Mesfushori i talentuar i Comos, Nico Paz, po vazhdon të tërheqë vëmendjen në Serie A me paraqitjet e tij mbresëlënëse.

Në fitoren 2-0 ndaj Juventusit në xhiron e shtatë të kampionatit, 20-vjeçari argjentinas ishte protagonist absolut, duke kontribuar me një gol dhe një asist që vulosën triumfin e ekipit të drejtuar nga Cesc Fàbregas.


Me këtë performancë, Paz e çoi në katër gola dhe katër asistime bilancin e tij personal për këtë sezon, duke u bërë një nga vetëm tre lojtarët në pesë ligat kryesore të Evropës që kanë arritur këtë kombinim, përkrah Vinicius Junior dhe Luis Diaz. Kjo statistikë e vendos atë mes futbollistëve më vendimtarë të momentit në arenën evropiane.

Pas ndeshjes, trajneri Cesc Fabregas e lavdëroi mesfushorin e ri, duke e krahasuar me mënyrën se si vetë ai ishte mbështetur nga legjenda e Arsenalit, Arsene Wenger.

2024/12/nico-paz.jpg Interi monitoron yllin e Comos, Nico Paz telegrafi.com

“Wenger erdhi një orë para ndeshjes në zyrën time me Henryn. E falënderoj sepse në moshën 16 vjeç ai besoi tek unë, ashtu siç besoj unë tek Nico Paz, i cili është një kampion", tha Fabregas, duke shtuar se është shumë i sigurt për të ardhmen e tij.

“Mund ta kuptoj kur një lojtar ka mendësinë për t’u bërë lojtar i nivelit të lartë. Nëse vazhdon kështu, mund të shkojë kudo që të dëshirojë.”

Falë kontributit të tij të vazhdueshëm, Nico Paz është bërë shtylla e mesfushës së Comos dhe një nga arsyet kryesore pse skuadra ka filluar sezonin me ritëm të lartë.

Performancat e tij kanë tërhequr vëmendjen e klubeve më të mëdha evropiane, ndërsa Real Madridi, ku ai u formua si futbollist, po e ndjek me interes zhvillimin e tij në Itali dhe synon ta rikthejë sezonin e ardhshëm në Santiago Bernabeu. /Telegrafi/

telegrafi sport app