LAJMI I FUNDIT:

Ekskluzive, Abbott: Shqetësuese retorika e përdorur nga përfaqësuesit e të dy vendeve para dhe pas takimeve të dialogut- kjo mbyll hapësirën për negociata dhe kufizon potencialin për ndryshim

Ekskluzive, Abbott: Shqetësuese retorika e përdorur nga përfaqësuesit e të dy vendeve para dhe pas takimeve të dialogut- kjo mbyll hapësirën për negociata dhe kufizon potencialin për ndryshim

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott në një intervistë ekskluzive për Telegrafin ka folur për marrëdhëniet Kosovë – Mbretëri e Bashkuar, marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës e Serbisë, procesin e Vettingut në Kosovë, etj.

Abbot në këtë intervistë ka folur edhe për rolin e të dërguarit të posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin dhe rolin e tij në dialogun Kosovë- Serbi.

Ai ka thënë se i dërguari i kryeministrit, Boris Johnson për Ballkanin do të ndihmojë BE-në në dialogun Kosovë – Serbi.


Ambasadori britanik më tej deklaroi se marrëveshja Kosovë- Serbi do të thotë të pranosh se kompromisi, jo koncesioni, është i nevojshëm për të arritur një marrëveshje përfundimtare që kënaq të dyja palët.

Telegrafi: z. Abbott, Britania e Madhe është ndër shtetet kryesore që ka ndihmuar në zhvillimin e Kosovës së sotme, cilat janë relacionet sot në mes të këtyre dy vendeve?

Abbott: Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova mbesin aleatë shumë të ngushtë ndërsa marrëdhëniet tona forcohen. Sigurisht, ne do të kemi gjithmonë një lidhje të veçantë si rezultat i rolit të Britanisë së Madhe në 1999, por miqësia jonë ka më shumë sesa kjo trashëgimi. Ne të dyja jemi demokraci moderne, që shikojmë përpara, kështu që është e rëndësishme që marrëdhënia jonë të bazohet tani mbi parimin e punës së Britanisë moderne me Kosovën moderne.

Në fillim të Vitit të Ri, Kosova do të presë një delegacion të Mbretërisë së Bashkuar për grupin tonë të parë të bisedimeve zyrtare dypalëshe që nga largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian. Këto do të mbulojnë jo vetëm çështje si mbrojtja dhe siguria, por edhe fusha të tilla si tregtia dhe investimet. Duke pasur parasysh vlerat tona të përbashkëta dhe lidhjet e krijuara nga diaspora e Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, mendoj se mund të bëjmë shumë më tepër për të promovuar lidhjet e biznesore dhe kulturore ndërmjet dy vendeve tona.

Kosova sigurisht që është gjithashtu pjesë e një rajoni që mbetet i një rëndësie të madhe për Britaninë e Madhe. Këtë javë, Kryeministri emëroi një të dërguar të ri të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach. Mezi pres që Sir Stuart të bashkojë përpjekjet për të trajtuar sfidat që ndajmë këtu. Sir Stuart sjell shumë përvojë dhe njohuri për Kosovën dhe rajonin.

Për sa i përket asaj se çfarë do të thotë kjo për Kosovën, Sir Stuart do të jetë në gjendje të mbështesë dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja, si dhe çështje të tilla si krimet e luftës dhe personat e pagjetur dhe promovimin e iniciativës së MB-së për dhunën seksuale të lidhur me konfliktet.

Telegrafi: z. Abbott, në Kosovë kemi pasur së fundmi zgjedhje parlamentare dhe ndërrim pushteti në nivel vendi dhe sapo kemi përfunduar zgjedhjet e rregullta lokale- si i keni parë këto zhvillime në Kosovë?

Abbott: Të dy palët e zgjedhjeve u zhvilluan mirë. Përderisa partitë mund të mos pajtohen fuqishëm për rrugën përpara, si në zgjedhjet nacionale ashtu edhe në ato lokale, liderët e partive i pranuan rezultatet shpejtë dhe me mirësi, gjë për të cilën kosovarët me të drejtë krenohen.

Kosova tani ka një periudhë të mirëpritur të stabilitetit, me një qeveri me mundësi për të qeverisur për një mandat të plotë, që shpresoj se do të mundësojë realizimin e ndryshimit i cili u votua në shkurt.

Telegrafi: z. Abbott, Britania e Madhe është e përfshirë në procesin e ndihmës për selektimin e personave profesional nëpër borde e agjenci të pavarura të Kosovës- Sa jeni të kënaqur me procesin e deri tashëm?

Abbott: Po jam. Ne e kemi mbështetur Kosovën që nga viti 2016 përmes Projektit tonë të Rekrutimit, i cili deri më tani ka qenë i përfshirë në rreth 100 procese rekrutimi. Projekti ofron asistencë teknike në hartimin dhe zbatimin e proceseve të drejta dhe meritokratike të rekrutimit për zyrtarët e lartë, duke përfshirë të gjitha gjinitë dhe grupet minoritare. Ne e bëjmë këtë për të mbështetur përpjekjet e Kosovës kundër nepotizmit dhe korrupsionit dhe për të përmirësuar efektivitetin e institucioneve të Kosovës.

Gjatë pesë viteve të fundit ne kemi parë një përmirësim të vazhdueshëm në cilësinë e këtyre proceseve dhe jam i kënaqur që në këtë fazë të fundit të projektit kandidatët e rekomanduar me performancen më të mirë nga ekspertët britanikë, janë emëruar. Ka disa procese rekrutimi që janë në pritje të emërimit; proceset që do të duhet të ridrejtohen nga jashtë; si dhe të tjera që institucionet kosovare kanë vendosur t’i anulojnë dhe t’i ri përsërisin.

Telegrafi: Si e keni parë nismën qeveritare për procesin e vettingut në sistemin e drejtësisë?

Abbott: Ne kemi mbështetur përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë për disa kohë. Ne kemi punuar me gjyqësorin dhe qeverinë për të kryer një rishikim funksional të të gjithë sistemit të drejtësisë, si dhe punën e tij për vlerësimin e opsioneve për zbatimin e një procesi vettingu për gjyqësorin. Kështu që jam i kënaqur të shoh përparim. Por në çdo vend ku është vendosur një sistem i tillë vettingu, është gjithmonë një proces delikat që kërkon maturi për t’u zbatuar me sukses. Për këtë arsye, ne kemi inkurajuar qeverinë që të konsultohet me Komisionin e pavarur të Venecias për këtë, dhe të dëgjojnë me kujdes shqetësimet e partnerëve të tjerë ndërkombëtarë.

Telegrafi: Si e vlerësoni dialogun Kosovë –Serbi dhe cili është qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar për një marrëveshje finale?

Abbott: Mbretëria e Bashkuar vazhdon të mbështesë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja dhe i dërguari ynë i ri do të punojë në mbështetje të këtij procesi.

Ne e mbështesim dialogun sepse besojmë se është në interes të qytetarëve në të dyja vendet të arrihet një marrëveshje që i mundëson Kosovës dhe Serbisë integrimin e plotë në bashkësinë ndërkombëtare, zgjidhjen e çështjeve të së kaluarës dhe ndërtimin e një të ardhme më të mirë për Kosovën dhe Serbinë. Është jetike për sigurinë e Ballkanit Perëndimor në tërësi. Çdo marrëveshje që përfitojnë qytetarët e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe Serbi dhe garanton sigurinë e tyre do të mbështetet nga Mbretëria e Bashkuar.

Megjithatë, progresi i ngadalshëm i kohëve të fundit në negociatat dhe zbatimin e angazhimeve ekzistuese është shqetësues. Përderisa kjo pasqyron realitetin e një periudhe me një qeveri të re në Kosovë dhe zgjedhjet në të dyja vendet, progresi në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare që përfitojnë qytetarët e zakonshëm është thelbësor. Të dy vendet duhet të angazhohen në mirëbesim me procesin e dialogut dhe njëri-tjetrin.

Pjesë e kësaj do të thotë të pranosh se kompromisi, jo koncesioni, është i nevojshëm për të arritur një marrëveshje përfundimtare që kënaq të dyja palët dhe qytetarët e tyre. Sfera publike dhe politike duhet ta kuptojnë dhe ta pranojnë këtë. Unë jam gjithashtu i shqetësuar për retorikën e përdorur nga përfaqësuesit e të dy vendeve para dhe pas takimeve të dialogut. Kjo mbyll hapësirën për negociata dhe kufizon potencialin për ndryshim.

Telegrafi: Për fund, ku i shihni potencialet më të shumta të bashkëpunimit dhe në cilat sfera ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar?

Abbott: Unë kam përmendur tashmë bashkëpunimin tonë në sektorët e mbrojtjes dhe drejtësisë, si dhe projektin tonë të rekrutimit. Ne gjithashtu mbështesim institucionet kosovare p.sh. duke forcuar administratën tatimore dhe për njohjen e statusit për viktimat e dhunës seksuale në konflikt. Ne duam të vazhdojmë ta zgjerojmë këtë bashkëpunim dhe po shikojmë fusha të reja ku mund të bashkëpunojmë, siç është siguria kibernetike.

Siç e përmenda në fillim, ka edhe më shumë që Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova mund të bëjnë si partnerë për çështjet globale që kërcënojnë të dyja palët. Pavarësisht nëse marrim masa për mjedisin ose bëjmë fushatë kundër dhunës seksuale ndaj grave dhe vajzave në konflikt, ose inkurajojmë tregti dhe investime të reja, ne do të vazhdojmë të jemi ambicioz. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Lajme
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

Sociale
Kalo në kategori