LAJMI I FUNDIT:

Falimentuan mbi 2300 biznese

Falimentuan mbi 2300 biznese

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka njoftuar se kanë falimentuar gjatë vitit 2016, 2376 ndërmarrje, që i bie 171 ndërmarrje më shumë se sa në vitin paraprak.

“Sa i përket regjistrit të bizneseve, në vitin 2016 është shënuar rritje e numrit të ndërmarrjeve të regjistruara dhe po ashtu rritje e numrit të ndërmarrjeve të mbyllura. Numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara ishte 10424 apo 591 ndërmarrje më shumë se sa në vitin paraprak, ndërsa u mbyllën 2376 ndërmarrje apo 171 ndërmarrje më shumë se sa në vitin paraprak”, thekson raporti i BQK-së, për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë.

Sipas këtij, raporti numri më i madh i ndërmarrjeve të regjistruara vazhdon të jetë i koncentruar në sektorin e tregtisë me 2738 ndërmarrje të reja, pasuar nga sektori i prodhimtarisë me 1181 ndërmarrje, bujqësisë me 1090 ndërmarrje dhe hotelerisë me 1017 ndërmarrje.


“Krahasuar me vitin 2015, pothuajse në të gjithë sektorët është shënuar rritje e ndërmarrjeve të regjistruara. Në sektorin e bujqësisë është shënuar rritja më e lartë e ndërmarrjeve të regjistruara prej 145 ndërmarrje më shumë, pasuar nga sektori i prodhimit që u karakterizua me 134 ndërmarrje më shumë. Sektorët që shënuan numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara ishin sektori i tregtisë dhe patundshmërive (165 përkatësisht 16 ndërmarrje më pak)”, thuhet në raportin e BQK-së, për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë. /Telegrafi/