“E ka nga tekja e rakisë, të merren masa ndaj Mamiashvilit” - presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli flet për gjestin ndaj Valiev në dorëzimin e medaljes

Mundësi natyralizuar i Shqipërisë, Chermen Valiev është shpallur kampion i Evropës, në peshën deri në 74kg, por dorëzimi i medaljes ndaj tij u shndërrua në një skandal.
Gjatë dorëzimit të medaljes zv/presidenti i Federatës Botërore dhe kreu i asaj ruse, Mikhail Mamiashvili ushtroi forcë dhe sipas KOKSH-it e ka quajtur Chermen Valievin edhe tradhtar.
Në lidhje me këtë ngjarje në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Fidel Ylli, president i KOKSH-it është shprehur se ky reagim i tij është si pasojë e konsumimit të alkoolit pasi sipas tij nuk mund të ketë shpjegim tjetër.
Fidel Ylli ndër të tjera thekson se gjesti është shumë i shëmtuar, dhe KOKSH ka dalë në një deklaratë, ndërsa ka njoftuar edhe Ministrin e Jashtme për të gjithë trupin diplomatik si dhe gjithë institucionet ndërkombëtare evropiane dhe botërore që ndaj tij të merren masa.
“Nuk është se ndodhi gjë. Valievi nderoi flamurin tonë, Shqipërinë, veten e vet. Ka bërë një ndeshje spektakolare më një nga mundësit më të mirë të Republikës Ruse në finale, por ky person që është presidenti i Federatës Ruse të Mundjes, njëkohësisht zv/presidenti i Federatës Botërore ky është një nga mundësit më të mirë të Rusisë. Është tre herë kampion bote dhe tre herë Evrope, por ky nuk e ka rastin e parë. Ky është akuzuar edhe në vitin 2004 se i ka bërë presion një gjyqtari që mundësi rus në lojërat Olimpike të Athinës duhet të fitonte ndeshjen”.
"E para e punës që Presidenti i Federatës Rusë nuk është rus, por është nga Gjeorgjia . Ai ka përfaqësuar Bashkimin Sovjetik dhe jo Rusinë dhe po të jetë puna për tradhtar është ky që nuk pranoi të shkonte në Gjeorgji, por qëndroi në Rusi. Por ai nuk e ka nga kjo. Ai e ka nga tekja e rakisë se pi pak alkool se ai gjest nuk shpjegohet ndryshe”.
"Gjesti është shumë i shëmtuar, është i dënuar. Ne kemi dalë në një deklaratë ja kemi çuar edhe ministrisë së Jashtme për të njoftuar gjithë trupin diplomatik. Gjithë institucioneve ndërkombëtare evropiane dhe botërore që ndaj tij të merren masa”, deklaroi Ylli. /Telegrafi/




















































