Site icon Telegrafi

Ekzaminimet mjekësore treguan se Schick është shëruar, tash Interi udhëheq garën për sulmuesin

Sampdoria është duke marrë telefonata nga Interi, Roma, Napoli dhe Monaco për shërbimet e Patrik Schick.

Në muajin e kaluar u anulua marrëveshja për transferimin e sulmuesit te Juventusi, pasi dështoi në ekzaminimet mjekësore për shkak të një problemi me zemër.

Lexo po ashtu Schick bën testet mjekësore në Milano

Mirëpo, ditën e mërkurë, futbollisti çek iu është nënshtruar sërish testeve mjekësore, të cilat kanë treguar se problemi është shëruar.

Nga një qendër e njohur mjekësore në Milano i është thënë se futbollisti mund t’i rinisë stërvitjet. Ai kishte pushuar rreth një muaj në Pragë dhe ishte marrë vetëm me ushtrime shumë të lehta në palestër.

“Jemi jashtëzakonisht të lumtur, sepse testet treguan se djaloshi është i shëndetshëm. Problemi që ka pasur është shëruar. Profesori (i klinikës) na ka thënë se gjithçka është në rregull dhe ai nuk ka nevojë për ekzaminime të tjera”, ka thënë mjeku i ekipit të Sampdorias për Sky Sport Italia.

Sampdoria dëshiron ta mbajë lojtarin, të cilit i ka ofruar kontratë të re, mirëpo do ta ketë të vështirë, pasi shumë klube i kërkojnë shërbimet e tij.

Sipas Sky Sport Italia dhe Sportitalia, Interi është favoriti kryesor për transferimin e Schick. /Telegrafi/

Exit mobile version