, ata janë duke e dobësuar trungun e përgjithshëm të komunitetit fetar mysliman, të cilët me “fetvat” e tyre ditore kontradiktore po e copëtojnë dhe po e dëmtojnë atë, ditë e për ditë më shumë.

Në mungesë të organizimit të seminareve, konferencave dhe takimeve të tjera shkencore dhe edukative të rregullta, nga ana e qeverisësve të komuniteteve fetare, për të vetëdijesuar dhe edukuar kuadrot e tyre, është krijuar hapësirë ndaj çdo njërit, si prijës fetar, që në mënyrë vetanake dhe të pavarur t`i qaset fesë dhe kultivimit të saj duke mos dhënë përgjegjësi askujt.

Kjo neglizhencë e institucioneve fetare zyrtare, e ka hapur derën e bisedave dhe debateve, shpeshherë edhe të nxehta, qoftë në rrugë, në institucione e në ndenja private, si dhe kudo tjetër. Kush e ka thënë këtë mendim fetar? Cili prijës fetar? Ku është bazuar etj., janë vetëm disa nga pyetjet e qytetarëve të hutuar nga gjithë këto vërshime të mendimeve të ndryshme e laramane në emër të fesë.

Pse ky jo unifikim i cili është në kundërshtim me fjalën Zotit: “Dhe respektojeni All-llahun e të dërguarin e Tij, e mos u përçani mes vete, e të dobësoheni e ta humbni fuqinë” ( Kur`an 8:46 ).

Në ditën e gjykimit, ne asnjëri nuk do të pyetemi se sa kemi qenë dhe pse kemi qenë dëgjues të mirë të një prijësi të caktuar të sotëm fetar, ose të një autori të caktuar të ndonjë doktrine ose ideologjie fetare, por sa kemi qenë nënshtrues dhe përkushtues të devotshëm e të vërtetë të fjalës së Zotit (Tekij) në përgjithësi. Sa kemi qenë të besës; sa kemi qenë solidar bashkëpunëtor me njëri tjetrin; sa kemi qenë të drejtë dhe të kujdesshëm në mos cenimin e pasurisë, nderit dhe moralit të njëri tjetrit; si i kemi trajtuar jetimët, të varfrit dhe të mjerët; si jemi sjellë me prindërit tanë, fqinjët tanë; sa kemi qenë të drejtë në gjykimin e njëri tjetrit; pse kemi bërë padrejtësi, nëse kemi bërë ndaj të pafuqishmëve dhe atyre të pa krah; pse e kemi përvetësuar pasurinë e njëri-tjetrit padrejtësisht; pse nuk jemi treguar të mëshirshëm e të përshpirtshëm ndaj qenies njeri pa dallim; sa kemi qenë të moralshëm dhe të virtytshëm; sa kemi punuar për bashkimin dhe vëllazërimin e njerëzve; sa jemi kujdesur për lirinë, sigurinë dhe mirëqenien e njëri tjetrit; pse kemi mbytë e vrarë njerëz të pafajshëm; pse kemi krijuar huti, turbullira e përçarje…

Besimi gojor dhe teorik, jo i ngulitur drejtë në shpirt, i zhveshur nga normat e etikës morale dhe humane, është besim gjysmak dhe i rrejshëm. Shpirti që ka drojën e vërtetë në Zotin, nuk mund të jetë prijatar i të keqes, i përçarjeve, nxitës dhe vrastar i njerëzve të pafajshëm dhe të pa fuqishëm. Fjala hyjnore i drejtohet arsyes dhe logjikës së shëndosh të njeriut, prandaj çdo veprim jo i arsyeshëm dhe jo human është në kundërshtim edhe me fenë e mësimet e saja të mirëfillta. Ndërsa, si konkludim vlen të përmenden dy nga thëniet e Muhammedit a.s:

1. “Vërtetë feja është e lehtë, kushdo që mundohet të e shtrëngojë (komplikojë) atë, do të jetë i humbur! Renditni radhët, afrohuni mes vete, përgëzojeni njëri-tjetrin ( me fjalë të mira e të buta)”.

2. “Të shkatërruar janë ata të cilët e teprojnë me shtrëngime (në çështje të fesë dhe te dynjallëkut, pra që janë teprues në lejime dhe ndalime).

Përgjegjësia për t`i prirë drejtë dhe mirë vlerave fetare, sipas renditjes, bie tek ne myslimanët në rend të parë si komunitet shumicë që jemi në mesin e shqiptarëve, mirëpo e njëjta përgjegjësi vlen edhe për të gjitha komunitetet tjera fetare që janë pjesë e kombit tonë. Provokimet, ngacmimet ose tendencat për të fyer bindjet fetare të njëri-tjetrit, duke ndarë një gjuhë, një kulturë dhe një traditë të përbashkët, nuk duhet lejuar që të zënë vend në mesin tonë.

Me myslimanët, kudo që janë, ndajmë fenë e përbashkët, por me shqiptarët të cilësdo përkatësie fetare ndajmë gjakun, tokën, dheun dhe atdheun tonë të përbashkët!

Vetëm të bashkuar, tolerant dhe respektues të njërit-tjetrit, do të kemi edhe ndihmën e
Zotit. Kurse, të ndarë e të përçarë, mos dhashë Zoti, do të gëzojmë e ndihmojmë vetëm djallin dhe armikun tonë!