Federata premton të befasojë me Përfaqësuesen “A”
Ndërkohë, kryetari i FBK-së, Erolld Belegu ka shtuar se në bashkëpunim me Arben Krasniqin po punojnë që të kenë në dispozicion ekipin më të fortë të mundshëm për këto eliminatore, të cilat do të jenë të parat për Përfaqësuesen A të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.
Është zbuluar se Krasniqi do të jetë përzgjedhës i Kosovës dhe fillimisht do të ketë mandat për këtë cikël eliminator (shkurt-tetor), me mundësi vazhdimi për më tutje në rast se Kosova kualifikohet për pjesëmarrje në evropianin që do të mbahet vitin tjetër.
Shorti për kualifikimet e "Eurobasketit 2017" do të tërhiqet javën tjetër, më datën 22 janar në Munih ku do të jenë të pranishëm edhe zyrtarët e FBK-së.
"Jemi të gatshëm për këto kualifikime. Madje, do t'iu befasojmë këndshëm", ka thënë Hoxha, duke shtuar se të gjitha detajet do të zbulohen, pasi të mësohen kundërshtarët e kualifikimeve për evropian. "Më 24, eventualisht më 25 janar, do t'i japim të gjitha detajet sa i përket ekipit dhe gjithashtu do ta zyrtarizojmë Arben Krasniqin si përzgjedhës dhe shtabin teknik në përgjithësi. Edhe lista e ekipit do të jetë e gatshme që kryesisht do të përbëhet prej lojtarëve të Superligës së Kosovës".



















































