Telegrafi

E butë, miqësore dhe lozonjare: Secila mace e kësaj race të rrallë ka një bisht unik

Macja me bishtin si të lepurit

Me temperamentin e një “miku më të mirë” dhe me një jetëgjatësi prej rreth 20 vjetësh dhe shëndet të jashtëzakonshëm, macja nga Ishujt e Kurileve është pothuajse ideale për pronarët që duan një kafshë shtëpiake të bindur me një natyrë të butë.

‘Bobtail’ i Kurileve është një racë mace me origjinë nga Rusia, e njohur për pamjen e saj të egër, por shumë të bukur dhe me bishtin e shkurtër “pom-pom” si të një lepuri.

Edhe pse duket pak si një mace e egër, ‘bobtail’ i Kurileve është një mace e butë, miqësore dhe plotësisht e zbutur.

Raca u zhvillua natyrshëm në ishujt e largët pranë Kamçatkës dhe u përhap në mbarë botën falë marinarëve, ushtarëve dhe mbarështuesve në Rusi dhe Evropë.

Sot, kjo racë e rrallë shijon natyrën paqësore dhe pamjen e mrekullueshme me bishtin e fryrë si të një lepuri, transmeton Telegrafi.

Me një natyrë të butë, miqësore dhe lozonjare, macja ‘bobtail’ e Kurileve zakonisht peshon deri 6,5 deri në 7 kg dhe është rreth 45 cm e gjatë, me qime mesatarisht të shkurtra ngjyrë kafe, portokalli, gri, krem, të zezë, të bardhë, njëngjyrëshe, dyngjyrëshe… Sytë e saj janë si ari ose jeshile, blu ose kombinime të tjera.

Nuk lejohet mbarështimi me racat e tjera të maceve. Kjo mace nuk ka frikë nga uji dhe i pëlqen më shumë jeta në tufë.

Pamja e maces

Kjo është një mace masive me trup solid, është një racë natyrale dhe shihet në të gjitha ngjyrat, me ose pa shenja të bardha. Ekziston në dy lloje – me qime të shkurtra dhe gjysmë të gjatë.

Bishti i këtyre maceve ka më pak se dhjetë rruaza (bishti mesatar i maces përbëhet nga 23 kocka të vogla kurrizore). Bishti përkulet në drejtime të ndryshme dhe merr pamjen e një rrethi, spirale ose kamxhik dhe, si gjurmët e gishtërinjve, nuk ka dy bishta të njëjtë.

Temperamenti dhe aktiviteti

Kjo racë aktive dhe me zemër të ngrohtë, pëlqen të përkëdhelet dhe të luajë. Falë karakterit të saj të mirë, ajo shkon mirë me të gjithë, përfshirë fëmijët shumë të vegjël dhe kafshët e tjera shtëpiake që janë miqësore me të.

Është shumë inteligjente dhe i pëlqen të mësojë. Mund të habiteni kur mësoni se ai mëson lehtësisht dhe shpejt truket, por më e rëndësishmja, rregullat e shtëpisë. Në përgjithësi, kjo racë është e lehtë dhe argëtuese. /Telegrafi/