E la jashtë listës për Ligën e Kampionëve, Slot tregon se si e priti Chiesa vendimin

Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka folur hapur për situatën e Federico Chiesas, i cili mbeti jashtë listës së klubit për fazën e parë të Ligës së Kampionëve. Vendimi i holandezit ka ngjallur diskutime, ndërsa ai ka zbuluar edhe reagimin e italianit ndaj këtij përjashtimi.
Chiesa, i cili iu bashkua Liverpoolit verën e kaluar nga Juventusi për një shumë prej 15 milionë eurosh, ende nuk ka arritur të lërë gjurmë të forta në Anfield.
Sezonin e kaluar ai zhvilloi vetëm 14 paraqitje me ekipin e parë, duke grumbulluar gjithsej 466 minuta në të gjitha garat. Në këtë edicion të Ligës Premier, sulmuesi italian është aktivizuar në të tre ndeshjet e para, gjithmonë nga stoli, duke shënuar edhe golin e tij të parë në elitën angleze, por duke mos kaluar më shumë se 11 minuta në fushë për ndeshje.

Megjithatë, lajmi më i madh erdhi fillimin e shtatorit, kur Chiesa nuk u përfshi në listën Ligës së Kampionëve për pjesën e parë të sezonit 2025/26. Kjo do të thotë se ai nuk do të ketë mundësi të luajë në Evropë, përveçse nëse Liverpool arrin raundet eliminatore dhe Slot vendos të bëjë ndryshime në skuadër.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes së radhës, tekniku i Liverpoolit u pyet për këtë vendim dhe për reagimin e lojtarit.
“Sigurisht që ishte e vështirë për një trajner dhe e vështirë për lojtarin. Ai nuk ishte i kënaqur me këtë vendim, por e kuptoi argumentin. Më pëlqeu përgjigja e tij – ishte ajo që dëshiron të dëgjosh nga një lojtar profesionist. Ai do të jetë aty për të ndihmuar ekipin në Ligën Premier dhe në garat e tjera”, u shpreh Slot për Liverpool Echo.
Trajneri holandez shtoi se Chiesa ka treguar profesionalizëm maksimal pas këtij vendimi.

“Ai ka punuar shumë gjatë këtyre ditëve për t’u përgatitur për ndeshjet e ardhshme. Për mua kjo ka më shumë rëndësi sesa fjalët e një lojtari”, deklaroi Slot. /Telegrafi/


















































