Shoqata e Futbollit të Anglisë (FA) ka akuzuar anësorin e Chelseat, Mykhailo Mudryk, për shkelje të rregullave antidoping, pas një testi pozitiv që daton nga viti i kaluar. Lojtari ukrainas tani rrezikon një pezullim deri në katër vjet.

Sipas raportimeve, Mudryk ka rezultuar pozitiv në mostrën "A" për substancën e ndaluar meldonium – një përbërje që njihet për rritjen e performancës fizike.


Ai është pezulluar përkohësisht në pritje të rezultatit të mostrës "B", ndërsa FA ka konfirmuar akuzat ndaj tij.

Mudryk 1

“Mund të konfirmojmë se Mykhailo Mudryk është akuzuar për shkelje të rregullave antidoping, në përputhje me Rregulloret 3 dhe 4 të FA-së. Meqenëse ky është një proces në vazhdim, nuk mund të japim komente shtesë për momentin”, deklaroi një zëdhënës i FA-së.

Mudryk, që mohon se ka konsumuar ndonjë substancë të ndaluar me qëllim, ka angazhuar firmën ligjore Morgan Sports Law për mbrojtje.

E njëjta firmë ka përfaqësuar edhe Paul Pogban në apelin e tij kundër një ndalimi katërvjeçar për doping – i cili më vonë u ul në 18 muaj nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS).

chelsea forest mudryk

Chelsea po i ofron mbështetje lojtarit, ndërkohë që procesi ndaj tij është ende në zhvillim. Mudryk pret të dëgjohet nga autoritetet për fatin e tij sportiv, ndërsa këmbëngul se nuk ka ndryshuar asgjë në rutinën e tij që nga koha kur rezultoi negativ në gushtin e kaluar. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app