Anësori i Lille, Edon Zhegrova, është shumë pranë kalimit te Juventusi, pasi situata e transferimit të Nico Gonzalez po shkon drejt zgjidhjes midis Atletico Madrid dhe bardhezinjve.

Zhegrova kishte hyrë në orbitën e gjigantëve italianë që nga 16 gushti, kur u raportua për herë të parë nga Gianluigi Longari i Sportitalia për një transferim të mundshëm në Torino.


Kosovari më në fund mund të marrë dritën jeshile për t’u bashkuar me “Zonjën e Vjetër”. Kontrata e tij me Lille është drejt fundit, ndërsa për të kishte shfaqur interes edhe Olympique Marseille, por Zhegrova ka pritur Juventusin, i cili duhej të përfundonte më parë marrëveshjen për Nico Gonzalezin.

Sipas mediave italiane, Atletico Madrid është shumë afër përfundimit të transferimit të argjentinasit, i vlerësuar mes 30 dhe 35 milionë eurove. Kjo hap rrugën që Zhegrova të zbarkojë në Torino.

Juventusi po planifikon një marrëveshje fillimisht në formë huazimi me detyrim blerjeje, kushte që raportohet se janë të pranueshme për spanjollët.

Në momentin që të zyrtarizohet largimi i Gonzalez, pritet edhe kalimi i Edon Zhegrovës në Serie A, për të veshur fanellën bardhezi. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app