LAJMI I FUNDIT:

Dy të plagosur në Prishtinë nga gjuajtjet me armë zjarri

Dy të plagosur në Prishtinë nga gjuajtjet me armë zjarri

Në dy raste të ndara, dy persona kanë mbetur të plagosur nga gjuajtjet me armë zjarri mbrëmjen e së martës në Prishtinë. Lidhur me njërin rast është arrestuar një person i dyshuar.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë për Telegrafin se rasti i parë ka ndodhur rreth orës 19:30, kur  policia ka marrë informatën se me armë zjarri është plagosur një person,  i cili është dërguar për tretman mjekësor.

“Aktualisht hetuesit policor të stacionit Veriu në Prishtinë, në koordinim me prokurorin e shtetit  janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë rast i cili është cilësuar si vrasje në tentativë”, ka thënë Ahmeti.


Ndërsa, rasti i dytë i plagosjes me armë zjarri ka ndodhur rreth orës 22:40, kur policia ka  marrë informatën për gjuajtje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Maliq Pashë Gjinovci” në Prishtinë.

“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nga arma e zjarrit është lënduar një person”, ka thënë Ahmeti.

Sipas zëdhënëses, hetuesit policorë në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin  veprimet hetimore, deri tani është arrestuar një person i dyshuar. /Telegrafi/