FC Shkupi ka zyrtarizuar një nga marrëveshjet më të rëndësishme në historinë e klubit, duke hyrë në partneritet me “Royal Business Council” nga Emiratet e Bashkuara Arabe – një hap strategjik që synon ngritjen e klubit në nivelet më të larta të futbollit ndërkombëtar dhe zhvillimin e të rinjve në rajon, njofton Telegrafi.

Marrëveshja u nënshkrua nga presidenti i “Royal Business Council”, Dr. Süleyman Tasci, dhe presidenti i FC Shkupit, Yasin Konyali, duke hapur rrugën për investime shumëdimensionale në fushën e sportit, edukimit dhe diplomacisë ndërkombëtare. Sipas njoftimit, kjo nuk është një marrëveshje sponsorizimi, por një projekt vizionar që përfshin ndërtimin e akademive profesionale, shkëmbime kulturore dhe sportive, si dhe krijimin e një rrjeti ndërkombëtar klubesh vëllazërore.


“Ky është një moment historik për klubin tonë. Në vitin 2027, kur FC Shkupi do të festojë 100-vjetorin, synojmë të jemi klub modern me strukturë të qëndrueshme dhe prezencë në arenën ndërkombëtare. Kjo marrëveshje është çelësi i asaj ëndrre,” deklaroi presidenti Konyali.

Në kuadër të këtij partneriteti do të ndërtohet një akademi futbolli në Shkup, do të ofrohen bursa për lojtarët e rinj dhe do të zhvillohen programe të trajnimit për trajnerët dhe stafin teknik në bashkëpunim me qendra në Dubai, Doha, Riad dhe Abu Dhabi.

Ndërkohë, në një zhvillim tjetër të rëndësishëm brenda klubit, FC Shkupi ka njoftuar zyrtarisht përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin turk Alpaslan Erdem. Pas një serie rezultatesh të dobëta dhe humbjes së fundit ndaj Vardarit në Çair, Erdem largohet nga drejtimi i skuadrës, vetëm shtatë muaj pas emërimit.

“Jemi thellësisht mirënjohës për punën dhe profesionalizmin e tij gjatë kësaj periudhe dhe i urojmë suksese në rrugëtimin e ardhshëm,” thuhet në njoftimin e klubit.

Klubi nga Çairi po përballet me një sezon sfidues në elitën e futbollit vendor, por drejtuesit janë të bindur se partneriteti me “Royal Business Council” do të shënojë fillimin e një kapitulli të ri dhe transformues për FC Shkupin.

Ndërkohë mbëmë vonë FC Shkupi ka njoftuar se Alpaslan Erdem nuk është më trajner i klubit. Shkupi ndodhet në një krizë rezultatesh, ndërsa largimi i Erdemit vjen pas humbjes në Çair nga rivali i përbetuar Vardari. Strategu turk kishte marrë drejtimin e skuadrës së FC Shkupit para shtatë muajsh dhe kishte nënshkruar kontratë dyvjeçare, por aventura e tij në Çair përfundon para kohe. /Telegrafi/

telegrafi sport app