Është koha të fillojmë ta trajtojmë Izraelin si Afrikën e Jugut në kohën e aparteidit

Nga: Alan Rusbridger / The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com
Janë të moderuarit ata nga të cilët duhet të keni kujdes. Kur ata kthehen, efekti mund të jetë shumë më shkatërrues sesa ai i atyre që bërtasin dhe valëvisin flamuj.
Ky ishte reagimi im ndaj një kolumne për Izraelin, të cilën Matthew Parris e shkroi së fundmi për The Times, në të cilën ai bëri thirrje për vendosjen e sanksioneve domethënëse nga komuniteti ndërkombëtar, me qëllimin e qartë të largimit të Netanyahut dhe të qeverisë së tij të kalbur.
Parris përfaqëson për mua një nocion pothuajse oruellian të britanizmit - “oruellian” në kuptimin e esesë së romancierit, Luani dhe njëbrirëshi, jo në kuptimin e makthit distopik të 1984-shit (dhe, për të qenë i saktë, ai po shkruante aty për anglezitetin, por sidoqoftë).
Për dekada me radhë, që prej dorëheqjes si deputet konservator në vitin 1986, Parris ka shkruar kolumna që përfaqësojnë ndershmërinë, lojën e drejtë, maturinë, individualizmin, humorin dhe përmbajtjen, si dhe lirinë në mendim, vepra dhe shprehje, dhe një lidhje me të kaluarën dhe traditën të zbutur nga toleranca dhe pragmatizmi. Ai votoi për liberaldemokratët në vitin 2019, duke mos qenë në gjendje të përballonte populizmin pa parime të Boris Johnsonit, por e konsideron veten konservator të përjetshëm
Pra, merreni parasysh këtë njeri të arsyeshëm dhe reflektoni mbi thirrjen e tij të matur për sanksione kundër Izraelit - bazuar, siç thotë ai, në përvojën e tij personale se si funksionuan sanksionet ndaj Afrikës së Jugut gjatë aparteidit, vendi ku ai ka lindur.
Ai pranon se fillimisht ishte kundër sanksioneve në atë rast, por përfundimisht u bind për domosdoshmërinë e tyre. Dhe, ai shton: “Edhe ai regjim i lig nuk u përpoq të zhdukte identitetin- apo të masakronte me dhjetëra mijëra njerëz - e racës së zezë, apo të rrënonte tokat e tyre”.
Nëse kjo do të kishte ardhur nga pena e Owen Jonesit, Ken Loachit apo Jeremy Corbynit, mbrojtësit e Izraelit do të rrudhnin supet. “Ata do ta thoshin këtë, apo jo”? Dhe, në fakt, faqja e letrave e The Times-it, ditën pasuese, përfshinte dënimin tashmë të zakonshëm të çdo kritiku të fortë të Izraelit si një përsëritës të propagandës antisemitike.
Por, të injorosh zërat racionalë, të moderuar, më duket një gabim. Më vijnë ndër mend vargjet e Robert Burnsit: O sikur fuqia të na dhuronte / Të shihnim veten siç na shohin të tjerët! / Do të na shpëtonte nga shumë gabime / Dhe mendime të marra.
Pothuajse 25 vjet më parë kalova një ditë në Gazë, si pjesë e një udhëtimi për të kuptuar më mirë konfliktin mes izraelitëve dhe palestinezëve. Është histori e vështirë për ta përpunuar, nëse nuk e ke marrë mundimin të udhëtosh në tokat e kontestuara dhe të flasësh me njerëzit në të dyja anët.
Shumica dërrmuese e izraelitëve që takova nuk kishin qenë kurrë në Gazë dhe kishin pak njohuri për kushtet e jetesës atje - dhe, mund të thuash, edhe anasjelltas. Njerëz të ndershëm, në një darkë, shprehnin me siguri mendime për një botë jashtë përvojës së tyre. Duke u kthyer me makinë në rehatinë kozmopolite të Jerusalemit, pas një dite mes varfërisë dhe mungesës së shpresës së Gazës, mendova për hendekun mes të pushtetshmëve dhe të pafuqishmëve; mes atyre që jetojnë në rehati dhe atyre që nuk kanë rehati.
Nuk është udhëtim i gjatë me makinë - jo më shumë sesa rruga nga Soveto në periferinë veriore të Johannesburgut, një udhëtim të cilin e kam bërë gjatë ditëve të errëta të aparteidit - dhe më vjen keq, por paralelet ishin tepër të qarta për t’u injoruar. Atë mbrëmje darkova me David Grossmanin, ndoshta romancieri më i njohur i Izraelit, djali i të cilit u vra më vonë në Libanin jugor. Ai e nisi vaktin duke thënë: “Ke qenë sot në Gazë. Atëherë, më vjen keq, por do të jesh shumë i zemëruar”.
Pesë vjet më vonë, korrespondenti ynë në Jerusalem, Chris McGreal - gjithashtu ish-korrespondent në Afrikën e Jugut - shkroi një seri në pjesë, me 15 mijë fjalë, duke shqyrtuar me kujdes paralelet mes sistemit të aparteidit që kishte përjetuar nga afër në vendin e tij, dhe Izraelit nga ku kishte raportuar me mjaft profesionalizëm për katër vjet.
McGreal tha atë që asokohe nuk thuhej dot, dhe shpërtheu një reagim i ashpër dhe i organizuar. Pavarësisht një ankese prej 38 mijë fjalësh drejtuar rregullatorit të atëhershëm, Komisionit të Ankesave të Shtypit, nuk u gjet asnjë gabim faktik në shkrim; u bë vetëm një korrigjim i vogël në titullin e një politikani.
Më e dhimbshme ishte kundërpërgjigja nga Benjamin Pogrundi, ish-zëvendëskryeredaktor i njohur i Rand Daily Mail-it, një gazetë me histori në luftën kundër aparteidit. Në atë kohë, pas 26 vjetëve në Jerusalem, Pogrund ishte i prerë: “Nuk është e mundur të bëhet një krahasim”.
Por, rrota sillet dhe pak më shumë se dy vjet më parë, Pogrund i tërhoqi fjalët e veta. Pasi, siç u shpreh ai vetë, “kisha argumentuar me gjithë forcën time” kundër akuzës se Izraeli ishte një shtet i aparteidit, tani duhej të pranonte hapur: “Jemi në mëshirën e fashistëve dhe racistëve (të dy këto fjalë të zgjedhura me kujdes) të cilët nuk munden dhe nuk do të ndalen [...] Qeveria e djathtë po e çon vendin drejt diskriminimit dhe racizmit të institucionalizuar. Ky është aparteid. Izraeli 2023, Afrika e Jugut 1948. E kam përjetuar edhe më parë: kapje pushteti, fashizëm dhe racizëm - shkatërrim të demokracisë. Izraeli po shkon aty ku ishte Afrika e Jugut 75 vjet më parë. Është si të shohësh përsëritjen e një filmi horror”.
Dyshoj se fjalët e ndjeshme të Pogrundit kanë ndikim të madh, edhe pse vinin nga miku më besnik i Izraelit. Kjo ishte dy muaj para sulmit të tmerrshëm të Hamasit më 7 tetor 2023, por edhe atëherë, fjalët e thjeshta kishin humbur pjesën më të madhe të fuqisë së tyre për të çarë linjat e ngurtësuara dhe të polarizuara të betejës brenda shoqërisë izraelite.
Por, njerëzit duhej ta kenë dëgjuar, sepse Pogrundi e mbylli me këtë paralajmërim: “Izraeli po u jep një dhuratë armiqve të vet në lëvizjen për Bojkot, Shkëputje dhe Sanksione (BDS), si dhe aleatëve të saj [...] Ata prej kohësh kanë shtrembëruar diçka që tashmë është e keqe në diçka groteske, por tani do të pretendojnë justifikimin. Izraeli po ua jep të vërtetën”.
Dhe, ja ku jemi, tre vjet më vonë, dhe nuk janë vetëm armiqtë e Izraelit ata që po kërkojnë sanksione: janë miqtë e tij. Janë të moderuarit që janë kthyer - dhe të gjitha shenjat tregojnë se edhe ata do të shpërfillen.
Fjalët nuk kanë më vlerë - qoftë nga kolumnistët e gazetave, organizatat humanitare apo udhëheqësit botërorë. Nuk ka kuptim t’u thuash izraelitëve se qeveria e tyre po shkatërron reputacionin e mirë të vendit të tyre, apo se Izraeli po bëhet një shtet i izoluar. Askush në qeverinë e atij vendi nuk e ka fare problem këtë.
Kjo është arsyeja se pse Parris - bashkë me shumë të tjerë që më parë do të ishin të tmerruar nga masat e tilla - tani argumenton se sanksionet domethënëse janë e vetmja përgjigje e mundshme. “Përndryshe”, siç shkruan ai, “do të shikojmë pas në këto vite, si të hutuar dhe të turpëruar që lejuam që të ndodhnin këto tmerre - pa asnjë ndërhyrje serioze nga ana jonë”.
A po dëgjon ndokush? /Telegrafi/

















































