Aktorja, Fatlume Bunjaku, do ta perfaqësojë Shqipërinë në European Shooting Stars 2026.

Lajmin sot e kemi mësuar nga European Film Promotion. Çdo vit në mes të dhjetorit European Film Promotion bashkë me festivalin e filmit Berlinale publikon listën e emrave fitues të aktorëve më të talentuar evropianë që do t’i përfaqesojnë vendet e tyre në programin më prestigjioz të kinematografisë evropiane European Shooting Stars.


Fatlume Bunjaku bashkë me dhjetë aktorë të tjerë do të jenë në qendër të vëmendjes nga gjithë industria e filmit nderkombetar si: producentë, casting director, agjentë, regjisorë e medie nga e gjithë bota.

Fatlume Bunjaku në 'Hana' Ujkan Hysaj

European Shooting Stars është një program prestigjoz që organizohet çdo vit nga European Film Promotion (EFP), si pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin (Berlinale) dhe ka për qëllim të promovojë aktorë të rinj dhe premtues nga Europa për t’i ndihmuar të ndërtojnë një karrierë ndërkombëtare në film dhe televizion.

Programi çdo vit zgjedh rreth 10 aktorë/aktore nga 37 vende të Evropës, të cilët konsiderohen talentë me potencial të madh ndërkombëtar.

Këta aktorë janë zakonisht persona që kanë bërë emër në vendet e tyre, por janë ende në fillimet e karrierës së tyre nderkombetare.

Aktorët zakonisht nominohen nga vendet e tyre, në këtë rast, aktorja Bunjaku, është nominuar nga Qendra Kombetare e Kinematografisë se Shqipërisë me filmin Hana nga regjisori Ujkan Hysaj.

European shooting stars si pjesë e festivalit Berlinale do t’ju mundesojë aktorëve për katër ditë radhazi intervista, paraqitje, puntori dhe takime me emrat më të mëdhenj të industrisë së filmit në botë duke e finalizuar në fund me një parakalim në tapetin e kuq të Berlinale Palast dhe me ndarjen e çmimeve.

Pa dyshim ky program ishte një tranpolinë e karrierës ndërkombetare për emra shumë të njohur që ishin pjesë në edicionet e kaluara si: Daniel Craig – i njohur botërisht si James Bond, Maisie Williams – e famshme për rolin e Arya Stark në Game of Thrones, Carey Mulligan – e njohur me filmin The Great Gatsby, Riz Ahmed – i nominuar për Oscar me filmin Sound of Metal, Alicia Vikander – fituese e Oscar dhe per filmin The Danish Girl, George MacKay – i njohur për filmin 1917 etj.

Ndërsa kujtojmë se nga aktorët shqiptarë deri më tani pjesë e këtij programi ishin Nik Xhelilaj në vitin 2011 si dhe Arta Dobroshi ne vitin 2013. /Telegrafi/