Telegrafi

Eden Golan – këngëtarja që përfaqësoi Izraelin në ‘Eurovision 2024’ po bëhet gati për t’u bashkuar me ushtrinë izraelite

Foto: Jessica Gow/TT News Agency/AFP/Sweden OUT/Getty Images

Eden Golan, përfaqësuesja e Izraelit në Eurovisionin e këtij viti që u mbajt në Suedi, po përgatitet të fillojë shërbimin ushtarak në Izrael.

“Ende nuk jam regjistruar për në ushtri, por sapo të kthehem nga Eurovisioni, do të përgjigjem në thirrjen e parë. Në vitin e parë si kthimtar nuk të thërrasin, por tani që ka kaluar një vit, më kanë thirrur, por shërbimi im u shty për shkak të Eurovisionit”, tha Eden ndërsa qëndronte në Suedi.

Sipas fjalëve të saj, Eden planifikon të merret me muzikë gjatë shërbimit ushtarak. “Shërbimi ushtarak është një mision, dhe dua të marr pjesë në audicionet për orkestrat ushtarake”, ka deklaruar ajo.

Foto: AP Photo/Martin Meissner

Eden gjithashtu tregoi se, pavarësisht thonjve shumë të gjatë, që janë një nga shenjat e saj dalluese, ajo është e gatshme të përdorë armët. “Mund të bëj gjithçka me këta thonj! Absolutisht gjithçka. Të laj enët, të vendos varëse, vathë, madje edhe të përdor armë”, tha ajo për mediat lokale.

Kujtojmë që Eden Golan fillimisht do të merrte pjesë në ‘Eurovision 2024’ me këngën “October Rain”. Megjithatë, organizatorët e Eurovisionit kërkuan nga Izraeli që të ndryshonte tekstin e këngës, pasi ata vlerësuan se përmbante një mesazh politik. Tri vargjet e fundit duhej të këndoheshin në hebraisht dhe përfshinin referenca për sulmet e Hamasit në tetorin e vitit të kaluar.

Pas kësaj, kënga u quajt “Hurricane” në versionin e ri. Sipas votave të jurisë, Izraeli ishte në vendin e 12-të me vetëm 52 pikë. Por publiku i dha Izraelit 323 pikë, duke i sjellë një total prej 375 pikësh dhe përfundimisht vendin e pestë. /Telegrafi/