Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka folur pas triumfit 2-1 ndaj Differdange në ndeshjen e parë të play-offit në Ligën e Konferencës, ku ka theksuar se ky është vetëm hapi i parë drejt objektivit madhor dhe se rruga drejt suksesit është ende e gjatë.

Fillimisht Albert Dabiqaj, pastaj Besnik Krasniqi shënuan golat për kampionin e Kosovës.


“Është vetëm pjesa e parë. E kemi mbaruar 50 për qind të punës e na pret edhe një tjetër. E thash që duhet të jemi të kënaqur me një gol avantazh. Ndodhi ajo që ishte si objektiv primar i joni për të shkuar me një gol avantazh”.

Ai është ankuar në ndeshjen e fundjavës me Ferizajn, ku humbi 1-0, ndërsa i gëzohet pushimit të kësaj jave.

“Ekipi nuk ishte mirë. E kam thënë edhe më herët që nuk duhet lojë të bukur por rezultate. Ndikimi më i madh ishte ajo ndeshja me Ferizajn në bar sintetik me 40 gradë celsius dhe u pa që nuk kemi freskinë e duhur. Në fundjavë tani kemi pushim. Duhet të rigjenerohet ekipi dhe të shohim gabimet e të përsërisim lojën që e kemi pasur në rundin e parë”, ka thënë ai.

Sipas Ramadanit, nuk ka fjalë që mund t’i motivojë futbollistët më shumë sesa vetë vlera e garës./Telegrafi/ 

telegrafi sport app