Familja Kasapi njofton ditët e të pames për Shpat Kasapin

Profili zyrtar i Shpat Kasapit ka publikuar sot një njoftim, ku familjarët bëjnë të ditur se e pamja për artistin do të mbahet për tre ditë me radhë.
Sipas njoftimit, qytetarët, miqtë, kolegët dhe të gjithë dashamirët e muzikës së tij do të kenë mundësinë ta nderojnë Shpatin më 1, 2 dhe 3 dhjetor 2025, në Restorant “Dea” në Çair, nga ora 10:00 deri në 19:00.
Në këtë publikim prekës, familja Kasapi shpreh mirënjohje dhe dhimbje të thellë për humbjen e artistit, duke thënë: “Të qoftë dheu i lehtë Shpati jonë, nuk të themi lamtumirë asnjëherë, por faleminderit për atë që ishe”.
Ky mesazh ka prekur zemrat e shumë ndjekësve, të cilët kanë vijuar të komentojnë me fjalë ngushëllimi, respekti dhe kujtime për këngëtarin që la gjurmë të mëdha në muzikën shqiptare.
Me këtë njoftim, familja u bën thirrje të gjithë atyre që e kanë dashur dhe vlerësuar Shpatin të vijnë dhe ta përshëndesin për herë të fundit, duke e kujtuar si artistin, birin, mikun dhe njeriun e mirë që ishte. /Telegrafi/




























































