Modelja më e famshme plus size, Ashley Graham, u shfaq në kopertinën e shtatorit të edicionit gjerman të Vogue.
Në një intervistë për revistën e lartpërmendur, ajo ka folur për pengesat që ka hasur në industrinë e modës.
“Një nga fotografët e parë me të cilët punova i tha nënës sime: ‘Nëse Ashley humb peshë dhe kalon nga madhësia 12 në madhësinë 6, ajo mund të punojë me kohë të plotë’. Unë isha 12 vjeçe në atë kohë. Mund ta imagjinoj si mund të ndihen vajzat e reja sot për shkak të rrjeteve sociale”, ka treguar Ashley për fillimet e saj në industrinë e modës.
Ajo gjithashtu pranoi se ishte e vetëdijshme për dukjen e saj si vajzë, por se kjo nuk ishte kurrë një problem për të, së paku derisa hyri në botën e modës.
“Isha shumë e vetëdijshme që kofshët e mia po fërkoheshin me njëra-tjetrën, se dhjami i barkut më dilte nga xhinset, se krahët e mi ishin më të trashë se ato të shoqeve të mia”, kujton modelja.
Ashley ka ndërtuar një karrierë shumë të suksesshme dhe revista Maxim e shpalli atë gruan më tërheqëse në botë në prill të këtij viti, duke theksuar se besimi i saj është transmetues dhe frymëzues, “duke dëshmuar se bukuria vjen në të gjitha format dhe madhësitë” dhe se ajo “na kujton se sekreti për t’i tejkaluar të gjitha nuk është vetëm në pranimin e linjave tuaja, por edhe në pranimin e vetes ashtu siç jeni”. /Telegrafi/