Intervistoi: Aroma Aliti
Intervista e radhës nga Telegrafi Maqedoni ishte me Erdin Osmani, një biznesmen i ri i suksesshëm në Maqedoninë e Veriut. Erdini vjen nga qyteti i Gostivarit dhe është themelues i një kompanie të quajtur “Eco Ambient”, kompani e cila tashmë ka arritur suksese të mëdha në vend.
Në mes përvojave të shumta të tij, ai e vlerëson si më të rëndësishme kohën kur ishte punësuar si supervizor në Kabul të Afganistanit. Një sukses tjetër i Erdinit është fakti që u vlerësua me çmimin Business Elite’s “30 Under 30”. Ngjashëm ai ka fituar edhe çmime nga Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut, për këto dhe të tjera tregon ai në intervistën e tij në vazhdim.
Kush është Erdin Osmani për ata që se njohin?
Erdin Osmani është një nga sipërmarrësit e rinj të vendit, i cili për një periudhë të shkurtër kohore ka arritur të sjell inovacione në vendin ku jeton dhe më gjerë, puna e palodhshme dhe konsistente në fushën e mirëmbajtjeve të objekteve ka arritur të sjellë një rol model të mrekullueshëm dhe ngritje konstante të kompanisë. Pas diplomimit ne fushën e Biznesit dhe Ekonomisë ne vitin 2015, Erdini ka qenë direkt i përballur me realitetin e tregut ku jeton duke qenë shitës në teknikën e bardhë, në një nga kompanitë më të mëdha në vend ku ka pasur rezultate të shkëlqyeshme të shitjes. Përvoja ndërkombëtare më e rëndësishme është ajo e vitit 2018 ku Erdini u punësua si field supervisor në Kabul, Afganistan ku operoj në periudhë disa mujore në shërbim të NATO Military basë e cila i solli një konfidencë dhe këmbëngulje të fortë. 6 muajt e para te vitit 2019 I kaluan duke bere kerkime tregu ne vendin ku jeton dhe duke ardhur në përfundim se në vendin e tij i mungon një kompani mirëmbajtje duke pasur parasysh migrimin e madh të popullsisë. Tash pas afër 4 viteve të plota në treg kompania, ka pasur ngritje të vazhdueshme si në nivel lokal poashtu edhe në nivel shtetëror duke qenë një nga liderët e tregut për mirëmbajtje të shtëpive dhe objekteve. Një nga sendet më të vlefshme të Erdinit është zhvillimi personal dhe punimi në aftësitë e rreja duke ndjekur kurse online dhe akademia të ndryshme nga të cilat ja vlen të përmenden Akademia për Diplomacy and Protocol në Vjenë të Austrisë dhe Akademia 7 mujore në Digital Marketing, Seavus International Education.
Nga ju lindi ideja për themelimin e një biznesi siç është “Eco Ambient” dhe a keni pritur të arrini këtë sukses?
Duke pasur parasysh faktin e migrimit të madh në vendin tonë poashtu edhe të rinisë e pashë të nevojshme që në qytetin e Gostivarit mungon një kompani e cila do të përkujdeset për shtëpitë e mërgimtarëve përderisa ata janë larg nga vendi i tyre. Pas shumë sfidave dhe njohurive të ndryshme të marra gjatë rrugëtimit në jetë e shoh veten të gatshëm për të udhëhequr kompaninë time e cila deri më tani është duke ecur në mënyrë të shkëlqyeshme. Ne si kompani jemi të fokusuar në shërbime pastrimi dhe bëjmë mirëmbajtjen e shtëpive përgjatë abonimeve vjetore duke bërë kositjen, ujitjen, pastrimin e shtëpisë dhe kontrollimin e shtëpisë brenda varësisht nga fakti se sa na jep akses klienti për t’u futur në shtëpi. Poashtu edhe këtë mund ta konsideroj si biznes i cili operon në bazë familjare për arsyen se numri më i madh i punonjësve që është i përfshirë janë pjesëtar të familjes me të cilën gjë u ndihmoj më shumë poashtu edhe neve si kompani na bëjnë më të besueshëm ne treg. Çdo herë ka vend për përmirësim dhe zhvillim në jetë. Suksesi te njerëzit nuk është i rastësishëm, mirëpo besoj se suksesi më i madh është investimi dhe zhvillimi në vete, e cila gjë automatikisht reflekton në suksesin e biznesit.
Ju jeni emëruar si një nga biznesmenët e rinj më të suksesshëm dhe keni fituar çmimin Business Elite’s “30 Under 30”, çfarë mund të thoni për këtë?
Normal është një ndjenjë e veçantë dhe ndjehem tepër i privilegjuar që jam pjesë e këtyre çmimeve të mëdha në fushën e biznesit. Besoj se çmimet e tilla janë një kurorëzim i punës së palodhshme konsistente ndër vite me radhë. Bëj pjesë në një ndër grupet e para që kanë fituar këtë çmim “30 Under 30” në vendin tonë dhe shpresoj të jetë si një frymëzim për gjeneratat e reja që të mos heqin dorë kurrë nga ëndrrat e tyre mirëpo të vazhdojnë të punojnë edhe më fortë.
Keni fituar disa çmime edhe nga Oda Ekonomike, a mund t’i përmendni ato?
Për sa i takon Odës Ekonomike së Maqedonisë së Veriut, fjalët janë të pakta që mund të them në krahasim me aq sa kanë treguar përkrahje ndaj bizneseve të reja e në veçanti ndaj neve si kompani duke na qenë afër çdoherë edhe në periudha më të vështira si ajo e Covdi-19. Në vitin 2021 pata nderin të zgjidhem si biznesmeni më i rri i suksesshëm për sa i takon zhvillimit të kompanive në kohë pandemie, e cila poashtu pati një impakt të madh pozitiv për mua dhe më frymëzoi edhe më tepër se edhe në vendin tonë ëndrrat mund të ndiqen.
A mund të arrihet sukses në Maqedoninë e Veriut dhe si?
Besoj se sipërmarrësia është diçka që njeriu e mbart me vete dhe se nuk njeh gjuhë apo vend. Normal që në disa vende je më i kufizuar mirëpo nuk është si arsye për të mos i ndjekur ëndrrat. Për sa i takon Maqedonisë së Veriut besoj se është një vend me resurse të ndryshme të cilat mund t’i shfrytëzojmë për të pasur sukses në fusha të ndryshme. Është koha e gjeneratave të rreja ku globalizimi është gjithnjë e më afër dhe poashtu kyçja në informacione të rreja. Patjetër që sukses mund të arrihet edhe në vendin tonë mirëpo duhet të jemi të gatshëm të paguajmë koston e një pune të palodhur ndër vite.
Çfarë këshille dhe mesazhi do iu jepje të rinjve që dëshirojnë të fillojnë një biznes?
Për sa i takon biznesit mesazhi që do të ofroja deri te të rinjtë është se pik së pari duhet të kenë një qëllim të fortë i cili do të jetë përtej të gjitha mendimeve që mund t’i kenë qoftë edhe ato financiare dhe se çdo gjë kërkon kohën e vetë deri sa të arrihet. Për fund do e përmbyllja me thënien e Jack Ma i cili thotë: “ Për të filluar një biznes mos e shihni se çka bën Steve Jobs dhe Bill Gates, po shihni se çfarë nevoje dhe kërkese kanë fqinjët tuaj”.