Përmbledhje e detajuar e gjithë asaj që ndodhi gjatë dhe pas vërshimeve në Pejë

- 25/06/2023 20:21-Gjakova shpreh gadishmërinë për përkrahjen e Pejës me të gjitha kapacitetet
- 25/06/2023 18:09-Pacolli hap “GoFundMe” për ta ndihmuar familjen Ademaj
- 25/06/2023 18:07-Rikthehet furnizimi me ujë të pijshëm në tri rrugët e Pejës
- 25/06/2023 17:47-Mehaj: Humbja tragjike e dy qytetarëve në Pejë është lajm i rëndë dhe pikëllues për të gjithë
- 25/06/2023 17:34-Komuna e Pejës formon shtabin emergjent pas vërshimeve që goditën qytetin
- 25/06/2023 17:33-Brenda shtëpisë ku humbën jetën nënë e bir në Pejë
- 25/06/2023 17:08-Sveçla për vërshimet në Pejë: Kemi qenë në nivelin e gatishmërisë që nga fillimi i përkeqësimit të situatës
- 25/06/2023 16:48-Axha i 5-vjeçarit në Pejë tregon se si arritën të nxjerrin trupat e pajetë nga bodrumi i banesës
- 25/06/2023 15:58-Krasniqi: Me zemër dhe mendje jemi pranë familjes Ademaj
- 25/06/2023 15:14-Haradinaj viziton Pejën, fton Qeverinë të ndajë një fond emergjent për familjet e prekura nga vërshimet
- 25/06/2023 14:53-IHMK jep disa sqarime se si ndodhën vërshimet në Pejë
- 25/06/2023 14:32-"70 vjet i kam mbush, kurrë nuk ka qenë kështu", Qytetari nga Peja tregon se sa të fuqishme ishin vërshimet
- 25/06/2023 14:10-Nis lirimi i rrugëve në Pejë pas vërshimeve të së shtunës
- 25/06/2023 14:06-KRU 'Hidrodrini': Uji është i sigurt për pije, ekipet mbështetëse janë në terren për ndërhyrje
- 25/06/2023 13:48-Pacolli: Peja mbrëmë u godit nga vërshimet dhe tragjikisht mori dy viktima
- 25/06/2023 13:41-Komuna e Istogut e gatshme ta ndihmojë Pejën pas vërshimeve
- 25/06/2023 13:32-MPB-ja dhe AME-ja në gatishmëri për të ndihmuar Komunën e Pejës
- 25/06/2023 12:53-“Nusen e gjetëm në bodrumin e një shtëpie, e djalin e zuri një pjesë që rrëshqiti nga kodra”, familjari jep detaje nga rasti tragjik
- 25/06/2023 12:32-Muhaxheri viziton familjen Ademaj pas humbjes së dy familjarëve nga vërshimet
- 25/06/2023 12:30-Pamje tjera pas vërshimeve në Pejë
- 25/06/2023 12:09-Kurti ngushëllon familjen Ademaj në Pejë, pas humbjes së dy familjarëve si pasojë e vërshimeve
- 25/06/2023 12:03-IHMK: Edhe sot pritet të ketë reshje shiu në rajonin e Dukagjinit
- 25/06/2023 11:59-Gjendja në lagjen Jarinë në Pejë
- 25/06/2023 11:43-Pamjet e fundit nga qyteti i Pejës
- 25/06/2023 11:42-Osmani: Humbja e dy qytetarëve tanë si pasojë e vërshimeve në Pejë ka tronditur gjithë Kosovën
- 25/06/2023 11:41-Rama: Jemi të gatshëm që me gjithë kapacitetet tona si kryeqytet t'u dalim në ndihmë qytetarëve të Pejës
- 25/06/2023 11:21-Vdekja e dy personave nga vërshimet në Pejë, Muhaxheri: Jam i tronditur, situatë e rëndë
- 25/06/2023 11:14-Situata në një pjesë të qytetit të Pejë në mëngjesin e parë pas vërshimeve
- 25/06/2023 10:37-Vërshimet në Pejë, uji rrëmbeu automjetet – vozitësi shpëton duke dalë nga dritarja e veturës
Në orët e vona të së shtunës moti i ligë kaploi Pejën, ku nga reshjet e shumta, i gjithë qyteti u përball me vërshime.
Nga situata e krijuar, dy persona humbjen jetën - të tjerë u lënduan dhe normalisht nuk munguan as dëmet e mëdha materiale.
Telegrafi do t'iu mbajë të informuar në kohë reale me gjithë informatat rreth situatës në Pejë.
25/06/2023 20:21-Gjakova shpreh gadishmërinë për përkrahjen e Pejës me të gjitha kapacitetet
Komuna e Gjakovës ka kontaktuar sot me përfaqësuesit e komunës së Pejës me të cilët ka biseduar për gjendjen me të të cilën po ballafaqohen qytetarët e Pejës.
Me këtë rast, komuna e Gjakovës ka njoftuar se ka shprehur gadishmërinë e institucioneve lokale të Gjakovës që të jenë në përkrahje të qytetit të Pejës me të gjitha kapacitetet në gjitha aksionet e nevojshme në shërbim të qytetarëve të komunës së Pejës.
25/06/2023 18:09-Pacolli hap “GoFundMe” për ta ndihmuar familjen Ademaj
Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka hapur një GoFundMe për ta ndihmuar familjen Ademaj nga Peja.
Përmes llogarisë zyrtare në Facebook, ai u bën thirrje politikanëve, biznesmenëve dhe të gjithëve për të kontribuar.
“Sapo kam hapur një GoFundMe për të së bashku edhe financiarisht familjen Ademaj".
"U bëj thirrje politikanëve, biznesmenëve dhe të gjithëve me zemër dhe mundësi për të kontribuar. Çdo euro do të thotë shumë për familjen. Zoti ju shpërbleftë”, shkroi Pacolli.
Nga vërshimet të Pejë, të shtunën e 24 qershorit, humbi jetë nëna me të birin e saj.
25/06/2023 18:07-Rikthehet furnizimi me ujë të pijshëm në tri rrugët e Pejës
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini”, ka njoftuar se është kthyer furnizimi me ujë të pijshëm për konsumatorët e rrugëve “Azem Bejta”, “Mbreti Bardhyl” dhe “Tahir Coli”.
“Pas intervenimeve të menjëhershme dhe pas rreth 16 orë punë intensive të specialistëve të terrenit, tashmë furnizimi me ujë të pijshëm është rikthyer edhe për konsumatorët e ‘Asllan çeshme’-së. Dëmtime të evidentuara dhe sanuara me intervenim në sistem furnizues brena kësaj bashkësie, janë regjistruar në rrugët ‘Azem Bejta’, ‘Mbreti Bardhyl’ dhe ‘Tahir Coli’”.
“Respekt për ekipet e punonjësve të KRU ‘Hidrodrini’. Të njëjtit, gjatë punës, janë vizituar për t’u mbështetur për angazhimin vetëmohues edhe nga Kryeshefi Ekzekutiv ing. Dri Cena”, thuhet në njoftim.
25/06/2023 17:47-Mehaj: Humbja tragjike e dy qytetarëve në Pejë është lajm i rëndë dhe pikëllues për të gjithë
Humbjen tragjike të jetës së dy qytetarëve për shkak të vërshimeve në komunën e Pejës, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, e ka cilësuar si lajm të rëndë dhe pikëllues për të gjithë.
Në një postim në Facebook, Mehaj ka njoftuar se pas informacioneve të marra, njësitet e kërkim-shpëtimit kanë qenë në terren për të ndihmuar në përballimin e situatës.
Për më shumë kliko këtu
25/06/2023 17:34-Komuna e Pejës formon shtabin emergjent pas vërshimeve që goditën qytetin
Një fëmijë 5 vjeç dhe e ëma e tij kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë lënduar si pasojë e vërshimeve që goditën mbrëmjen e së shtunës qytetin e Pejës.
Komuna e Pejës të dielën ka formuar Shtabin Emergjent për të adresuar nevojat e qytetarëve të prekur.
“Në ditët e fundit, komuna jonë është përballur me intensifikimin e reshjeve të shiut dhe shfaqjen e vërshimeve në disa zona të rëndësishme të qytetit. Shtabi Emergjent është mobilizuar menjëherë pas vërejtjes së situatës, dhe ekipet tona punojnë pa pushim për të adresuar nevojat dhe sfidat që dalin nga ky fenomen natyror”, thuhet në njoftimin e Komunës së Pejës.
Shtabi Emergjente është formuar në këtë përbërje:
Gazmend Muhaxheri – Kryetar i Komunës së Pejës;
Nue Nikolla – Komandant i Stacionit Policor në Pejë;
Fatmir Asllani – Nënkryetar i Komunës së Pejës;
Mirzet Džogović – Nënkryetar për Komunitete të Komunës së Pejës;
Gezim Gashi – Drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim;
Butrint Lajqi - Komandant i Njësisë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit;
Agron Nikçi – Drejtor për Punë Komunale dhe Shërbime Publike;
Tahir Shala – Drejtor për Bujqësi, Pylltari dhe Hidroekonomi;
Jeton Abazaj – Drejtor për Buxhet dhe Financa;
Edonjeta Berisha – Drejtoreshë për Punë Inspektuese;
Diellëza Berisha – Shefja e Kabinetit; dhe
Faik Zekaj – Zëdhënës i Komunës së Pejës.
25/06/2023 17:33-Brenda shtëpisë ku humbën jetën nënë e bir në Pejë
Për të parë më shumë fotografi, dhe deklarata të familjarëve se si ndodhi e gjithë ngjarja, kliko këtu.
25/06/2023 17:08-Sveçla për vërshimet në Pejë: Kemi qenë në nivelin e gatishmërisë që nga fillimi i përkeqësimit të situatës
Një fëmijë 5 vjeç dhe e ëma e tij kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë lënduar si pasojë e përmbytjeve që goditën mbrëmjen e së shtunës qytetin e Pejës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla përmes një postimi në Facebook ka thënë se të gjithë jemi jashtëzakonisht të shqetësuar me vërshimet e mëdha derisa ka shprehur pikëllimin që këto vërshime morën jetën e dy qytetarëve tanë.
“Që nga fillimi i përkeqësimit të situatës, të gjithë akterët e nivelit qendror kanë qenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë për reagim dhe vazhdojnë të jenë në koordinim të ngushtë me nivelin lokal ku po bëhet vlerësim sistematik i situatës”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjeve Ademaj dhe Hoxhiq për humbjen e më të dashurve të tyre.
“Falënderoj qytetarët për bashkëpunimin dhe komunikimin e vazhdueshëm mbrëmë me Qendrat Operative Emergjente dhe njëkohësisht i ftoj që për çdo kërkesë apo informacion të vijojnë të kontaktojnë pa pagesë në numrin emergjent 112, Policinë e Kosovës 192 dhe Zjarrfikësit 193”, ka shkruar tutje Sveçla.
25/06/2023 16:48-Axha i 5-vjeçarit në Pejë tregon se si arritën të nxjerrin trupat e pajetë nga bodrumi i banesës
“Jemi të gjithë të shqetësuar, është tmerr, me vdek një nuse 26-vjeçare dhe një fëmijë 5-vjeçar, është katastrofë”, rrëfeu mes lotësh Ademaj.
25/06/2023 15:58-Krasniqi: Me zemër dhe mendje jemi pranë familjes Ademaj
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka ngushëlluar familjen Ademaj pas humbjes së dy familjarëve të tyre nga vërshimet në Pejë.
Krasniqi ka thënë se është “thellësisht i pikëlluar me ngjarjen tragjike në Pejë, ku si pasojë e vërshimeve kanë humbur jetën Mirsada dhe Dion Ademaj, nënë e bir, 30 respektivisht 5 vjeç”.
“Në momente të rënda si ky, me zemër dhe mendje jam pranë familjes Ademaj për të ndarë dhembjen e madhe nga humbja e më të dashurve të tyre. Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, ngushëllimet më të thella familjes, miqve dhe të gjithë qytetit të Pejës, të cilët u goditën nga kjo fatkeqësi natyrore”, ka shtuar Krasniqi.
25/06/2023 15:14-Haradinaj viziton Pejën, fton Qeverinë të ndajë një fond emergjent për familjet e prekura nga vërshimet
Krytetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj ka vizituar qytetin e Pejës, për të parë nga afër situatën e krijuar pas vërshimeve.
Haradinaj ka kërkuar nga Qeveria dhe institucionet relevante të mobilizohen për të ndarë një fond emergjent për familjet e prekura nga vërshimet, transmeton Telegrafi.
“Ndamë dhimbjen me familjen Ademaj, e cila humbi më të dashurit e tyre në këtë tragjedi.Ftoj Qeverinë e Kosovës dhe institucionet relevante për mobilizim të menjëhershëm duke ndarë një fond emergjent për t’u dalë në ndihmë të gjitha familjeve të cilat pësuan nga këto vërshime. Jemi me qytetarët e Pejës në këto ditë të vështira”, thotë ai.
25/06/2023 14:53-IHMK jep disa sqarime se si ndodhën vërshimet në Pejë
Instituti hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) përmes një komunikate për media ka dhënë disa sqarime për vërshimet që kanë ndodhur ditën e shtunë në Pejë.
IHMK thotë se situata më e rënduar me reshje të shiut në Pejë ka ardhur si rrjedhojë e reshjeve të shiut me intensitet shumë të lartë, ku vetëm brenda 1h e 9 min.
“Gjatë orëve të pasdites (e shtunë 24/06/2023), kemi pasur një situatë të rënduar me reshje të shiut sidomos në regjionin e Pejës ku janë shkaktuar vërshime të shpejta. Situata e rënduar me vërshime në Pejë, ka ardhur si rrjedhojë e reshjeve të shiut me intensitet shumë të lartë, ku vetëm brenda 1h e 9 min. (Nga ora: 19:35 deri 20:44), kanë rënë 54.6 mm (l/m2). Kjo sasi e reshjeve për interval kohorë aq të shkurt, është e pa shmangshme pa shkaktuar vërshime, në këtë rast atyre urbane”, thuhet në njoftim.
Tutje, IHMK sqaron se “lumi Bistrica e Pejës, aktualisht (25/06/2023) nuk paraqet ndonjë rrezik për përmbytje lumore. Niveli në ora 11h ishte 93 Cm, apo afro 2.5 m. nën vlerën e nivelit maksimal, tendencat janë në rënie të ngadalshme”.
IHMK shton tutje se, gjatë orëve të pasdites së sotme dt: 25/06/2023, do të ketë reshje shiu të cilat në pjesën perëndimore dhe verior të vendit do të jenë me intensitet dhe shtrirje më të theksuara.
“Situata do të filloj gradualisht të stabilizohet gjatë ditëve në vijim”. /Telegrafi/
25/06/2023 14:32-"70 vjet i kam mbush, kurrë nuk ka qenë kështu", Qytetari nga Peja tregon se sa të fuqishme ishin vërshimet
Qytetari nga Peja, është edhe fqinjë i familjes së dy viktimave - ai tha se ishte i pamundur shpëtimi i dy anëtarëve të familjes Ademaj.
25/06/2023 14:10-Nis lirimi i rrugëve në Pejë pas vërshimeve të së shtunës
Në qytetin e Pejës ka filluar lirimi i rrugëve që ditën e shtunë u bllokuan nga vërshimet.
Zëdhënësi i Komunës së Pejës, Faik Zekaj tha për Telegrafin se ekipet gjenden në terren, të cilat po punojnë për lirimin e rrugëve.
“Gjendja është stabile sot, ekipet janë duke liruar rrugët. Ende nuk kemi bërë vlerësimin e dëmve të shkaktuara nga vërshimet”, tha ai.
Nga vërshimet e së shtunës humbën jetën një nënë bashkë me djalin e saj, ndërsa u lënduan edhe disa qytetarë.
Gjithashtu u shkaktuan dëme të shumta materiale.
Pas vërshimeve në Pejë, krerët e shtetit kanë ngushëlluar familjen Ademaj për humbjen e familjarëve të tyre, ndërsa kanë ofruar mbështetje për qytetarët e Pejës.
Ndërsa, nga IHMK kanë paralajmëruar se edhe gjatë ditës së sotme pritet të ketë reshje shiu. /Telegrafi/
25/06/2023 14:06-KRU 'Hidrodrini': Uji është i sigurt për pije, ekipet mbështetëse janë në terren për ndërhyrje
Kompania Rajonale e Ujësjellësit "Hiderodrini" bën me dije se ekipet mbështetëse janë në terren për ndërhyrje eventuale të lokalizuara.
Sipas KRU-së, uji në zonën e mbulueshmërisë është i sigurt për konsum.
"Në matjet e përbashkëta IRSHP-së dhe KRU 'Hidrodrini', të orës 07:00 të mëngjesit të sotëm, cilësia e ujit në burimet Uji i Zi dhe Radavc ka qenë brenda normave të kërkuara. Si përfundim, uji në territorin e komunës së Pejës sikur edhe në tërë zonën e mbulueshmërisë është i sigurt për pije duke mbetur brenda standardeve të parapara", thekson Hidrodrini. /Telegrafi/
25/06/2023 13:48-Pacolli: Peja mbrëmë u godit nga vërshimet dhe tragjikisht mori dy viktima
Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka ngushëlluar familjen Ademaj në Pejë, pas humbjes së dy familjarëve të tyre nga vërshimet.
Pacolli thotë se nga vërshimet që ka pasur në Pejë, humbën jetë tragjikisht dy qytetarë.
"Peja mbrëmë u godit nga vërshimet dhe tragjikisht mori dy viktima, Mirsada dhe djali i saj 5-vjeçar Dioni. Familjes Ademaj i shpreh ngushëllimet më të thella e viktimat u prefshin në paqe", thuhet në postimin e Pacollit. /Telegrafi/
25/06/2023 13:41-Komuna e Istogut e gatshme ta ndihmojë Pejën pas vërshimeve
Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati ka thënë se janë të gatshëm të ndihmojnë qytetarët e Pejës, pas vërshimeve që ka pasur ditën e shtunë.
Ferati ka thënë se ndajnë dhimbjen me familjën që humbi familjarët si pasojë e vërshimeve, transmeton Telegrafi.
"Bashkëndjejmë me qytetarët e Pejës, të cilët u dëmtuan mbrëmë nga vërshimet. Ne jemi të gatshëm, në çdo formë dhe në çdo kohë, t’iu dalim në ndihmë qytetarëve të Pejës! Së bashku e ndajmë dhimbjen dhe ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Ademaj të cilët humbën tragjikisht dy anëtarë të familjes së tyre", thuhet në postimin e tij në Facebook./Telegrafi/
25/06/2023 13:32-MPB-ja dhe AME-ja në gatishmëri për të ndihmuar Komunën e Pejës
Gjatë qëndrimit në qytetin e Pejës, zëvendësministri Blerim Gashani ka takuar ekipet e Policisë së Kosovës, FSK-së dhe shërbimeve të emergjencës, po ashtu është takuar edhe nënkryetarin e Komunës së Pejës me ekipin e tij, drejtorin e Drejtorisë së Emergjencave si dhe Drejtorin Rajonal të Zjarrfikësve dhe të gjithë së bashku e kanë vizituar lagjen Asllan Qeshme, që ishte më e prekura nga vërshimi apokaliptik dhe pastaj kanë vizituar edhe qendrën spitalore në Pejë.
Me këtë rast zëvendësministri Gashani ka vënë në dukje se si përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Brendshme bashkë me Agjencinë për Menaxhim të Emergjencave, do të jenë në kapacitet të plotë për të ofruar ndihmë në tejkalimin e kësaj gjendjeje.
“Ne, të gjithë në MPB dhe AME, jemi në gatishmëri të plotë të ndihmojmë e punojmë së bashku e ngushtë për sanimin e gjendjes së krijuar në Pejë dhe kthimin e normalitetit në këtë qytet”, theksoi Gashani gjatë qëndrimit të tij në komunën e Pejës.
25/06/2023 12:53-“Nusen e gjetëm në bodrumin e një shtëpie, e djalin e zuri një pjesë që rrëshqiti nga kodra”, familjari jep detaje nga rasti tragjik
Një anëtar i familjes Ademaj ka dhënë detaje lidhur me tragjedinë që ndodhi ditën e shtunë, ku nga vërshimet humbën jetën dy familjarë të tyre, nëna bashkë me djalin e saj.
Ai ka thënë se nga vërshimet një pjesë e kodrës ka rrëshqitur duke e zënë kështu djalin 5 vjec, transmeton Telegrafi.
Tutje, ai tha se nusen e tyre e kanë gjetur në një bodrum në një shtëpi.
“Shi ka rënë, ka rrëshqit një pjesë e kodrës, e ka nxënë djalin, u mbush te ky vëllai plot ujë, derisa e ka mbajtur muri, kur se ka mbajt u fut uji, mezi i kemi shpëtuar dy fëmijë të tjerë, jemi munduar që ta shpëtojmë nusen se atë voglin se kemi pa askund hiç, pastaj e kemi gjetur në një shtëpi të kojshive, nusen e kemi gjetur në të tretën shtëpi në bodrum”, u shpreh familjari.
25/06/2023 12:32-Muhaxheri viziton familjen Ademaj pas humbjes së dy familjarëve nga vërshimet
Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, flet pas ngjarjes tragjike ku humbën jetën dy persona si pasojë e vërshimeve.
Ai ka thënë se kjo që ka ndodhur është tragjedi dhe se kësi shiu, nuk mbahet mend që ka ndodh në 40-50 vitet e fundit.
Ka ra shi shumë kohë të gjatë, mbrëmë ka pas sasi të reshurave që nuk kanë ndodh për 40-50 vjet, raporton njeshi.
‘’Operatorët janë vonu me i kry punët e rrugës, por këto janë punë që rregullohen, por kjo që ka ndodhë ka qenë tragjedi, jeta nuk kthehet e kjo ka ndodhur prej vërshimeve të mëdha, prej sasisë së madhe të ujit e jo prej asaj rrugës atje. Shiu ka ra vetëm një orë, dhe ka kriju probleme’’, tha ai.
25/06/2023 12:30-Pamje tjera pas vërshimeve në Pejë
25/06/2023 12:09-Kurti ngushëllon familjen Ademaj në Pejë, pas humbjes së dy familjarëve si pasojë e vërshimeve
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka ngushëlluar familjen Ademaj, pas humbjes së dy familjarëve të tyre si pasojë e vërshimeve në qytetin e Pejës.
Kurti ka thënë se me pikëllim të madh ka marrë lajmin për humbjen tragjike të dy qytetarëve në Pejë, transmeton Telegrafi.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të jetëve të dy qytetarëve tanë, Dion Ademaj dhe Mirsada Ademaj, nga vërshimet e mbrëmshme në Pejë. Kjo humbje e madhe për familjet Ademaj dhe Hoxhiq është humbje e madhe për vendin tonë. Në këto ditë të rënda, dhembjen e ndajmë bashkë me familjarët dhe miqtë e tyre”, ka thënë ai.
Kryeministri tutje ka shtuar “në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta”.
25/06/2023 12:03-IHMK: Edhe sot pritet të ketë reshje shiu në rajonin e Dukagjinit
Në rajon e Dukagjinit edhe gjatë ditës së sotme pritet të ketë reshje shiu. Kështu ka konfirmuar për Telegrafin, Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK).
Aliu bëri të ditur se reshje shiu do të ketë pasdite.
“Sot pasdite pritet të ketë sërish reshje shiu në rajonin e Dukagjinit”, tha Aliu.
25/06/2023 11:59-Gjendja në lagjen Jarinë në Pejë
25/06/2023 11:43-Pamjet e fundit nga qyteti i Pejës
Qyteti i Pejës duket mjaft i dëmtuar në këtë mëngjes pas të reshurave të madha që kishte në orët e vona të së shtunës.
25/06/2023 11:42-Osmani: Humbja e dy qytetarëve tanë si pasojë e vërshimeve në Pejë ka tronditur gjithë Kosovën
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas humbjes së jetës së dy qytetarëve në qytetin e Pejës, si pasojë e vërshimeve.
Osmani ka thënë se humbja e dy qytetarëve ka tronditur gjithë Kosovën, ndërsa ka ngushëlluar familjarët për humbjen e tyre, transmeton Telegrafi.
"I shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve, miqve, kryetarit të Komunës z. Gazmend Muhaxheri dhe gjithë qytetarëve të komunës së Pejës për këtë humbje të madhe e kaq tragjike. Forca e Sigurisë së Kosovës dhe gjithë institucionet e tjera që merren me emergjenca të tilla janë në Pejë që nga mbrëmë duke ofruar ndihmën dhe përkrahjen e tyre", thotë ajo.
Osmani tutje ka shtuar se "në këto momente të rënda, është me rëndësi që përkrahja të vazhdojë në mënyrë që komuna e Pejës të përballojë dhe të rikuperohet nga kjo situatë e vështirë e tragjike".
25/06/2023 11:41-Rama: Jemi të gatshëm që me gjithë kapacitetet tona si kryeqytet t'u dalim në ndihmë qytetarëve të Pejës
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se janë të gatshëm të ndihmojnë qytetarët në Pejë, pas vërshimeve që ka pasur ditën e shtunë.
Rama ka thënë se nuk do të mungojë ndihma e Komunës së Prishtinës, ai po ashtu ka ngushëlluar familjen që ka humbur dy anëtarë.
“Jemi të gatshëm që me gjithë kapacitetet tona si Kryeqytet tu dalim në ndihmë qytetarëve të Pejës. Ndihma jonë nuk do të mungojë që këto vërshime të kalojnë me sa më pak pasoja. Shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen Ademaj, të cilët humbën tragjikisht dy anëtarë të çmueshëm të tyre”, ka thënë Rama.
25/06/2023 11:21-Vdekja e dy personave nga vërshimet në Pejë, Muhaxheri: Jam i tronditur, situatë e rëndë
Kryetari Gazmend Muhaxheri u shpreh i tronditur me rastin tragjik që ndodhi në Pejë, ku dy persona humbën jetën si pasojë e vërshimeve të së shtunës.
Muhaxheri shprehu ngushëllime për vdekjen e nënës dhe të fëmijës. Ai, situatën në Pejë e quajti të rëndë dhe të hidhur.
“Jam shumë i tronditur për rastin tragjik që ka ndodhur sonte në Pejë si pasojë e vërshimeve, ku ka pasur edhe humbje jete të çmuara! Kjo është një situatë e rëndë dhe e hidhur për qytetin tonë. Gjatë kësaj kohe të vështirë, shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin tim të plotë. Shpresoj të kenë forcë për ta kaluar këtë situatë. Ndihma në kohë të vështira është thelbësore”, shkroi Muhaxheri në Facebook.













































