Debati i Kuvendit në kuadër të seancës së gjashtë për shkarkim të prokurorit publik të Republikës së Maqedonisë Marko Zvrlevski do të vazhdojë nesër (15 gusht), përcjell Telegrafi Maqedoni.
Deputetët e OBRM-PDUKM-së edhe pasdite në replika dhe kundërreplika të ndërsjella, vlerësuan se qëllimisht forsohet ky debat në Kuvend me qëllim që, siç theksuan, të shpërqendrohet opinioni nga temat aktuale, si borxhi, zjarret, strategjia për refugjatët, deponia në Strugë, Marrëveshja me Bullgarinë.
Deputetët e shumicës në Kuvend paralajmëruan se do të heqin dorë nga fjalimet e tyre me qëllim që më shpejtë legalisht të shkarkohet Zvrlevski dhe të zgjidhet prokurori i ri publik shtetëror që të fillojë reformat në gjyqësi.
Për deputetët e opozitës kërkesa është e pabazë dhe e paargumentuar. Ata u referohen nenit 8a nga Kodi zgjedhor me të cilin, siç thonë, është theksuar se të gjithë procedurat për emërim dhe shkarkim të funksionarëve nuk guxojnë që të ndodhin kur janë shpallur zgjedhje. Në pajtueshmëri të kësaj, porosisin, nuk ka mundësi për shkarkim të Zvërlevskit para 16 tetorit. /Telegrafi/