Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur se ka marrë vendim të ri sa i përket çështjes së faljes së tatimit në pronë.
Sipas këtij vendimi, komunat duhet të vendosin vetë për faljen e tatimit në pronë dhe se Ligji i kontestuar nga komunat nuk është në kundërshtim me ligjin e pushtetit lokal.
Kushtetuesja gjithashtu ka shfuqizuar vendimin që kishte marrë në shtator ku pati vendosur masë të përkohshme për nenin e Ligjit për tatimin në pronë, që parashihte faljen e 100 eurove të tatimit për qytetarët.
Komuna e Prizrenit e kishte dërguar në Kushtetuese ligjin për vlerësim. Kryetarët e komunave akuzonin Qeverinë për ndërhyrje në kompetenca të komunave dhe se me këtë ligj ato dëmtoheshin duke ua zvogëluar buxhetin.
Kushtetuesja ka bërë të ditur po ashtu se periudha 15-ditëshe që komunat të vendosin për faljen e tatimit në pronë, nis nga dita e hyrjes në fuqi të aktgjykimit.
Njoftimi i plotë:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar Aktgjykimin në rastin KO 177/23, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 5 të Ligjit nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, i cili ka hyrë në fuqi më 16 gusht 2023. Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 5 të Ligjit të lartcekur është parashtruar në Gjykatë nga Komuna e Prizrenit, bazuar në autorizimet e përcaktuara përmes paragrafit 4 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Gjykata ka vendosur që (i) kërkesa është e pranueshme; (ii) neni 5 i Ligjit të kontestuar nuk është në kundërshtim me paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafin 1 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 2 dhe 5 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës; (iii) të shfuqizojë Vendimin për Masë të Përkohshme të 1 shtatorit 2023, meqenëse Gjykata tashmë ka vendosur lidhur me meritat e rastit; si dhe që (iv) afati i mbetur pesëmbëdhjetë (15) ditor nga afati tridhjetë (30) ditor i përcaktuar në paragrafin 2 të nenit 11/B (Shuma e faljes së tatimit në pronë për pronën e paluajtshme) të nenit 5 të Ligjit të kontestuar, fillon të rrjedhë nga dita e hyrjes në fuqi të Aktgjykimit.
Aktgjykimi i Gjykatës fillimisht sqaron që bazuar në paragrafin 4 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, komuna është e autorizuar të kontestojë kushtetutshmërinë e ligjeve të Kuvendit ose të akteve të Qeverisë, të cilat cenojnë përgjegjësitë komunale ose zvogëlojnë të hyrat e komunës, në rast se komuna përkatëse është prekur nga ai ligj ose akt. Bazuar në këtë dispozitë, parashtruesi i kërkesës, përkatësisht Komuna e Prizrenit, kërkoi vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 5 të Ligjit nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme. Ky nen përcakton që (i) çdo tatimpagues që është i detyruar të paguajë tatimin mbi pronën e paluajtshme për vitin tatimor 2023, kualifikohet për faljen e tatimit; (ii) shuma e faljes së tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit lejohet deri në lartësinë e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023, por jo më shumë se njëqind (100) euro; (iii) vendimi për faljen e tatimit në pronë merret nga kuvendi komunal i çdo komune më së largu tridhjetë (30) ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji; (iv) në rast që tatimpaguesi ka paguar faturën e tatimit në pronë për vitin 2023, shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese; (v) zbatimi i kësaj dispozite mbetet në përgjegjësinë e çdo komune përgjegjëse për administrimin e procesit të tatimit në pronë, për pronat e paluajtshme që ndodhen brenda territorit të komunës përkatëse; dhe që (iv) Ministria përgjegjëse për financa nxjerr vendime që mund të jenë të nevojshme për zbatimin e kësaj dispozite.
Para Gjykatës, parashtruesi i kërkesës pretendoi se, dispozita e lartcekur cenon përgjegjësitë komunale dhe zvogëlon të hyrat e komunës në kundërshtim me (i) garancitë kushtetuese të përcaktuara në paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafët 1 dhe 3 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 2, 3 dhe 5 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës; (ii) Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale; dhe (iii) Ligjin nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale, Ligjin nr. 03/L-049 për Financat e Pushtetit Lokal dhe Ligjin 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, në esencë dhe ndër tjerash sepse, ndërhynë në ushtrimin e kompetencave vetanake të komunës përkitazi me të hyrat nga tatimi në pronën e paluajtshme dhe afekton buxhetin komunal deri në vlerën prej tre (3) milionë euro, ndërsa në nivel të pushtetit lokal në Republikën e Kosovës, deri në vlerën prej njëzet e shtatë (27) milionë euro, sipas të dhënave të referuara të Asociacionit të Komunave të Kosovës. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu kishte kërkuar nga Gjykata që deri në vendosjen meritore të saj lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 5 të Ligjit të kontestuar, të vendosë masën e përkohshme, duke pezulluar efektet e tij. Lidhur me këtë të fundit, më 1 shtator 2023, Gjykata, vendosi për (i) miratimin e kërkesës për masë të përkohshme, në kohëzgjatje deri më 30 nëntor 2023; dhe (ii) pezullimin e zbatimit të nenit 5 të Ligjit nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme dhe zbatimin e vendimeve të nxjerra në bazë të këtij neni, deri në afatin e lartpërmendur.
Në adresimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Aktgjykimi fillimisht shtjellon parimet e përgjithshme lidhur me vetëqeverisjen lokale sipas Kushtetutës, Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale dhe ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës, si dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.
Në këtë kontekst, Aktgjykimi, duke u bazuar në nenet 12 [Pushteti Lokal], 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës, Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale, si dhe ligjet relevante të aplikueshme, ndër tjerash, thekson që nuk është kontestuese që bazuar në Ligjin nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, Ligjin nr. 03/L-049 për Financat e Pushtetit Lokal dhe Ligjin nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, çështjet që ndërlidhen me tatimin në pronën e paluajtshme janë kompetencë vetanake e komunave dhe që të njëjtat kanë kompetencën që të vendosin, të caktojnë, të mbledhin dhe të shpenzojnë të hyrat që burojnë nga tatimi në pronën e paluajtshme sipas përcaktimeve të ligjit të aplikueshëm. Ky i fundit, bazuar në dispozitat e Kushtetutës, përcakton kufijtë e ndarjes së kompetencave në mes pushtetit qendror dhe lokal.
Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, Ligji i kontestuar, (i) përcakton bazën ligjore sipas të cilës mund të falet tatimi në pronën e paluajtshme për vitin tatimor 2023, duke saktësuar lartësinë maksimale të faljes së këtij tatimi dhe afatin përkatës kohor brenda të cilit mund të merret vendimi për faljen e tatimit në pronën e paluajtshme; dhe (ii) kompetencën për një vendimmarrje të tillë ia përcakton kuvendeve përkatëse komunale. Në interpretimin e dispozitave të kontestuara në tërësinë e tyre dhe në kontekst të garancive të përcaktuara me Kushtetutë lidhur me vetëqeverisjen lokale, Aktgjykimi sqaron që Ligji i kontestuar nuk detyron kuvendet komunale përkatëse, por saktëson bazën ligjore sipas të cilës u mundëson të njëjtave për të vendosur përkitazi me faljen e tatimit në pronën e paluajtshme sipas përcaktimeve të Ligjit të kontestuar. Si i tillë, ky i fundit, nuk cenon përgjegjësitë komunale apo nuk zvogëlon të hyrat e komunës në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe legjislacionin e aplikueshëm në kontekst të ushtrimit të kompetencave të komunës për të caktuar, mbledhur dhe shpenzuar tatimin në pronën e paluajtshme brenda territorit të komunës përkatëse.
Aktgjykimi më tej gjithashtu thekson që bazuar paragrafin 2 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, “vetëqeverisja lokale ushtrohet nëpërmjet organeve përfaqësuese të zgjedhura në zgjedhje të përgjithshme” dhe se për pasojë, anëtarët e kuvendeve komunale, nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues gjatë vendimmarrjes në ushtrimin e kompetencave të tyre të përcaktuara me ligj. Zbatimi i nenit 5 të Ligjit të kontestuar, përkitazi me mundësinë e vendimmarrjes për faljen e tatimit në pronën e paluajtshme sipas kufizimeve dhe afateve kohore të saktësuara në të njëjtin, është në diskrecion dhe kompetencë të plotë të kuvendeve përkatëse komunale.
Aktgjykimi në fund sqaron që (i) marrë parasysh faktin që Ligji i kontestuar ka hyrë në fuqi më 16 gusht 2023, ndërsa rrjedhja e afatit tridhjetë (30) ditor i përcaktuar në paragrafin 2 të nenit 11/B (Shuma e faljes së tatimit në pronë për pronën e paluajtshme) të Ligjit të kontestuar është ndërprerë me 1 shtator 2023 me vendosjen e masës së përkohshme nga Gjykata, e cila e ka pezulluar zbatimin e nenit 5 të Ligjit të kontestuar deri në vendimmarrjen meritore të saj; (ii) pjesa e mbetur e afatit pesëmbëdhjetë (15) ditor të saktësuar në nenin e lartcekur, fillon të rrjedhë nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi, përkatësisht me publikimin e tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, me ç’rast shfuqizohet edhe Vendimi për Masë të Përkohshme.
Aktgjykimi tutje sqaron që në rast të ushtrimit të diskrecionit të përcaktuar përmes nenit 5 të Ligjit të kontestuar nga kuvendet komunale lidhur me faljen e tatimit në pronën e paluajtshme për vitin tatimor 2023, vet neni 5 i Ligjit të kontestuar përcakton zgjidhjen për qytetarët të cilët tashmë kanë paguar tatimin në pronën e paluajtshme për vitin 2023, duke saktësuar në paragrafin 6 të nenit 11/B (Shuma e faljes së tatimit në pronë për pronën e paluajtshme) të tij, që “në rast se tatimpaguesi ka paguar faturën e tatimit në pronë për vitin 2023, shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese”. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëVite më parë hodhi aksidentalisht në mbeturina hard diskun me Bitcoin, britaniku thotë se tani do të vlen 633 milionë dollarë
PostCHAT ju pret!
Në këto ditë të ftohta, hani ushqime të ngrohta!
Rezervo tani, përfito çmime speciale për udhëtime gjatë fundvitit nga Gjeneva drejt Prishtinës!
Black Friday në AZTECH: Zbritje spektakolare deri në -60%!
Harroni stresin – Ky vend do të bëhet arratisja juaj e preferuar!
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje