Qindra nxënës të shkollave të mesme të larta të komunave të Prizrenit dhe Gjakovës kanë marrë pjesë në sesionet informuese të organizuara nga EC Ma Ndryshe, me synimin për përfshirjen e të rinjve për çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshimet klimatike.

Sesionet informuese, sipas njoftimit të kësaj organizate, janë mbajtur në dhjetë institucione arsimore, me pjesëmarrjen e nxënësve të klasave të dhjeta dhe të njëmbëdhjeta, me fokus të veçantë në edukimin mjedisor, promovimin e vlerave të qëndrueshmërisë dhe prezantimin e “Shkollës së Aktivizmit Mjedisor”. Kjo iniciativë e EC-it synon që ti shndërrojë të rinjtë në zëra të fuqishëm për mbrojtjen e mjedisit në komunitetet e tyre.


“Konkretisht “Shkolla e Aktivizmit Mjedisor” do të ofrojë një platformë trajnimi dhe angazhimi për të rinjtë, duke i pajisur ata me njohuri dhe aftësi praktike për të ndërmarrë veprime konkrete në fushën e mjedisit dhe për të promovuar ndryshime pozitive në shkollat dhe lagjet e tyre”, thuhet në njoftim.

Ky aktivitet është organizuar në kuadër të projektit “Horizonte të Gjelbra – Nisma e Tranzicionit të Gjelbër nga të Rinjtë dhe Komuniteti në Kosovën Perëndimore”, që zbatohet nga EC Ma Ndryshe, si partner i organizatës Care International Balkans dhe me mbështetjen të Bashkimit Evropian, si dhe me Syrin e Vizionit si bashkë-zbatues.

Projekti ka për qëllim të fuqizojë të rinjtë dhe komunitetin lokal përmes aktiviteteve që promovojnë mbrojtjen e mjedisit dhe tranzicionin drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe të gjelbër. /Telegrafi/