Euu Amerikë euuu..., po si është e mundur?!
Amerika - mike e shqiptarëve gjatë gjithë shekullit të kaluar
Dëshiroj në këtë rast ta shfrytëzoj një thënie të babait tim, ndjesë pastë, të cilën e kisha dëgjuar shumë herë kur isha fëmijë e nuk merrja vesh gjë në politikë. Madje s’kisha haber se nga i bie Amerika, nga veriu,lindja,jugu apo perëndimi, e kur Serbia, me përkrahjen dhe bekimin e shtetit të Jugosllavisë së vjetër dhe të re, ia kishte prurë shpirtin te hunda popullit shqiptar të Kosovës sa e sa herë gjatë shekullit të kaluar. Qe thënia e tij: “Vallahi more burra, sherri i Serbisë është aq i madh sa ne kurrë nuk mundemi me pështue prej sherrit të saj, veç n’e pastë shkrue Zoti e ba emër ose n’ia çoftë menen Amerikës e me na nimue!” Thënë të drejtën, si fëmijë që isha, nuk më hynte në krye kurrqysh se si ishte e mundur kjo çka thoshte babai im, kur unë kisha dëgjuar se Amerika është aq larg prej Kosovës, sa duhet udhëtuar me javë e me ditë për të mbërritur hairi i saj këtu... Dhe vetëm kur erdhi koha që ne t’ia kthejmë pushkën Serbisë dhe kur Amerika në krye të Aleancës ushtarake Veri-Atllantike erdhën të ndërhyjnë kundër forcave ushtarake dhe policore të Serbisë, për ta ndihmuar popullin e Kosovës, u binda se sa largpamës kishte qenë babai im dhe sa shumë kishte pasur të drejtë. Sigurisht që kështu do të kenë menduar edhe njerëz të tjerë në atë kohë dhe ai mund të mos ketë qenë i pari që e kishte thënë këtë, por unë e kisha dëgjuar prej tij për të parën herë.
Lirisht mund të thuhet se admirimi i popullit shqiptar ndaj SHBA dhe popullit amerikan, në përgjithësi, ka qenë i fuqishëm edhe shumë kohë më parë, veçmas qysh nga momenti i diskutimit të Vilson Vidit në Paris në vitin 1918, duke kërkuar që çështja shqiptare të zgjidhej drejt dhe si duhet. Se vërtet politika amerikane kishte qenë konsekuente dhe miqësore ndaj popullit shqiptar aq shumë të përvuajtur, u pa më së miri me rastin e ndërhyrjes ushtarake kundër Serbisë në luftë me Kosovën më 23 mars 1999. Pa fije dyshimi, nga kjo ndërhyrje ishte shpejtuar çlirimi i Kosovës nga Serbia dhe ishin kursyer banorët e saj për të mos rënë pre e Serbisë me numër shumë më të madh. Kjo ngjarje, që do të mbetet e paharruar për jetë e mot nga të gjitha gjeneratat, të tashme e të ardhshme, ka bërë që mirënjohja, admirimi dhe miqësia ndaj SHBA, të forcohet dhe të ngulitet thellë në zemrat e të gjithë shqiptarëve.
E ç’është kjo mjegull tash?
Megjithatë kjo që po ndodh me rastin e dialogut në Bruksel në mes Serbisë dhe Kosovës dhe posaçërisht mjegulla që është ngritur pas arritjes së kësaj marrëveshjeje, për dhe kundër saj, ka shkaktuar një konfuzion dhe një trazim të paparë deri më tash në kokat dhe shpirtrat e shumicës së shqiptarëve. Kjo ngjarje është duke u përjetuar në zemrat e tyre tepër rëndë dhe preokupimi e shqetësimi për pasojat që mund të dalin prej saj, ka ndikuar aq shumë dhe aq keq, sa t’i harrojnë një mijë e një qind halle dhe brenga të tjera për gjendjen sociale që i ka kapluar, duke shfaqur dronë se çfarë po i përgatitet shtetit të tyre që u dashka hequr dorë dhe zhveshur nga republika, e fituar me aq shumë sakrifica?!
Jam i sigurt se nuk ka njeri në Republikën (a mos po gaboj?) e Kosovës që mund të jetë indiferent ndaj kësaj ngjarjeje. Psikoza e krijuar vetëm sa nuk krahasohet me gjendjen e luftës së përjetuar tash hiç moti. Të gjithë janë bërë sy e vesh për të kuptuar se çfarë do të pjellë dhe do të sjellë zbatimi i kësaj marrëveshjeje. Tensioni i krijuar nga debatet, diskutimet dhe vlerësimet përmes mjeteve të informimit ka shkaktuar një “shok” të paparë deri me tash. Dhe që ta themi troç, kjo gjendje kështu e shkallëzuar në këtë masë, nuk do të ishte kështu, sikur të mos vinin zëra të përkrahjes nga autoritete të larta të qeverisë amerikane!
Njerëzit janë të befasuar nga thirrja dhe presioni që u bëhet qytetarëve të Kosovës për të mos reaguar dhe për të pranuar marrëveshjen “bllanko” të arritur apriori si të suksesshme, kur të gjithë jemi të vetëdijshëm, madje edhe ata që i kanë kontribuar kësaj se ajo “është e dhimbshme” dhe s’mund të “duartrokitet!” Kjo hetohet qartë nga fytyrat e tyre dhe shihet ashiqare se kanë hyrë në një rrugë pa krye. Logjika e thjeshtë e popullit tonë shtron me të drejtë këtë dilemë: nëse s’qenka e dobishme dhe për t’u duartrokitur, atëherë, cili na qenka hairi i saj?!
Zakon ka qenë gjithmonë që pas arritjes së një marrëveshjeje me rëndësi (p.sh. si kjo e Brukselit siç po flitet), jo vetëm që është mirë të duartrokitet, por edhe duhet festuar. Por jo. Qytetarët janë të bindur se as vetë njerëzit më përgjegjës të qeverisë nuk duken aq entuziastë për atë që është arritur. Dhe, sinqerisht, për herë të parë ata kanë nisur të lëkunden nga bindjet e tyre se këtë herë arritja e kësaj marrëveshjeje me Serbinë, nën presionin e faktorit ndërkombëtar, prandaj edhe atij amerikan, do të prodhojë efekte pozitive dhe s’do të ndodhë e kundërta e kësaj. Dhe të gjithë e shtrojnë të njëjtën pyetje: çfarë iu desh Amerikës kjo dhe çfarë zori pati?! Janë të bindur se nga kjo marrëveshje, nën këto kondita të kushtëzuara, ku treten elementet e shtetësisë “si fjollat e borës”, jo që nuk ka interes Kosova, por mbase as vetë Amerika, por ky është problem i saj.
Nuk është mirë që për shkak se Kosova na qenka një shtet i vogël dhe me një popull të përvuajtur nga një robëri e gjatë, prandaj pa një traditë të ndërtimit të shtetit, si dhe për shkak të një qeverie të papërgjegjshme dhe të korruptuar, t’ia vrasësh idealin më të shtrenjtë dhe më të shenjtë, shtetin e sapoformuar. Qofsha i gabuar! Por për këtë më së miri do të dëshmojë koha hiç e largët. Kjo më çon mallin si ajo anekdota e Nasradinit, kur i kishte ftuar njerëzit që ta dëgjojnë se si ai i bie çiftelisë pa tela, e kur ata e pyesin përse Nasradin nuk po i ndihet zëri, ai ua kthen me shpoti: hajt se ia ndieni më vonë! Euu Amerikë euuu..., po si është e mundur kjo?!




















































