LAJMI I FUNDIT:

Faza e re e krizës së vjetër greke

Faza e re e krizës së vjetër greke

Referendumi i ditës së dielë thelloi paqartësinë për krizën greke. Politikanët evropianë po flasin me gjuhë më të kujdesshme. Skenari i daljes së Greqisë̈ nga Eurozona është më afër se sa ishte të shtunën, para votimit. Për qytetarët që votuan ‘Jo’ masave shtrënguese, dalja nga zona euro është e keqja më e vogël. Për qytetarët që votuan ‘Pro’, Greqia po hyn në një fazë të re të krizës së vjetër. Ata kanë të drejtë të dyshojnë se një ‘Jo’ për eurozonën do të pasohet më vonë edhe me ‘Jo’ të tjera kundër Bashkimit Evropian.

Shumëçka është në pikëpyetje.


Struktura e ekonomisë greke bazohet mbi turizmin, ndërtimin, transportin detarë dhe bujqësinë. Sot që flasim, çdo i dyti rezervim për sezonin e pushimeve është anuluar. Në zonat turistike si Selaniku e Halkidiki banorët janë në ankth dhe tregu është depresiv.

Për Kosovën, ndikimi do të jetë jo i drejtpërdrejtë, por më i madh nga sa mendojmë. Greqia ishte në hartën e turizmit ndërkombëtar duke sjellë vizitorë edhe në vendet e tjera të Ballkanit. Kriza atje, ndryshe nga sa mendohet, nuk është bonus për shtetet bregdetare fqinje, por dekurajim i të huajve që në përgjithësi ta vizitojnë Ballkanin.

Shqipëria do tandjejë përmes sektorit bankar kthimin e shumë emigrantëve dhe rënien e remitancave. Çdo përkeqësim ekonomik do mund të shkaktojë turbulencë politike dhe sociale me thellimin e ekstremizmave dhe aleancave te reja gjeostrategjike joperëndimore në gjithë rajonin.

Deri sot janë bërë shumë analiza për burimin e krizës greke. Shkaktari kryesor është, si gjithmonë, keqmenaxhimi. Të gjithë kemi një ide se çka do të thotë keqmenaxhimi: përcaktim i gabuar i prioriteteve, lejimi i hapësirave për korrupsion, bilanc negativ i shpenzimeve në raport me të ardhurat, orientim i shtrembët i ekonomisë, mos planifikimi adekuat, jepja e privilegjeve të pamerituara individëve, komunikim joadekuat etj.

Nëse e krahasojmë shtetin me ndërmarrje private, kompania do të shkonte në falimentim nga keqmenaxhimi, punëtorët do të dilnin të papunë, investitori do të kthehej në shtëpi. Veçse shteti nuk është tamam si ndërmarrja private, sepse ai nuk është pronë e politikanëve dhe një popull i tërë nuk mund të dalë i papunë.

Prandaj, Greqia nuk duhet lënë të falimentojë. Sot borxhet përbëjnë 170 për qind të Bruto Prodhimit Vendor (BPV). Vetëm një rritje ekonomike dyshifrore do ta bënte të mundur shlyerjen e ngadalshme të tyre. Mirëpo, masat shtrënguese tkurrin ekonominë dhe zvogëlojnë të ardhurat nga tatimet. Eksportet bien, fuqia blerëse po ashtu, papunësia rritet, BPV bie kurse borxhet mbeten të njëjta – madje rriten.

Greqia ka mbërri në këtë gjendje që është. Çdo analizë për çka ka shkuar keq, duhet të përdoret për ta ndihmuar ekonominë dhe shoqërinë të përmirësojë funksionimin e saj të mëtutjeshëm.

Sot, Greqia nuk del dot nga kriza pa rinegociim dhe lehtësim të borxheve. Cilido që din diçka nga ekonomia, e kupton këtë të vërtetë. Populli grek ka nevojë për solidaritet. Po ashtu, Greqia nuk del nga kriza nëse përmbi 60 për qind e qytetarëve nuk janë të gatshëm për më shumë reforma. Kriza është shtyrë kaq gjatë edhe nga paaftësia për komunikim. Gjatë gjithë kësaj kohe janë përdorur gjuhë të ndryshme – tjetër nga teknokratët, tjetër nga politikanët në Athinë, në Bruksel dhe në Berlin. Politikanët duhet t’ju shpjegojnë qartë debitorëve e kreditorëve detyrimet dhe kufizimet e gjendjes. Çdo marrëveshje tani do të jetë e natyrës politike, jo teknike.

Dalja e Greqisë nga eurozona do ketë rrjedhoja edhe për Greqinë edhe për Unionin. Shtetet tjera mund të largohen nga Eurozona në vitet në vijim. Në përgjithësi, do të tronditej besimi në Bashkimin Evropian si garant i stabilitetit.

Për Greqinë nuk do ishte hera e parë që largohet nga një union monetar. Greqia ka qenë pjesë edhe e Unionit Monetar Latin ku merrnin pjesë edhe Franca, Belgjika, Italia dhe Zvicra. Unioni zgjati formalisht 62 vjet (1865-1927). Në përgjithësi, unionet monetare marrin fund kur nuk ka as besim, as rol të monedhës, e ato nisin me daljen e njërit prej anëtarëve. A ka besim dhe rol euro? Kjo është një pyetje që do e kenë parasysh palët në tryezën e negociatave sonte rreth fatit të borxhit grek.