Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka ndarë çmimet në një ceremoni për sportistët dhe ekipet më të dalluara të vitit.
Në kategorinë e futsallit çmimi si ekipi më i mirë i vitit 2024 i takoi FC Prishtina 01, teksa lojtari më i mirë u shpall Drilon Maxharraj.
FC Prishtina 01 si kampion i Kosovës dhe fitues i Kupës së Kosovës në futsall, patën një sezon të mirë në garat vendore si dhe ato ndërkombëtare.
Klubi kryeqytetas ja doli që të kualifikohet në Elite Round të Ligës së Kampionëve, duke u bërë një nga 16 klubet më të mira në Evropë.
Sa i përket Drilon Maxharrajt, ai shfaqi disa aftësi të jashtëzakonshme teknike dhe taktike, duke kontribuar ndjeshëm në sukseset e ekipit të tij.
Maxharraj ka qenë një lojtar vendimtar në shumë ndeshje, duke treguar vazhdimisht cilësi të larta në lojë dhe duke ndihmuar ekipin e tij dhe Kombëtaren e Kosovës në futsall të arrijë objektivat e vendosura./Telegrafi/