Elzina dhe Elon Morina humbën jetën tragjikisht në një pishinë në Kanada, Shoqata Kosova-Montreal njofton për ceremoninë lamtumirëse

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të martën në mbrëmje në lagjen Lachine të Montrealit, Kanada, ku një nënë 34-vjeçare nga Deçani dhe djali i saj 3-vjeçar kanë humbur jetën tragjikisht në një pishinë private.
Shoqata shqiptare Kosova - Montreal, ka shprehur ngushëllime për vdekjen tragjike të Elzina Morinës dhe djalit të saj 3 vjeçar, transmeton Telegrafi.
"Shoqata Shqiptare Kosova-Montreal, me zemër të thyer dhe dhimbje të thellë, njofton komunitetin për ndarjen tragjike nga jeta të Elzina Morina, 34vjeçare (14 maj 1991 – 10 qershor 2025), dhe të birit të saj të vogël Elon Morina, vetëm 3 vjeç (25 nëntor 2021 – 10 qershor 2025)", thuhet në njoftimin e tyre.
Po ashtu, në njoftimin e tyre thuhet se ky lajm ka tronditur thellësisht të gjithë komunitetin.
"Humbja e një nëne të re dhe e fëmijës së saj është një plagë e rëndë për familjen, të afërmit dhe të gjithë ata që i kanë njohur", vijon reagimi.
Shoqata po ashtu ka njoftuar se kur do të bëhet varrimi i viktimave.
Ceremonia e lutjeve dhe nderimit do të mbahet të shtunën, më 14 qershor 2025, në Xhaminë e quajtur “Balkan Muslim Community”, në ora 13:00.
📍 Adresa: 2836 Rue Allard, Montréal, QC ⚰️ Pas ceremonisë, përcjellja për në banesën e fundit do të bëhet në: 📍 Varrezat: 5505 Rang du Bas-Saint-François, Laval, QC H7E 4P2 🤲 Pamja për ngushëllime do të mbahet të dielën, më 15qershor, nga ora 10:00 – 14:00, në ambientet e xhamisë: 📍 Balkan Muslim Community, 2836 Rue Allard, Montréal, QC
"Shoqata Shqiptare Kosova-Montreal shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Morina në këtë moment të vështirë për familjen, shoqërinë dhe komunitetin tonë! Zoti qoftë me ju", thuhet mes tjerash në reagim.
Ndryshe, sipas informacioneve fillestare, dyshohet se fëmija ka rënë aksidentalisht në pishinën e shtëpisë ku jetonte familja, ndërsa e ëma ka tentuar ta shpëtojë, por fatkeqësisht të dy kanë humbur jetën.
Autoritetet kanadeze kanë konfirmuar vdekjen e nënës dhe fëmijës në vendin e ngjarjes. /Telegrafi/



































