Fatos Klosi është kureshtar për raportimet e WikiLeaks

“Amerikanët kanë filluar që tani të përgatisin të gjitha shtetet. Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, tha se kanë filluar të përgatisin të gjitha shtetet që implikohen në këto relacione, që të mos krijohen incidente”, ka thënë Klosi në një intervistë për të përditshmen “Shekulli”.
Sipas Klosit, problemet e Afganistanit janë tjetër gjë dhe se SHBA-të janë në luftë në Afganistan dhe publikimi i dokumenteve lidhur me Afganistanin. “Rrezikohen njerëz, rrezikohen bashkëpunëtorë, rrezikohen oficerë që i mbajnë me zbulime, njerëz që janë të implikuar në të gjithë skenarin afganes. Njëlloj është edhe në Iran”, ka thënë ai.
Duke folur për pjesën për Shqipërinë, Klosi ka thënë se e konsideron të rëndësishme. “Për Shqipërinë, unë mendoj se do të dalin disa opinione, qoftë epitete, pak më konkrete të diplomacisë amerikane të lidhur me qeverinë, me bëmat e qeverisë. Për mua kjo është interesante. Po pres me interes ta lexoj”, tha ai.
Ish-shefi i SHISH-it ka thënë gjithashtu se si qytetar i Shqipërisë është vërtet i interesuar të di, cili është opinioni jozyrtar, jodiplomatik, “një opinion midis tyre për gjendjen në Shqipëri, për bëmat e qeverisë shqiptare, për bëmat e opozitës shqiptare”.
“Është shumë interesante kjo pikë se çfarë mendojnë vërtet amerikanët për ne. Këtë shpresoj unë të shoh dhe kjo bën mirë nga të gjitha pikëpamjet”, ka thënë ish-drejtuesi i SHISH-it. /Telegrafi/





















































