Seanca e parë gjyqësore ka filluar në Gjykatën Themelore në Pejë ndaj të akuzuarit U.H, i cili dyshohet për vrasjen e nënës së tij, më 14 prill të këtij viti.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti.
Ndërkaq, seanca me kërkesë të mbrojtjes së të akuzuarit është e mbyllur për publikun.
Ndryshe, një muaj më parë Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzë kundër U.H, i akuzuar për vrasjen e nënës së tij më 14 prill të këtij viti.
Sipas aktakuzës, i pandehuri U.H, më 14 prill të vitit 2023, në qytetin e Pejë, e ka privuar nga jeta nënën e tij, viktimën H.H., me dyshimin e bazuar mirë se ditën kritike në rrethana të përgjegjësisë së zvogëluar mendore në shkallë esenciale, viktimës i ka shkaktuar mbi 20 plagë në pjesë të ndryshme të trupit, duke e privuar të ndjerën nga jeta.
Me këto veprime sipas prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si më lartë.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallën fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.
Pas rastit tragjik më 14 prill, prokurorja Sahide Gashi ka thënë se kanë siguruar dëshmitarë okularë dhe se i dyshuari nuk mund të fliste.
Vrasja e 58-vjeçares kishte tronditur vendin dhe kishte nxitur reagime të shumta. E nga shoqëria civile kanë kërkuar që të bëhet më shumë për mbrojtjen e grave. /Telegrafi/