“E pritëm të gjallë, por nuk erdhi", Velime Kryeziu kujton fjalët e burrit: Më tha nëse të dalin serbët përpara, çikat mos t’i marrin

Më 9 prill, Kosova kujton betejën heroike të Koshares, një nga momentet më kulmore të luftës për çlirim, e cila u zhvillua në kuadër të operacionit “Shigjeta” në vitin 1999.
Në përvjetorin e 26-të të kësaj beteje, rrëfimet prekëse të familjarëve dhe bashkëluftëtarëve të dëshmorëve rikthejnë emocionet dhe dhembjen e asaj kohe.
Velime Kryeziu, bashkëshortja e dëshmorit Imer Kryeziu, rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të shoqin, që nuk u kthye më nga lufta.
“E pritëm të gjallë, por nuk erdhi. Veç më ka thënë: nëse të dalin serbët përpara, çikat mos t’i marrin”, kujton ajo.
Ajo tregon ndarjen e fundit dhe porositë që Imeri kishte lënë për familjen, që sot për të janë të shenjta.
“Kemi qenë në një bjeshkë dhe na ka lënë, ka dalë. Pas gati dy muajsh dëgjuam që ishte mbytur… Kam qëndruar gjashtë javë te familja ime, kur u ktheva në shtëpi, prita se po vjen, por nuk erdhi. Me një tubë fëmijësh, 12 fëmijë, na la…”, rrëfen ajo, duke kujtuar me dhimbje dhuratën simbolike që burri i saj i kishte lënë djalit të vogël – një plumb të shpuar për ta varur në qafë dhe disa sende personale.
Edhe të tjerë familjarë e bashkëluftëtarë sollën në kujtesë momentet e fundit me më të dashurit e tyre.
Zyla Hasani, mbesa e heroit Azem Thaçi, kujton përshëndetjen e fundit me axhën e saj.
“Kam qenë shumë e vogël dhe nuk e kam kuptuar që nuk do të kthehej më. Edhe pse më premtoi se do të kthehet. Jam krenare për veprën e tij, por shteti duhet të bëjë më shumë, se po harrohen”.
Naile Avdyli Beka, motra e dëshmorit Harun Beka, tregoi me lot në sy momentin kur mori lajmin për rënien e të vëllait.
“Ka jetuar 42 vjet në Gjermani dhe nuk kishte ardhur për 17 vjet për shkak të persekutimit nga Serbia. Në luftën e Koshares është bashkuar me Ushtrinë Çlirimtare dhe nuk e kemi parë më. Lajmin e morëm përmes televizionit. Ka qenë shumë e vështirë”, u shpreh për KP.
Zenel Krasniqi, një ndër miqtë më të afërt të heroit Salih Çeku, kujtoi ndarjen e fundit me të në Shtutgart, para nisjes drejt Shqipërisë dhe frontit të luftës.
“Salihu ishte i heshtur, por me fjalë të mëdha: ‘ja liri, ja vdekje’. E dinte se ku po shkonte, dhe për çfarë po flijohej. Ai dhe shumë të tjerë ranë që Kosova të jetë e lirë. Shteti duhet të fillojë nga ata”.
Beteja e Koshares mbetet një ndër faqet më të ndritura të historisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo theu kufirin shqiptaro-shqiptar dhe ndryshoi rrjedhën e luftës, duke i dhënë forcë përfundimtare idealit për liri dhe pavarësi. Lavdia e asaj beteje do të jetojë përgjithmonë në kujtesën kombëtare.





















































