Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë kanë sjellë një rezultat befasues në Gjilan, ku kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Burim Demiri, ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm me mbi 11,600 vota të grumbulluara deri më tani.
Ky rezultat e vendos atë në një pozitë të fortë për të siguruar një ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Demiri, i cili u përfshi për herë të parë në politikë në këto zgjedhje, ka tejkaluar pritshmëritë, duke u shndërruar në një nga emrat më të votuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Aktualisht, ai renditet ndër kandidatët kryesorë të partisë, madje duke lënë pas shumë deputetë aktualë nga të gjitha subjektet politike.
Me mbi 80% të votave të numëruara, ai potencialisht pritet të jetë pjesë e legjislaturës së re, duke shënuar një fitore të rëndësishme si për veten, ashtu edhe për Vetëvendosjen në këtë komunë.
Ai nuk është i vetmi artist nga Lëvizja Vetëvendosje që po performon mirë me vota, pasi në një situatë të mirë duket të jenë edhe këngëtarja Edona Llalloshi dhe aktorja Adriana Matoshi.
Në pritje të rezultateve përfundimtare, mbetet për t’u parë se si do të formohet ekuilibri i ri politik në Kuvend, por pa dyshim, Burim Demiri tashmë ka siguruar një vend të rëndësishëm në skenën politike të Kosovës. /Telegrafi/