Dy shoferë ndëshkohen në Ferizaj: Gjobë 300 euro për shpejtësi dhe 500 euro për përdorim telefoni

Policia e Ferizajt ka ndëshkuar dy shoferë në dy raste të ndara për shkelje të rënda të rregullave të qarkullimit rrugor, gjatë 15 dhe 16 nëntorit 2025.
Sipas Njësisë së Komunikacionit Rrugor, rasti i parë u regjistrua më 15 nëntor, rreth orës 16:25, në fshatin Sazli. Shoferi Z.N., 31 vjeç, i cili po drejtonte veturën Peugeot 308 me targa vendore, u kap duke lëvizur me 119 km/h në zonë ku kufizimi i shpejtësisë është 50 km/h.
Për këtë kundërvajtje të rëndë, ndaj tij u shqiptua gjobë prej 300 euro, 3 pikë negative dhe ndalim i drejtimit të automjetit për 3 muaj.
Rasti i dytë ndodhi më 16 nëntor, rreth orës 16:05, në rrugën “Driton Islami” në Ferizaj. Shoferi V.J., 40 vjeç, u kap në flagrancë duke përdorur telefonin gjatë ngasjes.
Verifikimet e policisë treguan se kjo ishte hera e tretë që ai kryente të njëjtën shkelje.
Ndaj tij u shqiptua gjobë prej 500 euro, 3 pikë negative dhe masë ndalimi të drejtimit të automjetit për 6 muaj.
Policia Rajonale në Ferizaj u bëri thirrje të gjithë ngasësve që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe të mos përdorin telefonin gjatë vozitjes, duke theksuar se këto veprime paraqesin rrezik serioz për jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.
Po ashtu, policia njoftoi se do të intensifikojë kontrollet me radar dhe ato ndaj shoferëve që përdorin telefonin gjatë ngasjes në të gjitha rrugët e rajonit, me synim rritjen e sigurisë rrugore.
Qytetarët ftohen të raportojnë çdo shkelje në numrat 192, 0290/326-250, 0290/322-406, ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”. Të gjitha raportimet trajtohen në mënyrë konfidenciale.


































