FC Drita në zi, ndërron jetë në moshë të re zëdhënësja e klubit Elife Sherifi

FC Drita ka njoftuar me pikëllim të thellë ndarjen nga jeta në moshë të re të bashkëpunëtores së tyre, Elife Sherifi.
Në komunikatën zyrtare, klubi nga Gjilani thekson se Elifja ishte një profesioniste e shquar në fushën e gazetarisë dhe një adhuruese e madhe e klubit shumë kohë përpara se të merrte rolin e zëdhënëses.
Ajo e ushtroi këtë detyrë me përkushtim të lartë për më shumë se gjashtë vite, duke u bërë një figurë e rëndësishme brenda klubit.
“Puna, përkushtimi dhe dashuria e saj për klubin do të mbeten gjithmonë pjesë e kujtimeve tona”, thuhet në reagimin e FC Dritës.
Klubi ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Sherifi, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën, duke e cilësuar këtë si një humbje të madhe.
“Në këto momente të vështira, qëndrojmë pranë familjes dhe ndajmë dhimbjen me ta. Prehu në paqe, Elife Sherifi”, përfundon komunikata e klubit. /Telegrafi/





















































