Është përmbyllur në Pejë Turneu Memorial i Futsallit ‘Avni Hyseni’

Turneu është zhvilluar për disa net rresht në mes të 16 ekipeve nga e tërë Kosova, e në dedikim të ish-Ushtarit të dalluar të luftërave të UÇK-së, UÇPMB-së, pjesëtar i TMK-së dhe së fundmi N/Kryetar i Klubit të Futsallit ‘Besa’, Avi Hysenit, i cili ndërroi jetë në mbrëmjen e ndërrimit të moteve 2018/2019.
Turneu është mbështetur me mjete financiare nga Federata e Futbollit të Kosovës dhe në infrastrukturë nga Komuna e Pejës.
Në finalen e madhe u plasuan Klubet ‘Zekaj Tours’ nga Peja dhe Futsall Istogu ‘Alfa I’ nga Istogu, me ç'rast fitorja në ‘Karagaç’ të Pejës i takoi Klubit ‘Zekaj Tours’. (Rezultati i ndeshjes Zekaj Tours 4-4 Futsal Istogu ‘Alfa I’ ndërsa në penalti 9-8).
Karakteristikë tjetër e veçantë ishte pjesëmarrja masive e publikut si dhe ajo e personaliteteve të larta nga të gjitha fushat e jetës në Kosovë. Turneun e nderuan me pjesëmarrje boksieri me famë botërore Haxhi Krasniqi, Depueti i Parlamentit të Kosoves Bekë Berisha, Humanisti i madh Halil Kastrati, këngëtari i njohur Gold Ag, Ish-Komandanti i latë i UÇPMB-së Shefket Musliu, përfaqësues të Ushtrisë dhe Policisë së Kosovës, Kreu i Bashkësisë Islame të Pejës mulla Musli Arifaj, zv/Minisri i Shëndetësisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës Ali Berisha, N/Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës Bakir Burri si dhe personalitete tjera të larta.
Këta të fundit ndanë edhe dekoratat për fituesit. Adnan Hyseni, vëllai i Avni Hysenit të ndjerë ka falënderuar nga zemra të gjithë të pranishmit dhe të gjithë ata që mbështeten rrugëtimin jetësor të Avniut të ndjerë.
“Vëlla jam krenar me ty çdoherë. Jam i lumtur që, që nga vitit 1998 e deri sa vdekja na ndau, nuk qenkemi koritur asnjë sekondë. Edhe ky turne dhe kjo pjesëmarrje e miqve nga të gjitha trojet shqiptare sonte, po e dëshmon se paskemi pasur të drejtë.”-tha mes tjerash me shumë emocion Adnan Hyseni.
Turneu Memorial ‘AVNI HYSENI’ do jetë tradicional në Pejë.
































































