Nga: Arwa Haider / BBC
Përktheu: Telegrafi.com
Në dhomën e parë të ekspozitës “Bob Marley One Love Experience”, në Galerinë “Saatchi” të Londrës, hasni menjëherë te katalogu i jashtëzakonshëm i incizimeve të mega-yllit xhamajkas të reges dhe të grupit të tij The Wailers. Nëpër mure, një kopertinë e diskut të artë rrezaton me prezencën mbretërore: albumi i dhjetë kyç, “Exodus” (1977), i krijuar në kohën kur Marley dhe shokët e tij të grupit jetonin jo shumë larg në një shtëpi në Çelsi të Londrës. Sot, në përvjetorin e 45-të, është një vepër e tranzicionit të fuqishëm që pa dyshim se e konfirmon statusin e vërtetë global të Marleyt dhe lidhjen e vazhdueshme me brezat e rinj të dëgjuesve.
Fryma e albumit “Exodus” është shumështresore: titulli evokon rrëfimet e Dhiatës së Vjetër për Moisiun që udhëheq popullin e tij drejt sigurisë, si dhe paralelet e kësaj me besimin rastafarian të Marleyt. Po ashtu e pasqyron fluturimin e Marleyt për në Londër në mes turbulencave brutale të zgjedhjeve në Xhamajka dhe pas një atentati të dhjetorit 1976 ku u plagos bashkë me gruan e tij, vokalisten Rita Marley. Do ta kalonte më shumë se një vit në kryeqytetin e Mbretërisë së Bashkuar, gjatë të cilës kohë u krijua “Exodus”-i (dhe albumi i radhës i vitit 1978, i realizuar relativisht shpejtë, “Kaya”).
Nga revista “Time”, albumi “Exodus” u vlerësua si albumi më i rëndësishëm i shekullit XX, duke i vënë në pah “ndërlidhjet politike dhe kulturore, duke marrë frymëzim nga Bota e Tretë dhe më pas duke i dhënë zë kësaj në mbarë botën”. Në shekullin XXI termi “Bota e Tretë” duhet të kalojë në histori, por fuqia e këtij albumi sigurisht që ende rrezaton. Këngët e “Exodus”-it e kanë frymëzuar ekspozitën “One Love Exprience”, përfshirë këngën himn që ia jep emrin kësaj ekspozite. Kur e vizitova, vajza e Marleyt, artistja dhe sipërmarrësja Cedella, po ia jepte edhe një herë miratimin Galerisë “Saatchi”: “Jonathan [Shank, dizajner e ekspozitës] është vizionar”, thotë ajo. “Në çdo dhomë merrni pak nga Bobi – dhe pak nga mamaja [Rita Marley], nga fëmijët e nga nipërit, gjithashtu”. Pos shfaqjes në Londër, kjo ekspozitë është lëvizëse, meqë do të shkojë në Toronto, Vankuver, Los Anxhelos, Çikago, Nju-Jork, Miami, Amsterdam, Seul, Tel Aviv, Tokio dhe në Kingston të Xhamajkës. Shtrirja e Marleyt është në gjithë planetin.
“Exodus” është rilansuar në faza të ndryshme, përfshirë versionin e 40-vjetorit të miksuar nga vëllai i Cedellas (dikur anëtar i grupit), Ziggy Marley. Dëgjimi të kapton; në vinil, pjesët e dallueshme të albumit janë sidomos më të theksuara: forcat politike dhe shpirtërore në anën A (nga ritmi magjepsës i këngës hapëse “Natural Mystic” e deri te kënga që të emocionon me refrenin e saj, “lëvizja e njerëzve të xhahut (Jehovait – v.j.)!”); romanca dhe optimizmi në anën B (që përfshin disa hite të shkëlqyeshme, si “Jamming”; “Waiting In Vain” – një dedikim i përfolur për të dashurën e Marleyt, Cindy Breakspeare – “Three Little Birds” dhe e kudondodhura “One Love/People Get Ready” që ndërthur stilin krijues të Marleyt me artistin e soulit progresiv në ShBA, Curtis Mayfield). Edhe në formë digjitale e transporton dëgjuesin nëpër emocione të ngjashme: ankth, sfidë dhe përfundimisht në paqe e shpresë.
Siç thekson Cedella Marley: “Mesazhi ende është i rëndësishëm. Fatkeqësisht, jo gjithçka ka ndryshuar për të mirë. Dhe, meqë u rrita unë e, edhe fëmijët e mi u rritën, them: ‘Ueh; në fund të viteve ’70 Xhamajka ishte në trazira. Babai mund të kishte shkuar kudo në botë, për ta incizuar, por për disa arsye e zgjodhi Londrën. ‘Exodus’ nuk është tamam një disk i zemërimit; në fakt është vajtim për çdo lloj situate nëpër të cilën ka kaluar”.
Bob Marley ishte emër i njohur në kohën e eksodit të tij në Londër. Në vitin 1975, ai dhe grupi The Wailers kishin interpretuar në një koncert të mbushur plotë në Teatrin “Lyceum” të qytetit, që është incizuar për albumin e tyre të parë “live” për shtëpinë diskografike “Island Records”. Në vitin 1977, vetë Londra ishte në një gjendje fluksi: e ndarë mes politikës, spektaklit mbretëror dhe lëvizjeve në rritje të pankut dhe të skenës së diskos. “Eksodi” e kanalizon atë energji të pandalshme krijuese si dhe reagimet kureshtare të Marleyt. Kritikja e muzikës, Vivien Goldman, ishte e pranishme në incizimin e albumit dhe ka shkruar për sfondin dhe atmosferën në veprën e saj të shkëlqyer, “The Book Of Exodus” (2006). Ajo shkruan: “’Exodus’-i ishte kërcim në krijimtari, një udhëtim nga një stil dhe teknikë e njohur në kërkim të një tjetri të panjohur, duke e ruajtur patosin e muzikës rege e duke e bërë atë të kuptueshme për një komunitet më të gjerë”
Cedella Marley kujton: “Kur Bobi erdhi në Londër isha e zemëruar sepse na la në Xhamajkë … por, me të vërtetë bëri diçka të veçantë këtu. Sa herë që e dëgjoj këngën ‘Punky Reggae Party’ [fillimisht si singël në anën B, me këngën ‘Jamming, i përfshirë në versionet e mëvonshme të albumit ‘Exodus’], mund ta imagjinoj atë në një banesë diku këtu në Londër, dhe turma njerëzish që vijnë: pirja e duhanit, muzika dhe atmosfera. Eksperimentoi me tingujt muzikorë që nuk ishin rege, dhe nuk kishte frikë ta bënte këtë”.
Prania e Marleyt në Londër kishte po ashtu ndikim të madh te “kaçurrelat”, DJ-të dhe te regjisori i ri Don Letts i cili e xhiroi koncertin e vitit 1975 në “Lycum”. “Absolutisht ishte … epifani”, thotë Letts, i cili u nxit të ndiqte Marleyt dhe ekipin përsëri në hotelin e tyre që të njihte më mirë artistin xhamajkan. Deri në vitin 1977, Letts i rrotullonte disqet e reges në prototipin e klubeve të pankut, “The Roxy”, ndërsa pantallonat e tij me rripa e zemëruan Marleyn (“Dukesh si një nga rokerët e këqij të pankut”) kur ata u takuan në Rrugën “Kings”. Kjo përplasje kulturore ndërlidhet mirë në një dokumentar të ri për jetën dhe veprën e Lettsit (përfshirë filmat e tij të famshëm për artistët, që nga grupi The Clash e deri te këngëtarët si Marley e Elvis Costello): “Rebel Dread” (premiera e të cilit jepet këtë mars).
“Bobi jetonte afër meje, dhe e patëm këtë debat për pankun. Në muajt në vijim u njoh më shumë me skenën përmes gazetarëve si Viv Goldman dhe [biografit të Marleyt] Chris Salewicz. Pas kësaj, një Bobi i informuar më mirë u nxit për ta shkruar këngën ‘Punky Reggae Party’”, ka thënë Letts. “Mendoj se thelbi i tregimit është se unë kisha guxim të jem këmbëngulës e të mos pajtohem me të. Por, fillimisht e kundërshtoi këtë e unë i thashë: ‘E ke gabim shoku; diçka është duke ndodhur.’ Ai zbuloi se vërtetë diçka po ndodhte. Londra e kishte këtë subkulturë të drejtuar nga një stil që po mbushte tre ose katër vjet e kjo gjë nuk ndodhi askund tjetër. Drejtohej nga sistemi i klasës, por ishte pozitivja që doli nga negativja”.
Në “Exodus” Marley vendosi muzikë rebele në meloditë më të ëmbla dhe kjo ndikoi në përpunimet e këngëve në shumë zhanre, nga kolonat zanore të protestës e deri te hiti i madh i Stevie Wonderit më 1980, “Master Blaster (Jammin’)” … pastaj te versionet ndryshme ndërkombëtare – përfshirë një këndim së global të shekullit XXI të këngës “One Love” ku shfaqen talentet si ylli alt-latines Manu Chao, kitaristi nga Zimbabveja Louis Mhlanga dhe bluzmeni i Los Anxhelosit Keb ‘Mo’. Është një trashëgimi e pamohueshme. Motivet e Marleyt që atëherë janë shfaqur kudo, që nga bluzat e futbollit e deri te shijet e akullores, ndërsa “One Love Experience” përfshin shumë mundësi fotosh për instagram me slogane lirike, shpjegon Shank: “Bob do të thoshte kaq shumë gjëra të ndryshme për njerëz të ndryshëm dhe për breza të ndryshëm në këtë fazë. Ajo që më bën përshtypje është se kur i shikon tekstet e shtypura, mesazhi sot rezonon më shumë se kurrë”.
Në të njëjtën kohë, ekspozita nxjerr në pah “Exodus”-in përbrenda një udhëtimi të ndërgjegjshëm politik, përfshirë albumet e fundit të incizuara në studio të trupës Bob Marley dhe The Wailers: “Survival” (1979), “Uprising” (1980) dhe “Confrontation” (lansuar më 1983, dy vjet pas vdekjes së Marleyt nga kanceri). Këngët janë shumë domethënëse, në një kohë kur njerëz të panumërt janë ende duke u çrrënjosur nga shtëpitë e tyre nga konflikti politik ose padrejtësia, përfshirë Skandalin Uindrash të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar (mbajtjet dhe deportimet e paligjshme – v.j.). Muzika kumbon aq sa mundet, sepse është gjithmonë një zjarr që flakëron poshtë bukurisë.
Letts është i drejtpërdrejtë në lidhje me arsyen se pse “Exodus” e prek një akord të përjetshëm: “Shumë nga kjo ka të bëjë me faktin se dallimi midis të pasurve dhe atyre që nuk kanë vërtet nuk ka ndryshuar. Audienca e tij do të jetë gjithmonë masive; është artisti më i njohur në planet – jo pse veprat e tij janë shitur më shumë, por thjesht sepse më shumë njerëz pa para po shkelen. Për sa kohë që këto shifra mbeten kështu, Bob do të jetë njeriu i duhur”.
“Bob Marley One Love Experience” do të jetë e hapur në Galerinë “Saatchi” deri më 18 prill 2022. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme