Reperi i njohur amerikan, Post Malone, është detyruar të shtyjë koncertet e tij në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të grevave të paralajmëruara në metronë e Londrës javën e ardhshme.

Platforma e biletave 'Live Nation' njoftoi se dy performancat e planifikuara në stadiumin 'Tottenham Hotspur' në veri të Londrës u detyruan të ri-programohen, pasi do të ishte “e pamundur” që fansat të arrinin në event dhe të ktheheshin në shtëpi pa funksionuar metroja, shkruan The Sun.


Unioni i Punëtorëve të Hekurudhës, Detarisë dhe Transportit (RMT) ka bërë të ditur se shoferët, sinjalizuesit dhe punëtorët e mirëmbajtjes do të hyjnë në grevë për paga dhe kushte pune më të mira. Grevistët kërkojnë një javë pune 32-orëshe - tre orë më pak se aktualisht - si dhe rritje page.

Edhe pse 'Transport for London' është shprehur e gatshme të diskutojë rritjen e pagave, nuk ka pranuar shkurtimin e orëve javore të punës.

Fansat e Post Malone tani do të duhet të presin pothuajse dy javë më shumë për të parë yllin e muzikës. Koncerti i parë, që duhej të mbahej këtë të diel, është zhvendosur për të shtunën, më 20 shtator. Ndërsa koncerti i dytë, i planifikuar për të hënën, është shtyrë për 13 ditë më vonë, më 21 shtator.

Organizatorët kanë njoftuar se biletat do të mbeten të vlefshme. Ata që nuk mund të marrin pjesë në datat e reja, duhet të kontaktojnë pikën e blerjes deri më 8 shtator, ora 10:00, për të marrë rimbursim.

Aktualisht, Post Malone ndodhet në Hanover të Gjermanisë, ndërsa më pas do të udhëtojë drejt Holandës, Spanjës (Barcelona) dhe Portugalisë (Lisbonë) për koncertet e ardhshme.

Në faqen zyrtare të stadiumit Tottenham Hotspur është publikuar ky njoftim: “Na vjen keq të njoftojmë se, për shkak të veprimeve të planifikuara sindikale në metronë e Londrës, dy koncertet e Post Malone nuk mund të mbahen më 7 dhe 8 shtator. Pa shërbim metroje, është e pamundur të sigurohet ardhja dhe kthimi i publikut në mënyrë të sigurt, dhe për këtë arsye nuk mund të jepet leje për eventin”.

Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pasi edhe grupi Coldplay u detyrua të shtynte koncertet në 'Wembley Stadium' për të njëjtën arsye, duke lënë mijëra fansa të anulojnë udhëtime dhe prenotime hotelesh.

Grevisti do të fillojnë më 7 shtator, ndërsa sipas 'Transport for London', mes datave 8 dhe 11 shtator do të ketë “ndërprerje të rënda”, me shërbim shumë të kufizuar ose pothuajse të pamundur. Përveç kësaj, më 9 dhe 11 shtator nuk do të ketë fare shërbim në linjën DLR. /Telegrafi/