LAJMI I FUNDIT:

E kaluara jonë historike, pengu ynë i përbashkët

E kaluara jonë historike, pengu ynë i përbashkët

“I can’t understand/ What makes a man/ Hate another man/ Help me understand.” (Depeche Mode)

Që kur ndjek këto vargje kënge, jam plotësisht e sigurt se sikush nga ju do i njihte prej nga ato vinin. Të paktën që nga mesi i viteve ‘80, muzika që vinte fshehtas në veshët e të rinjve përmes shiritave të magnetofonit do ta kuptonte se ndihet tërësisht familjar me bandën rebele britanike, “Depeche Mode”. Një zë buçitës e komandues, e po aq një ritëm gërvishtës që evoluonte me ritmin e pandërprerë të një kitareje që dukej sikur do krijonte një ajër shpërthyes nga çasti në çast. ‘Where’s The Revolution?’, kënga e mesit të viteve ‘90 e ‘Depeche Mode’, literalisht ishte shfaqur aty-këtu mes koncerteve të mëdha por asnjëherë nuk kishte ngjallur diskutime të mbushura me adrenalinë, si dikur tekstet e këngëve të tyre, në mesin e viteve ‘80.


Do të thosha pak a shumë të njëjtën gjë edhe për ‘Delta Machine’, albumin që grupi e publikoi aty rreth vitit 2013. I vetmi dyshim që mund të na ngacmonte pak më shumë sot mendimin cinik të një realiteti krejt tjetër, është mesazhi i hapur politik thuaj në të gjitha tekstet e tij. Kjo padyshim mbetet një risi, sido që të jetë. Kështu është, por dhe ka qenë gjithmonë në fakt. Vargjet e famshme të këngëve të “Depeche Mode”, me autor Dave Gahan, liderin karizmatik të grupit, i jepnin zë gjithmonë indinjatës popullore që vinte prej qeverisjes, shoqërisë indiferente, apo dhe boshllëkut të pabarabartë që na dhuroi Brexit-in, Trumpin, por që mund të shënojë edhe surpriza të reja për një Evropë të trazuar, si Le Pen e të gjitha llojet e lëvizjeve të tjera gjoja ‘populiste’ në mbarë botën. Dhe në vazhdim të vitit 1984, albumi ‘Some Great Reward’, përfshinte pikërisht këngën ‘People Are People’, disa nga vargjet e së cilës mbanin mesazhe politike të kodifikuara që nën muzikën pop, shprehnin indinjatën mbi pabarazinë sociale dhe intolerancën në të gjitha këndet e globit.

“Nuk mund ta kuptoj/ çfarë e bën një njeri/ të urrejë një njeri tjetër/ më ndihmo të kuptoj”.

Janë disa nga vargjet e sipërme të cilat dëshmojnë se cili është dhe shkaku përse 23 gushti është caktuar prej institucioneve evropiane të kremtohet si dita e fjongos së zezë, si dita e kujtesës së viktimave të nazizmit dhe totalitarizmit. Për të mos harruar dhe për të parë pas në kohë, për të kuptuar dhe mësuar nga e kaluara e për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Por natyrisht në këtë ditë, ne kujtojmë humbjen tragjike, vuajtjen e tmerrshme dhe dëmin e pallogaritshëm që regjimet totalitare nazo-sovjetike i shkaktuan popullit të Evropës në gjithë këto vite. Kjo është jetike sepse, siç tha dikur, zv. Presidenti i Komisionit Evropian dhe Komisioneri përgjegjës për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë, Franko Fratini: “Ne mund ta kuptojmë se cila do të jetë e ardhmja e përbashkët e Evropës, vetëm nëse e kuptojmë se cila është e kaluara e përbashkët e saj”.

Me gjithë problemet që ajo sigurisht ka, duhet ta pranojmë se kontinenti sot, padyshim, është një vend më i mirë. Çmimi Nobel i Paqes i dhënë Bashkimit Evropian në vitin 2012 e konfirmon këtë fakt, po ashtu dhe përpjekjet që të gjithë së bashku bënë, qeveritë dhe qytetarët njësoj, për t’u ngritur prej hirit të luftës, konfliktit dhe tiranisë. Evropa ndan vlera të përbashkëta të dinjitetit njerëzor, lirisë, të drejtave themelore, shtetit të së drejtës, respektin ndaj njëri-tjetrit dhe demokracinë. Dhe Karta e të Drejtave Themelore të BE-së i udhëzon qeveritë evropiane për të siguruar që këto të drejta të promovohen e të mbrohen në të gjitha vendet e unionit dhe jo vetëm. Por megjithatë, asnjëri prej nesh nuk mund të pretendojë se gjithçka është kaq e përsosur. Sepse vuajtjet vazhdojnë. Frika dhe dhuna po ashtu.

Ja, ndiqini me kujdes këto fjalë nga një grua e re në Londër ndërsa ndiqja një rubrikë në kanalin televiziv britanik “BBC”: “Si një grua myslimane dukshëm, e dallueshme, unë e di fare mirë që jam një objektiv i lehtë. Por a nuk është burracake të merresh me një grua vetëm për shkak të asaj që ajo vesh?!… Këta njerëz më shohin si një objektiv të dobët ndërsa përpiqen të ushtrojnë presionin e tyre mashkullor mbi mua. Uroj që njerëzit ta kuptojnë që islami nuk janë vetëm disa individë që nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat e besimit dhe kulturës sonë”. Shumë grupe në shoqërinë tonë evropiane vazhdojnë të vuajnë diskriminim, krime të urrejtjes dhe ngacmime për shkak të besimit, ngjyrës apo dhe seksit. Por cilat mund të jenë disa nga ngjarjet më të bujshme të viteve të fundit?

Në vitin 2013, disa anëtarë të bandës neo-naziste në Hungari u dënuan me burgim për shkak të sulmeve ndaj romëve; në Gjermani, të ashtuquajturat “vrasje kebab” të emigrantëve gjatë një periudhe dhjetëvjeçare, shkaktuan një tronditje të madhe publike; nga vëzhgimet e institucioneve evropiane kemi parë se rreth tre në dhjetë nga të gjithë të anketuarit transgjinorë në mbarë Evropën, pohojnë se ishin vazhdimisht viktima të dhunës apo kërcënimeve persistente; ndërsa një sondazh i fundit mbi antisemitizmin i kryer nga organizatat që merren me çështjet e holokaustit, folën qartë për probleme masive që ekzistojnë në internet dhe në mediat sociale lidhur me këtë problem që ka të bëjë me diskriminimin racor.

Tre në çdo katër të anketuar pranuan se në vendin ku ata jetonin e ndjenin dorën e antisemitizmit. E dimë fort mirë se në shumë vende të Evropës ka plot qytetarë të zakonshëm ish-të persekutuar brutalisht në të kaluarën prej regjimeve totalitare, të cilët ende vuajnë sot. Po atëherë, çfarë paralelesh mund të heqim nga sot me të kaluarën? Ashtu si në kohët e mëparshme, kriza socio-ekonomike në Evropë vazhdon të ushqejë paragjykime dhe në disa raste, edhe dhunë ndaj grupeve më të prekshme të shoqërisë sonë, si romët, emigrantët apo pakicat etnike e fetare. Politikanët e lartë po ashtu vazhdojnë të dëshmojnë gjatë fjalimeve të tyre politike, ideologji ekstremiste dhe politika “të reja” populiste, njësoj si në të kaluarën e errët. Por një gjë duhet ta themi mirë dhe saktë: Ne kemi mësuar nga e kaluara sepse ishin pikërisht pasojat katastrofike të dy Luftërave Botërore, ato që çuan në hartimin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut prej liderëve më të fuqishëm evropianë.

Pas tyre erdhën traktatet ndërkombëtare të nënshkruara nga shtetet anëtare për të mbështetur dhe mbrojtur të drejtat e njeriut në të gjithë globin. Etërit e kontinentit krijuan Bashkimin Evropian dhe e bazuan atë në vlerat e përbashkëta të demokracisë, dinjitetit dhe të të drejtave. Dhe që atëherë, Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian, si dhe qeveritë në 28 shtetet anëtare dhe organet kombëtare të të drejtave të njeriut, po punojnë shumë për të siguruar që të drejtat e njeriut të jenë universale, sepse ato duhet t’u shërbejnë qenieve njerëzore, pa marrë parasysh ngjyrën, besimin apo vendin e origjinës.

Ndaj për këtë arsye nuk duhet të harrojmë se shumë organizata ndërkombëtare anembanë Evropës po punojnë vazhdimisht për të ruajtur kujtimin e regjimeve totalitare dhe viktimave të tyre. Së bashku me ditët e kujtesës, ato na sjellin në vëmendje atë që ka ndodhur në të kaluarën tonë të përbashkët historike. Por, e rëndësishme është që atyre u del gjithashtu si detyrë të sigurojnë një urë për të ardhmen, duke luajtur gjithashtu një rol vendimtar në zhvillimin e programeve arsimore duke u dhënë mundësi të rinjve të reflektojnë mbi çështjet bashkëkohore të të drejtave të njeriut, të tilla si barazia dhe dinjiteti, të para përmes prizmit të së kaluarës.

Janë këto organizata dhe institucione të cilat përbëjnë një pjesë të rëndësishme të një shteti demokratik për të ndërtuar një shoqëri më gjithëpërfshirëse, bazuar në respektin dhe kuptimin e të drejtave themelore dhe vlerave evropiane. Ato janë po aq të nevojshme sepse, mbi të gjitha, ndihmojnë në ngritjen e vetëdijes për të drejtat që u takojnë individëve si qytetarë të denjë të një bote të lirë e me një të kaluar të përbashkët. Dje, më 23 gusht, Evropa mbarë u bëri homazh të gjithë atyre që ranë viktimë ose luftuan trimërisht kundër regjimeve totalitare. Duke nënvizuar rëndësinë e arsyes së kësaj dite, po përpiqem të shkëpus disa fragmente prej një bashkëbisedimi me njeriun kryeshenjë të lirisë dhe vlerave evropiane, me shkrimtarin, disidentin dhe presidentin çek Vaslav Havel, i cili më dëshmoi nën drithërimën emocionuese të një shpirti që dhimbte ende, tronditjen dhe tmerrin e mizorive të kryera nga këto regjime, të cilat ai i kish mësuar prej leximeve të shumta:

“Pse është e rëndësishme kujtesa historike e një vendi? Sepse ditët e përkujtimit dhe vizitat në vendet përkujtimore mund të të sigurojnë një kuptim më të gjerë të asaj se çfarë janë në të vërtetë të drejtat e njeriut. Ato ju ndihmojnë të kuptoni se sa e rëndësishme është të krijoni një botë me një dhomë për të gjithë”.

Në trend

Më shumë
Pasuria e profesorit të suspenduar Xhevat Krasniqi: Mbi 160 mijë euro para të gatshme, 150 mijë euro pasuri të paluajtshme

Pasuria e profesorit të suspenduar Xhevat Krasniqi: Mbi 160 mijë euro para të gatshme, 150 mijë euro pasuri të paluajtshme

Lajme
Dortmundi

Dortmundi "zbrazë" konton e Real Madridit - skuadra gjermane fiton një tjetër pjesë të shumë nga shitja e Bellingham

La Liga

"O Bes Kallaku", reagimi epik i Xhensilës kur fansat i përmendin ish-partnerin në koncert

Magazina
Presidenca i reagon ashpër Pacollit pasi e quajti provokim veprimin e Osmanit me të mbijetuarat e luftës gjatë seancës në KS të OKB-së

Presidenca i reagon ashpër Pacollit pasi e quajti provokim veprimin e Osmanit me të mbijetuarat e luftës gjatë seancës në KS të OKB-së

Lajme
Shtatë ish-anëtarë të grupit “Çakallët” dënohen për krime ndaj shqiptarëve të Kosovës

Shtatë ish-anëtarë të grupit “Çakallët” dënohen për krime ndaj shqiptarëve të Kosovës

Drejtësi

"Serbia po frikëson dhe shantazhon qytetarët e Kosovës"- Qeveria shpalos detaje tjera nga biseda telefonike Kurti-Macron

Lajme
Kalo në kategori