Komuna e Ferizajt, me një varg aktivitetesh ka festuar 12 qershorin si ditën e çlirimit. Kryetari i kësaj komune Agim Aliu sëbashku me ekipin e tij dhe me drejtues të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ferizaj, kanë bërë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve për të vazhduar më tej me aktivitete të tjera.

Aliu ka thënë se 12 qershori është datëlindja e lirisë së Kosovës, është data e lavdisë, krenarisë, sakrificës e kujtesës për lirinë e Kosovës, skalitur përjetësisht me emblemën e krenarisë kombëtare - Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, gjakun e dëshmorëve e martirëve, luftëtarëve të lirisë.


“Kjo ditë simbolizon edhe përpjekjen e sakrificat e brezave ndër shekuj që kulmuan në 12 Qershorin e 1999-tës me Ditën e Çlirimit të Ferizajt, Ditën e Çlirimit të Kosovës. Sot e përjetësisht me nderim e përkulje pranë varreve të Dëshmorëve të Kombit, kujtojmë sakrificën sublime, lavdinë e veprës heroike të Dëshmorëve të Kombit, luftëtarëve të lirisë, me gjakun e të cilëve ngriti themelet liria e Kosovës, Republika e Kosovës. Lavdi e përjetshme Dëshmorëve të Kombit dhe të rënëve për liri. Urime 12 Qershori - Dita e Çlirimit të Ferizajt dhe Kosovës”, ka thënë midis të tjerash Aliu./Telegrafi/