Emily Ratajkowski e rikthen guximin në pistën e modës me një fustan ndryshe nga çdo tjetër

Kur provokimi kthehet në art: Çdo paraqitje e saj është një histori më vete - dhe kjo ishte më e komentuara në Javën e Modës
Emily Ratajkowski shkëlqeu në Calvin Klein Fashion Show në New York, duke e çuar trendin e prerjeve të theksuara në një nivel krejtësisht të ri. Autorja e librit My Body zgjodhi një fustan me dizajn nga koleksioni i vjeshtës 2025, i cili binte në sy për hapjen e madhe në pjesën anësore dhe shpinë. Modeli me jakë të lartë i linte të dukshme format e saj elegante, duke krijuar një pamje provokuese dhe plot finesë.
Stilin e plotë e kompletoi me çizme lëkure me takë të ulët, syze dhe grim në nuanca terakote e korale, ndërsa flokët e gjatë i mbajti të ndarë në mes për një pamje klasike dhe të sofistikuar, transmeton Telegrafi.

Ky nuk është hera e parë që Ratajkowski tërheq vëmendje me zgjedhjet e saj të guximshme në tapetin e kuq. Vetëm pak muaj më parë, ajo u shfaq në “Late Night With Seth Meyers” me një fustan Gucci të viteve 2000, të cilin më parë e kishte veshur edhe Gwyneth Paltrow në Met Gala 1999.
Paraqitja e saj e fundit në New York erdhi pas thashethemeve për një lidhje të mundshme me aktorin Austin Butler, duke e bërë prezencën e saj edhe më intriguese për publikun. Me këtë dukje, Emily dëshmoi edhe një herë se është një nga ikonat më të guximshme të modës bashkëkohore, e aftë të krijojë pështjellim sa herë që shfaqet në publik.

/Telegrafi/

















































