Dy zyrtarët policorë që gjatë ditës së djeshme me 20.04.2025 janë arrestuar në Pejë nën dyshimin për marrje ryshfeti, sot kanë dalë para Gjykatës, në seancën për caktimin e masës së sigurisë.

Policët janë të njësisë së trafikut rrugor dhe dyshohet se kanë kërkuar para nga një qytetar, të cilin e kanë ndaluar për kontroll rutinor.


Prokurori i Shtetit ka kërkuar caktimin e masës së arrestit shtëpiak, si dhe të dy të dyshuarit të pezullohen nga puna.

Inspektorati Policor i Kosovës dje ka njoftuar se ka pranuar gjatë ditës një informacion nga një qytetar i cili pretendoonte se dy zyrtarët policorë kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Hetuesit e IPK-së kishin pranuar informacione se zyrtarët policorë e kishin ndaluar qytetarin në një pikë kontrolli dhe për të mos i shqiptuar gjobë i kanë kërkuar qytetarit një shumë  monetare.

“Pas veprimeve paraprake hetimore të kryera nga hetuesit e IPK-së, janë arrestuar dy zyrtarët policorë me dyshimin  se kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” dhe të njëjtëve me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”- thuhej në njoftimin e IPK-së.